Fiks Fare denoncoi një tjetër problematikë për ndërtimin e HEC-eve, kësaj herë në zonën e Martaneshit, në Bulqizë.

Grupi i emisionit Fiks Fare u rikthye në këtë vend pas plot 7 vitesh e gjysmë, ku në muajin qershor 2018, u denoncua shkatërrimi i një sipërfaqe të stërmadhe me pyje e kullota nga firma “Teodori 2003”. Në atë kohë, banorët u ankuan se firma po devijonte ujërat nga Baseni Ujor Mat në Basenin Ujor Drin – Bunë. Por, për devijimin e ujërave, duhet të ketë leje nga Këshilli Kombëtar i Ujit.

Në verën e vitit 2018, institucionet vendore dhe ato qendrore ndërprenë punimet, duke gjetur shkelje të shumta në zbatimin e një marrëveshje koncesionare që firma kishte marrë nga qeveria në vitit 2013. Por, 7 vite e gjysmë më pas, e njëjta firmë ka rifilluar punimet në zonë, duke hapur në muajin gusht dhe shtator, një tunel të gjatë, duke hapur trase dhe kanale të gjata për devijimin e ujit.

Banorët thanë për Fiksin se kjo është një shkelje e madhe, pasi firma s’ka leje, ka shfrytëzuar një leje për zonën e Bulqizës, por që nuk mund të prekë ujërat e Martaneshit, duke qenë se është Basen Ujor Mat dhe duhet të ketë leje nga ky basen. Madje, ata thanë se firma s’ka as leje ndërtimi dhe sipërfaqja që ata kanë punuar ende nuk është hequr nga fondi pyjor-kullosor i Bulqizës.

Gjithashtu banorët pohuan se firma nuk ka asnjë dëgjesë publike me zonën e Martaneshit, pavarësisht se po u merr ujërat plot 5 fshatrave të kësaj krahine.

Tunele, trase dhe gërmime në një sipërfaqe të madhe!

Pas protestave dhe ankesave, grupi i Fiksit shkoi në afërsi të liqenit të Sopajt, apo edhe në disa përrenj afër këtij liqeni, gjithmonë pjesë e Basenit të Matit. Në filmime, edhe me dron, duken gërmime në një sipërfaqe të madhe pa asnjë tabelë punimesh. Ishte hapur tuneli, trasetë apo edhe kanalet. Po tentohej të merrej uji nga Liqeni i Sopajt.

“Ne kemi edhe disa HEC-e këtu të vegjël që i kemi marrë lejet te Baseni i Matit. Vjen tani një tjetër dhe na merr ujërat në një sipërfaqe të madhe. Këtu te ne janë plot 250 hektarë me tokë që vaditen nga ai ujëmbledhës. Përse nuk ndërhyjnë”, thotë një banor i zonës.

Fiksi bisedoi edhe me Administratorin e Njësisë Martanesh, Gentian Koxheri, i cili tha se firma s’ka asnjë leje për të marrë ujin nga Baseni i Matit për ta devijuar në Basenin Drin – Bunë. Sipas tij, banorët janë ngritur me të drejtë në protestë dhe se disa zyra të Bashkisë së Bulqizës i kanë vendosur edhe një gjobë për punime pa leje. Madje, firma s’ka bërë asnjë dëgjesë publike me banorët e zonës.

Fiks Fare ka siguruar disa dokumente, nga Drejtoria e Pyjeve në Bashkinë Bulqizë, e cila ka bërë inspektim dhe e ka gjetur me shkelje firmën “Teodori 2003”. Sipas një dokumenti, inspektorët kanë konstatuar gërmime në mënyrë të paligjshme dhe prerje të pemëve. Më pas, është bërë një vlerësim i dëmit në fondin pyjor, ku firma është gjobitur me 145 milionë lekë, ose rreth 1.5 milionë euro. Inspektorët e pyjeve i kanë kërkuar ndihmë edhe policisë, por asnjë masë nuk është marrë deri më tani, pasi punimet vijojnë.

Baseni i Matit: S’ka leje nga KKTU për devijim ujërash

Gazetarët e Fiks Fare u interesuan edhe te zyrat e Basenit Ujor Ishëm-Erzën-Mat nëse ky basen i ka dhënë ndonjë leje firmës “Teodori 2003” për devijimin e ujit në basenin Drin-Bunë. Drejtori tha se “firma s’ka leje nga ky Basen dhe se ato ujëra janë të Basenit të Matit”. Sipas tij, për devijimin e këtyre ujërave duhet të ketë leje nga Këshilli Kombëtar i Ujit dhe në dijeninë e tij, firma s’ka marrë një leje të tillë.

Ai u tha gazetarëve të Fiks Fare se ka bërë një inspektim ditët e fundit dhe janë gjetur të njëjta problematika me ato që konstatoi edhe grupi i xhirimit të Fiksit. Pjesë e grupit të kontrollit kanë qenë punonjës të Basenit Ujor të Matit, por edhe një punonjës i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Sipas tij, është pikërisht AMBU e cila duhet të marrë një vendim, nëse ka ndërtime pa leje apo edhe vepër penale.

Fiksi shkoi edhe te AMBU, por punonjësit thanë se duhet kërkesë me shkrim. Redaksia i dërgoi disa pyetje me e-mail nëse i është dhënë ndonjë leje firmës ‘Teodori 2003” për të përdorur dhe devijuar ujërat e Matit, nëse ka leje ndërtimi apo nëse është marrë ndonjë masë ndaj këtij subjekti. Deri në transmetimin e këtij investigimi, AMBU nuk ktheu përgjigje.

Fiksi kontaktoi në telefon me një numër telefoni, të publikuar si pjesë e kontaktit në QKB, nga firma “Teodori 2003”. Në mungesë të një telefonate nga punonjësja, Fiks Fare i dërgoi një kërkesë me shkrim, ku firma thotë se po zbaton vendimet e KRRTRSH-së, sot KKT-së.

Por, Drejtori i Basenit të Matit tha se nuk ka një leje nga KKTU për devijim të ujërave! Ky drejtor tha se s’ka leje për shfrytëzimin e ujërave, ndërsa firma iu përgjigj Fiksit se “ka një leje mjedisore dhe leje të shfrytëzimit të rezervës ujore të vitit 2013”.

Fiksi fare i rikërkoi “Teodori 2003” lejet e KKTU-së, por firma nuk ua  vuri në dispozicion! Firma shkruan se pengesë për përfundimin e projektit janë bërë autoritetet lokale dhe vendore. Bashkia e Bulqizës dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, kanë bërë bllokimin e punimeve.

‘Teodori 2003” shkruan se i është drejtuar edhe Gjykatës Administrative për bllokimin e punimeve, gjykatë e cila thotë se ka vendosur në favor të tyre. Fiksi ka mësuar se vendimi i gjykatës bën fjalë për bllokimin e punimeve nga Bashkia e Bulqizës në pjesën e basenit të Drin Bunës dhe jo në Basenin e Matit.