Një ditë, teksa Dumani rrinte përpara dyqanit të tij në “Nishtulla”, aty shkojnë Talo Çela dhe Gentjan Sharra. Talo i ofroi një “punë” në Elbasan.
Grabitjen e një argjendari që lëvizte çdo mëngjes me dy çanta të mbushura me flori dhe ora luksoze.
“Me thënë të drejtën nuk kisha bër nojherë grabitje, kisha dhe pak emocione, se bëhej fjalë edhe për shumë lekë për kohën që ishte atëherë. Edhe pranova. Sigurisht që pranova”.
Ai, ishte hapi i parë që vrau emocionet dhe fitoi gjakftohtësinë për krime kundër jetës…
“Mendohet se tek këta individë, ose nuk ekziston fare emocioni i dhemshurisë dhe i empatisë që do gjenerojë më pas pendesë edhe ndjenjë të fajit të sinqertë për dëmin e gjeneruar” -u shpreh Almeida Xhaferi, psikologel.
“Organizuesit, drejtuesit janë ata që kanë përgjegjësinë më të madhe penale, ndërkohë ndihmsit kanë përgjegjësi më të ulët, për shkak të rrezikshmërisë ekzektorët barazohen me organizatorët. Por gjithmonë mëndja e krimit është organizatori.” u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog.
Një akt i dhunshëm, i organizuar dhe me peshë të madhe financiare. Dumani nuk ishte më një hajdut makinash. Ishte pjesë e një strukture kriminale. Bashkë me Talo Çelën, Gentjan Sharrën dhe Ilirjan Feçin, ata organizuan grabitjen e argjendarit Lirak Bajraktari, në lagjen “Shën Koll”, Elbasan.
“Kemi zbrit nga makina unë edhe Ilirjan Feçi, edhe kemi dal për të pritur tek parkingu në rrugë, atë argjendarin, pasi ne nuk e dishim minutën fiks kur do vinte për të zbrit direkt nga makina. Edhe këto kanë prit pa më poshtë, për arsye që të jenë gati për të ik sa më shpejt. Kshu bëmë, unë kisha një levë në dorë. Isha me doreza me kapuç. E pashë atë, Ilirjani e njihte atë personin, edhe më tha ky është, duhet të shkoja ta godisja unë, po duhet t’i bija shumë shpejt. Ashtu bëra, unë i shkova nga mbrapa atij, ishte një burrë, moshën nuk di ta them, por ishte një burrë i madh. E kam godit disa herë, nuk e di sa herë fiks, saqë më ra leva nga dora, ndoshta nga forca që i rashë atij.”
Nuredin Dumani, tregoi forcë dhe vendosmëri përballë shokëve të rinj me të cilët do të shndërroheshin në një grup të frikshëm. Nuk hezitoi asnjë sekondë, nuk pati frikë, nuk u tërhoq por u tregua brutal.
“Në makinë ka qenë Talo Çela dhe Gentjan Sharra, mesa mbaj mend Talo Çela ka qenë shofer, ndërsa Gent Sharra pasagjer. Kemi ik tek shtëpia Talos, kemi ecur shumë shpejt.”
Disa ditë më vonë, vlera e asaj që kishin marrë u bë e qartë. Ishin 8.3 kilogramë flori, dhe rreth 30 ora. Një sasi që nuk mund të shitej kudo me zhurmën që prodhoi ngjarja.
“Ishin 8 kg e 300 gram flori. Floriri është shitur pas disa ditësh, 1 jave, 3 javësh ndoshta edhe një muaj, sepse nuk kishim ku ta çonim, se bëhej shumë zhurmë. Nuk mund ta blente kushdo, duhej të shkrihej. Unë e di, Iliri më tha që do ikte në Korçë me Fijen, me gruan e tij, edhe do gjenin një blerës atje. E kishte gjet një blerës, por vetëm për floririn, orat jo.”
Orat e luksit që ndodheshin në çanta u zhdukën. Ose, siç tha bashkëpunëtori i tij, “i hodhëm në lumë”. Por Nuredin Dumani nuk u bind kurrë. Ai besonte se orët nuk ishin humbur… vetëm kishin ndërruar duar.
“Ishte shit një kg flori me 12 milion lekë në atë kohë. Orat tha ai i kemi hedh, i kemi hedh në lumë, nuk i blente njeri. Faktikisht mu duk si muhabet kot ky, se i ndërronte orat shpesh ai, më thoshte i bleva 20 mij lekë, i bleva 30 mijë lekë. Unë mendova që ai nuk i kishte shit orat, edhe faktikisht nuk i kishte shit orat. Unë nga aty kam marrë 17 ose 18 milion lekë. Kjo ka qenë grabitja parë ke kjo…”
Në mungesë të provave, hetimi për ngjarjen u mbyll shpejt, pa asnjë të arrestuar. Por, një vit e gjysmë më vonë, në vitin 2012, një emër i përfshirë në këtë grabitje ra në pranga, Ilirjan Feçi. Ai u arrestua nga ish-Krimet e Rënda për trafik droge. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia i gjeti edhe disa ora floriri.
“Ky proces është një proces miks le të themi, pasi ka një kodifikim, një përcaktim në dispozitat e kodit të procedurës penale, në lidhje me mënyrën sesi funksionon bashkëpuntori i drejtësisë” u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.
“Në momentin që një bashkëpuntor pranon të tregojë ngjarjet kriminale për të cilat ai edhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminal kanë kryer ndër vite, sikleti më i madh i prokurorit është për të vlersuar sa i besueshëm është ky deklarim’- u shpreh Alfred Balla, avokat.
Hetuesit i lidhën orët me grabitjen e argjendarisë. Ilirjan Feçi u dënua, jo vetëm për trafik droge, por edhe për grabitjen e Elbasanit. Fakti i dënimit të tij pas zbulimit të orëve, është i pasqyruar edhe në dosjen e SPAK dhe përputhet pikë për pikë me rrëfimin e Nuredin Dumanit, që vendosi të flasë, 14 vite pas ngjarjes.
“Në qoftë se personat kanë lidhur një marrëveshje për kryerjen e veprave penale janë të gjithë bashkëpunëtor, pastaj se ccfarë roli këtë e zbardh hetimi dhe gjykimi.” u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog.
“Këto elementë të bëjnë të dyshosh që profili i personalitetit ka trajta të ccrregullimit të personalitetit antisocial. Duke qenë se këto sjellje me kalimin e viteve dhe me arritjen e moshës madhore, jo vetëm që nuk është përmirësuar sjellja komform normave sociale, por është përkeqësuar duke kryer edhe krime më të rënda’-, u shpreh Almeida Xhaferi, psikologe./TopChannel