Një qytetare ka denoncuar në emisionin Fiks Fare një stomatolog, duke pretenduar se i vendosi dy implante dentare në një kockë që nuk ishte e përshtatshme për t’i mbajtur. Sipas saj, ndërhyrja rezultoi e pasuksesshme, ndërsa prej tetë vitesh nuk ka marrë as zgjidhje dhe as rimbursim të shumës së paguar.

Lindita Laçi tregon se në vitin 2018 iu drejtua klinikës së stomatologut Skerdi Sulaj për vendosjen e një proteze dentare. Ajo thotë se mjeku i sugjeroi vendosjen e dy implanteve, duke i garantuar se pas gjashtë muajsh do të vendoseshin edhe dhëmbët. Kur u rikthye në klinikë, iu kërkua të priste edhe gjashtë muaj të tjerë. Më pas, sipas saj, mjeku nuk e pranoi më në klinikë dhe trajtimi mbeti i papërfunduar.

Qytetarja pretendon se implantet ishin jofunksionale, pasi nuk ishte kryer një ekzaminim i plotë për të vlerësuar nëse kocka e saj mund t’i mbante ato. Për këtë rast ajo iu drejtua Urdhrit të Stomatologut, i cili mori masë disiplinore ndaj mjekut, duke i dhënë “vërejtje me paralajmërim” dhe duke e detyruar të kryente studime plotësuese të barasvlershme me 20 kredite.

Laçi thotë se, megjithëse ekziston kjo masë disiplinore, mjeku nuk i ka kthyer shumën prej 1 200 eurosh që ajo pagoi për ndërhyrjen. Ajo e ka çuar çështjen edhe në gjykatë, por sipas saj, prej pesë vitesh ende nuk është marrë një vendim.

Gazetarët e Fiks Fare tentuan disa herë të merrnin një reagim nga stomatologu. Vizita e parë në klinikë rezultoi pa sukses, pasi u tha se mjeku nuk ndodhej aty. Të nesërmen, pas një telefonate nga klinika, gazetarët u pritën nga bashkëshortja e stomatologut, e cila kërkoi që biseda të zhvillohej pa kamera. Pas refuzimit të gazetarëve, ajo telefonoi avokaten dhe kërkoi largimin e tyre nga ambientet e klinikës, pa dhënë informacion se kur mund të takohej mjeku.

Edhe tentativa e tretë për ta takuar rezultoi e pasuksesshme, pasi recepsionistes i ishte kërkuar të mos lejonte hyrjen e gazetarëve në klinikë.

Në fund, redaksia i dërgoi një e-mail stomatologut, duke i kërkuar të jepte shpjegime mbi pretendimet e pacientes, funksionalitetin e implanteve, ekzaminimet e kryera para ndërhyrjes dhe zbatimin e masës së vendosur nga Urdhri i Stomatologut. Deri në transmetimin e kronikës, ai nuk ka kthyer përgjigje.