Me arrestimin e Krymit, Nuredini e kuptoi që laku po ngushtohej. Ai u largua nga Elbasani, kaloi kufirin drejt Kosovës, ku fshihet dhe strehohet tek miqtë e “Alibejve”. Atje takohet me Arjan Spahiun.
“Vendosa me Arjan Spahinë, që të mos bëjmë atentate, mos bëjmë zhurmë shumë, që ta ndihmojmë Erjon Alibejn të dali nga burgu. Thashë OK në rregull. Bëj vetëm presione, që të vazhdojmë presionet, bëj shtëpinë e Talo Çelës, ta rrëzojmë shtëpinë e Talo Çelës”
Përmes Sky-it, Dumani urdhëroi Henrik Hoxhën të vendosë tritol te banesa dhe lokali i Talo Çelës. Shpërblimi: 20 mijë euro.
“Për këtë kam folur me Bes Xhixhën, për tritolin. I kërkova të më siguronte 5 kg tritol, ose dinamit, nuk e përcaktoj dot çfarë ka qenë. 5 kg. 2.5 me një vend edhe 2.5 me një vend tjetër për me lidhje. Edhe ja kërkova për me e bërë me lidhje që të ishte më e sigurt se me telekomandë.”
Vetëm gjysma e sasisë së eksplozivit shpërtheu…..Ata nuk arritën të shembin vilën. Pas arrestimit të “Krymit”, rivalët nuk po rrinin më duarkryq. 3 javë pas shpërthimit në banesën e Talo Çelës, ekzekutohet në Belgjikë Arjan Spahiu, njeriu kyç i grupit “Alibej”
“Kam pasur kontakt të vazhdueshëm me Arjan Spahinë, ishte koha kur flisnim edhe për transport kokaine, madje ka qenë një kohë që kishim çuar nga 100 kg kokainë, 200 kg, pra 200 ‘bukë’ i kishim çuar në Angli tek një lidhje që ishte e Arjan Spahisë, e realizuam daljen nga Evropa, e çuam në Angli mallin, por atje na humbi malli. Na ka humb pasi është vrarë Arjani.”
Dumani hetoi vetë për ekzekutimin e mikut të tij Spahiu. E kuptoi se ishte tradhti nga brenda. Nuhatja e tij, sërish nuk gaboi
“Fati, thoshte jo s’kam lidhje jo s’kam gjë. Në atë kohë, fliste edhe vetë Erjoni se kishte siguruar telefonin. E i thamë po s’ke gjë ti Fat, shko te policia edhe jep detaje, çfarë ka ndodhur, te policia belge. Edhe Fati atë bëri, po nuk doli më nga policia. Doli që kishte lidhje me atentatin që i kishin bërë Arjan Spahisë. Ky Fati kishte pasur kontakt me vëllezërit Çopja, po në të njëjtën kohë ka qenë shok i ngushtë me Arjan Spahinë”.