Një situatë alarmante prej vitesh ka shqetësuar banorët e një pallati në lagjen 4 të qytetit të Laç.
Një grua rreth 80-vjeçe kishte kthyer apartamentin e saj në një grumbull mbetjesh dhe rrobash të marra nga kazanët e plehrave, duke sjellë erë të rëndë, miza dhe frikë për përhapje infeksionesh për rreth 15 familje që jetonin në pallat.
Banorët tregojnë se problemi vazhdonte prej të paktën pesë vitesh. Sipas tyre, e moshuara çdo ditë sillte në banesë qese me mbeturina, ushqime dhe rroba të marra nga kazanët, ndërsa aroma e padurueshme ishte përhapur në të gjithë shkallën e pallatit.
“Është e pamundur të kalosh në shkallë. Sa herë hap derën, zbresim me hundë të mbyllur nga kati i katërt deri poshtë”, shprehet një banore.
Ndërsa një tjetër thotë se situata ishte bërë e papërballueshme: “Ajo fut çdo ditë 6-7 çanta me mbeturina brenda. Kemi frikë edhe për ndonjë epidemi.”
Gazetarët e emisionit Fiks Fare tentuan të komunikonin me të moshuarën, por ajo refuzoi të hapte derën dhe të lejonte xhirimet. Nga dera e apartamentit dukej një korridor i mbushur me rroba dhe sende të grumbulluara, ndërsa era e rëndë ndihej menjëherë në hyrje.
“Jam e sëmurë… këto i kam për t’i shitur. Ik largohu, nuk dua të më filmoni. Jam në shtëpinë time”, u shpreh shkurtimisht ajo.
Për rastin u vu në dijeni edhe shërbimi social i bashkisë.
Punonjësit socialë deklaruan se problematika ishte e njohur prej qershorit të vitit 2025 dhe se më herët ishte ndërhyrë për pastrimin e banesës, por situata ishte rikthyer sërish. Sipas tyre, për shkak se bëhej fjalë për një pronë private, nevojitej bashkëpunim me institucione të tjera, përfshirë policinë, për të mundësuar ndërhyrjen dhe pastrimin e ambienteve.
Pas interesimit të emisionit Fiks Fare, situata mori zgjidhje. Djali i zonjës ndërhyri dhe kreu pastrimin e plotë të banesës, ndërsa gjatë verifikimeve u konstatua se ambienti ishte rehabilituar.
“Ju kërkoj falje që ju bezdisëm, nuk do të ndodhë më”, tha e moshuara pas pastrimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimeve Publike bëri me dije se në ditët në vijim do të kryhet dezinfektimi dhe lyerja e banesës, me qëllim eliminimin e çdo rreziku për shëndetin e banorëve të pallatit.
