Vazhdojnë denoncimet ndaj tregtares Adile Gjeleshi, e cila akuzohet nga disa fermerë se u merr produktet bujqësore dhe blegtorale pa u dhënë pagesat e premtuara. Pas rastit të transmetuar më herët, ku një banor nga Kuçova denoncoi se i ishin marrë pula dhe vezë pa u likuiduar, situata mori zgjidhje vetëm pas ndërhyrjes së “Fiks Fare”. Sipas denoncimit, pas transmetimit në emision, tregtarja shkoi në Kuçovë dhe i ktheu paratë rritësit të pulave të detit.

Por një tjetër rast është bërë publik së fundmi. Një banor nga Belshi pretendon se prej muajit korrik nuk ka marrë pagesën për vajin e ullirit që i ka dorëzuar të njëjtës tregtare. Sipas tij, shuma e papaguar arrin në rreth 500 mijë lekë. Ai shprehet se jeton me ato të ardhura bashkë me bashkëshorten dhe se është përballur me justifikime dhe premtime të vazhdueshme pa rezultat. Banori thotë se nuk i është drejtuar policisë për shkak të pamundësive ekonomike për të ndjekur procese gjyqësore, ndërsa shpreson që rasti i tij të marrë zgjidhje përmes ndërhyrjes së Fiksit.

Në një komunikim telefonik mes denoncuesit dhe zonjës Gjeleshi, kjo e fundit i është drejtuar atij me fjalët: “Po më çove edhe ti te Fiksi, veç në varr i merrni lekët.”

Më pas, gazetarja ka tentuar të kontaktojë zonjën në fjalë për një ballafaqim e takim sqarues. Fillimisht, ajo ka pranuar të takohet të nesërmen në orën 10:00, duke shprehur edhe pakënaqësi pse, sipas saj, nuk ishte ballafaquar më parë. Por ditën e caktuar ajo nuk është paraqitur në takim.

Në një tjetër komunikim me gazetaren, ajo ka deklaruar: “Ti do të më nxjerrësh në televizor, por nëse e bën, do të të nxjerr edhe unë ty, se edhe unë kam njerëz.”

Madje, sipas gazetares, ajo ka shtuar se do të shkojë në Top Channel “të pijë barin e miut”. Banori nga Belshi thotë se ndodhet në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se çdo ditë pret një përgjigje apo shlyerje të detyrimit.