Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit, është krijuar një situatë alarmante për ekosistemin. Dhjetëra peshq dhe gaforre janë gjendur të ngordhur në brigjet e lagunës, pasi kanali që lidh lagunën me detin ka qëndruar i mbyllur prej javësh.
Ky kanal ka rol jetik për shkëmbimin e ujit dhe ruajtjen e gjallërisë së florës dhe faunës. Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura thonë se kanë njoftuar Bashkinë Divjakë që në qershor, por asnjë ndërhyrje nuk u është bërë në kohë.

Pamjet që sjell Fiksi nga laguna tregojnë një situatë të rëndë, me gjallesat e ngordhura në sipërfaqe dhe uji i ndotur. Ndërkohë, në pjesë të tjera të parkut, shihen flamengo, të cilat vazhdojnë të popullojnë zonën, por janë gjithashtu të rrezikuar nëse uji i detit nuk hyn në lagunë.
Për të parë situatën nga afër, grupi ynë i xhirimit u drejtua drejt kullës së vëzhgimit të ndërtuar për vizitorët dhe vrojtimin e shpendëve, por infrastruktura ishte e dëmtuar, urat prej druri të thyera dhe të kalbura, duke e bërë të pamundur ngjitjen.
Më në fund, në vendin ku ndodhet kanali, një mjet fadromë i bashkisë kishte mbërritur.
Një punonjës shprehet: “E nisëm punën para disa javësh, por u ndalëm. Ky mjet harxhon shumë naftë dhe nuk kishim mundësi ta furnizonim. Tani jemi rikthyer, se situata është rënduar.”
Një peshkatar në Lagunë u tregon gazetarëve se kanali ka qëndruar mbyllur gjatë gjithë verës.
“E kam parë me sytë e mi. Uji u bë i ndenjur, s’kishte më lëvizje, peshqit filluan të ngordhin. Tani shyqyr që po e hapin, por është vonë.”
Nga ana tjetër, Bashkia e Divjakës pranon se ka qenë në dijeni të situatës, por nuk kishte mundësi financiare për sigurimin e karburantit. Drejtori i komunikimit i kësaj bashkie, në një intervistë për emisionin Fiks Fare thotë se kanë qenë të njoftuar që në qershor për situatën, por nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë karburant për mjetin që kryen hapjen e kanalit.
“Kemi kërkuar ndihmë nga zonat e mbrojtura dhe institucionet përkatëse, por nuk e përballuam dot. Vitet e tjera situata nuk ka qenë kaq e rënduar. Tani kemi nisur ndërhyrjen dhe do përpiqemi që ta mbajmë të hapur kanalin në vazhdim”,– thotë ai.