Referuar përgjigjeve të mbërritura nga 22 bashki të vendit, përgjatë vitit të kaluar ato kanë shpenzuar rreth 57 milionë euro për pastrimin e qyteteve, por mbeturinat janë kudo.
Kështu, në krye të listës qëndron Bashkia Tiranë, më e madhja në vend, e cila thotë se përgjatë viteve 2020-2024 ka shpenzuar 13 mld lekë ose 130 mln euro, me një mesatare prej 26 mln euro në vit. Për të njëjtën periudhë, Bashkia e Tiranës mblodhi 100 mln euro nga taksa e pastrimit, ndërsa pjesa tjetër iu mbështet nga buxheti i shtetit.
Bashkia e Durrësit po ashtu shpenzoi 10 mln euro për pastrimin gjatë vitit 2024, nga të cilat 7.5 mln euro i siguroi nga të ardhurat e veta, ndërsa pjesa tjetër iu injektua nga buxheti i shtetit. Kjo bashki i tha “Inside Story” se ka trashëguar nga ndarja territoriale 4 venddepozitime ekzistuese, duke tejkaluar kapacitetin dhe duke u kthyer në një problem mjedisor. Nga këto, vetëm Porto Romano është rehabilituar, ndërsa të tjerat vijojnë të jenë ende të lira.
Ky është vend depozitimi i braktisur i Grykë-Minierës në Manëz. Siç shihet edhe nga pamjet, mbeturinat janë mbuluar me dhe, por problemi nuk është zgjidhur. Kjo bashki thotë se sapo ka lidhur kontratën me landfillin e Sharrës, i cili do të marrë për trajtim të gjitha mbetjet urbane bashkiake.
Kjo çon një hap të sigurt drejt përfundimit të zgjidhjes së aspektit të trajtimit të mbetjeve, duke përjashtuar përfundimisht mundësinë e përdorimit të tre vend depozitimeve të tjera ekzistuese, ku ndër to është edhe Grykë-Minierë Manëz. Do të punohet për ngritjen e një stacioni transferimi dhe njëkohësisht për rehabilitimin e 3 vend depozitimeve ekzistuese.
Pavarësisht shpenzimeve të larta për të pastruar vendin, një auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2024 ekspozoi krizën financiare me të cilat përballeshin katër bashkitë e monitoruara: Vlora, Korça, Shkodra dhe Durrësi. Më shqetësuese situata paraqitej në Durrës, ku KLSH ka gjetur se rreth 30% e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane. Referuar Kombeve të Bashkuara, ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15% të buxhetit. Sipas të dhënave të Bashkisë së Durrësit, pavarësisht shpenzimeve të larta, rreth gjysma e buxhetit shkon për paga dhe sigurimet e punonjësve.
“Qeveria shpenzon para për mjedisin, por një pjesë e mirë janë shpenzime operative, jo kapitale. Duket se shpenzojmë shumë, por kur fillon e analizon se ku shkojnë këto para, sheh që një pjesë e mirë shkojnë për paga punonjësish, shumë për turizmin, prodhojmë shumë dokumenta, shumë shkresa dhe paratë na ikin te këto shkresa dhe nuk ngelen te investimi në terren”-, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike.
Vështirësi për menaxhimin e mbetjeve ka edhe Bashkia e Shijakut. Për të fshehur dështimin, kjo bashki i hedh mbetjet në afërsi të fshatit Hardhishtë, një vend depozitim ilegal i krijuar së fundmi. Kjo bashki nuk iu përgjigj interesit të “Inside Story” në lidhje me situatën e menaxhimit të mbetjeve.



