Këtu jemi në një tjetër vend-depozitim të braktisur, pak kilometra më tej, në Orikum. Ai ndodhet buzë rrugës nacionale Vlorë -Sarandë, në breg të Lumit të Dukatit, vetëm 900 metër nga deti Adriatik. Në këtë vendgrumbullim janë depozituar mesatarisht 9000 ton/vit mbetje urbane. Në afërsi të vend depozitimit shtrihen zonat e mbrojtura mjedisore të Karaburunit.

Sipas të dhënave zyrtare, Vlora gjeneron rreth 54 mijë ton mbetje në vit, ndërsa ekspertët flasin për një shifër të frikshme që vendosen në këtë venddepozitim ilegal në zemër të Vlorës.

“Në 2021 vetë pika e grumbullimit kishte jo më pak se 600 mijë ton mbetje, ndërkohë që çdo vit Vlora gjeneron 40 mijë ton për 4 vjet i bie 160 mijë ton që i janë shtuar gjendjes fillestare”-, u shpreh Niko Dumani, ambientalist/PPNE Vlorë.

Bashkia e Vlorës është një ndër përfitueset më të mëdha të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në kuadër të projekteve të Rilindjes Urbane dhe programit të zhvillimit të rajoneve me rreth 80 milionë euro financime. Por, kaq shumë para’ duket se nuk kanë mjaftuar që kjo bashki të gjejë zgjidhje për mbeturinat.

Në kulmin e sezonit turistik kjo fushë mbetjesh u pushtua nga zjarret. Vatra u aktivizua të paktën 3 herë gjatë qershorit, 1 herë në gusht dhe hera e fundit ishte në muajin tetor. Vetë autoritet thonë se zjarret janë të mbartura prej vitesh pasi është arritur kapaciteti maksimal i këtij vengrumbullimi. Ekspertët dyshojnë se zjarret në vendgrumbullime janë të qëllimshme, pasi autoritet nuk kanë më vende se ku ti hedhin mbetjet.

“Kapaciteti i menaxhimit ishte vështirësuar jashtë mase dhe filluan ti djegin po djegia është në mirëkuptim të heshtur jo nga të jashtëm por nga vetë punëtorët. Ka një mirëkuptim të heshtur se janë në kushte të vështira, qëllimisht për të zvogëluar sasinë e mbetjeve me qëllim që të lejohet menaxhimi i tyre të makinave e shkarkojnë aty”-, u shpreh Niko Dumani, ambientalist/PPNE Vlorë.

Ndërmarrja e Pastrimit thotë se ka ndihmuar për një zgjidhje të përkohshme, sic janë sistemimet e mbetjeve inerte dhe mbulimi i vatrave të zjarrit me inerte që prej datës 30 prill 2025. Zyrtarisht, kjo datë përkon me mbylljen formale të venddepozitimit. Pra, aty nuk do të duhej të hidhej më asnjë kamion me mbetje.

Mirëpo gjatë një vizite që Inside Story zhvilloi në fillim të muajit tetor në këtë vendgrumbullim, konstatoi se venddepozitimi nuk ishte mbyllur plotësisht. Siç edhe dëshmohet nga pamjet, kamionë të bashkisë të ngarkuar me mbetje të ndryshme, ndonëse me një frekuencë më të rrallë, ende vijnë të derdhin mbeturina të llojeve të ndryshme në këtë mal gjigand mbetjesh.

“Sot identifikova që atje hidheshin edhe mbetjet inerte, që e vështirësojnë shumë dhe Vlora ka një fsuhë tjetër të mbetjeve inerte dhe kjo gjendje do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”-, u shpreh Niko Dumani, ambientalist/PPNE Vlorë.