Në fshatin Savër të Lushnjës, mes varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës, një grua 62-vjeçare me probleme të shëndetit mendor jetonte mes pasigurisë dhe mungesës së kujdesit. Historia prekëse e familjes Vasiu u transmetua në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku motra e pacientes, Valbona Vasiu, kërkoi ndihmë pasi tha se nuk kishte më mundësi të kujdesej për të.
Valbona tregoi se motra e saj ka lindur me probleme të shëndetit mendor dhe për shumë vite kishte jetuar në Krutje të Vogël me vëllain e tyre, i cili gjithashtu vuante nga probleme të ngjashme. Pas vdekjes së tij, ajo u detyrua ta merrte motrën në shtëpinë e saj në Savër.

Sipas Valbonës, para një viti e gjysmë motra ishte shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit për trajtim më të specializuar, ku qëndroi për rreth një vit.

“E çova në Elbasan, aty e mbajtën një vit e pak. Tani nuk kam mundësi ta mbaj më. Motra merr 12 mijë lekë të vjetra KEMP, por ne jemi 6 pjesëtarë në familje. Kërkoj që ta marrë shteti, se unë nuk e mbaj dot,” rrëfeu mes lotësh Valbona Vasiu.
Ajo tha se jeton vetëm me një pension prej rreth 10 mijë lekësh të vjetra dhe se kushtet ekonomike janë tepër të rënda. Përveç mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve, situata rëndohej edhe më shumë nga gjendja e motrës, e cila herë pas here largohej nga shtëpia dhe bëhej agresive.

Pas transmetimit të rastit, reagoi edhe Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lushnjë. Drejtoresha e shërbimit social, Anila Çela, deklaroi se institucioni ishte në dijeni të problemeve sociale të familjes dhe se do të ndërmerrte menjëherë vlerësimin e rastit për të gjetur një zgjidhje.
“Familja ka probleme të shumta sociale dhe të shëndetit mendor. Pas vënies në dijeni nga ana juaj, ne do të bëjmë vlerësimin social dhe më pas do të flasim për strehimin e pacientes në një institucion të përshtatshëm,” u shpreh ajo.
Ndërhyrja e “Fiks Fare” solli edhe zgjidhjen përfundimtare. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror në Tiranë mori masa për strehimin përfundimtarë të pacientes në një shtëpi sociale, duke i dhënë fund vuajtjeve dhe pasigurisë së familjes. E lehtësuar, Valbona falënderoi publikisht emisionin për ndihmën.
“Kisha kohë që kërkoja zgjidhje, por vetëm ju më ndihmuat,” – tha ajo.
