Mbrëmjen e sotme, emisioni investigativ Fiks Fare transmetoi rastin e tre familjeve në fshatin Allgjatë, të cilat po përballen me ditët më të vështira, pasi banesat e tyre rrezikojnë të shemben për shkak të rrëshqitjeve të tokës të shfaqura pranë shtëpive, në zonën ku po ndërtohet autostrada Thumanë–Kashar.

Banorët tregojnë se prej javësh toka ka lëvizur ndjeshëm dhe çarjet janë thelluar dita-ditës, duke rrezikuar jetën e tyre. Megjithatë, sipas tyre, askush nuk u ka ofruar ende një zgjidhje konkrete.

Jemin Allgjata, së bashku me familjen e tij, atë të vëllait dhe të djalit, tregon se kanë marrë vetëm një njoftim nga Njësia Administrative Vaqarr, e cila u kërkon të lirojnë banesat, por pa u treguar se ku duhet të sistemohen. Ai shprehet se në zonë kanë ardhur përfaqësues të njësisë, policia dhe firma përgjegjëse për punimet, por takimet janë mbyllur vetëm me paralajmërime dhe jo me zgjidhje.

“Na thonë të dalim nga shtëpia, po ku të shkojmë? Ne kemi bagëti, kemi gjithë jetën këtu. Nuk na jep askush përgjigje”, tregon ai, ndërsa pranë banesave shihen çarje të mëdha të tokës.

Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan edhe me Njësinë Administrative Vaqarr. Administratorja, e cila nuk ndodhej në zyrë në momentin e takimit, fillimisht deklaroi se banorët duhet të largohen, pasi kështu ka njoftuar ARRSH-ja. Më pas shtoi se, sipas saj, banorët “nuk janë realisht në rrezik”.

Ajo pranoi se roli i njësisë ka qenë vetëm të përcjellë shkresën dhe se nuk ka informacion se ku duhet të strehohen familjet. Administratorja premtoi se do të rilidhet me kompaninë që kryen punimet për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për strehimin e tyre.

Ndërkohë, banorët mbajnë në dorë letrën që i urdhëron të braktisin shtëpitë, ndërsa askush nuk u ka treguar se ku mund të shkojnë. Situata mbetet e paqartë dhe familjet e Allgjatës vazhdojnë të jetojnë mes frikës dhe pasigurisë, në pritje të një përgjigjeje që ende nuk vjen.