Një qytetare nga Vlora i është drejtuar emisionit investigativ Fiks Fare duke pretenduar se bashkëshorti i saj ka paguar mijëra euro për pajisjen me një licencë transporti me Sicilinë, por pas shtatë vitesh nuk ka marrë as dokumentin e premtuar dhe as kthimin e parave. Sipas saj, nëpërmjet një miku të përbashkët janë njohur me Artur Pengilin, i cili u kishte premtuar se mund të siguronte një licencë për linjë transporti me Sicilinë, qoftë për furgon apo autobus. Për këtë shërbim, familja ka paguar shumën prej 5 mijë eurosh, për të cilën është hartuar edhe një deklaratë ku përcaktohej se pagesa bëhej për kryerjen e procedurave të licencimit.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar shtatë vite, licenca nuk është siguruar dhe paratë nuk janë kthyer. Qytetarja kërkon ndërhyrjen e Fiks Fare për të rikuperuar shumën e dhënë.

Gjatë një takimi të zhvilluar mes çiftit dhe Artur Pengilit, ky i fundit pranon se ka një detyrim ndaj tyre dhe shprehet se do t’ua kthejë paratë, por kërkon më shumë kohë, duke argumentuar se ka pasur probleme shëndetësore. Në bisedë del në
pah se shuma e dhënë nuk ka qenë 5 mijë euro, por 8 mijë euro, fakt që Pengili e pranon, duke shtuar se “ajo çështje ka marrë fund”, por se paratë do të kthehen.

Nga ana tjetër, një bashkëpunëtor i Fiks Fare e telefonon Pengilin duke u interesuar për një licencë transporti. Fillimisht ai premton se do të konsultohet me persona të tjerë dhe do të kthejë përgjigje. Më pas, i kërkon bashkëpunëtorit t’i dërgojë patentat dhe kartën e identitetit, dokumente që i dërgohen. Ky komunikim ngre dyshime se ai vazhdon ende të merret me këtë aktivitet.

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë më pas në biznesin e Artur Pengilit, një lokal në zonën e Ali Demit në Tiranë. Sapo përballet me kamerën, ai refuzon të japë shpjegime, duke deklaruar se e di arsyen e pranisë së gazetarëve dhe duke u
kërkuar atyre të largohen. I pyetur se me cilat institucione bashkëpunonte për nxjerrjen e licencave, Pengili nuk jep përgjigje konkrete, duke thënë se gazetarët “e njohin shumë pak”. Ai premton se pas datës 15 maj do të japë
dokumentacionin dhe sqarimet përkatëse.

Ndërkohë, ai përsërit se do t’ua kthejë paratë qytetarëve që pretendojnë se janë dëmtuar financiarisht nga kjo histori.