Fiks Fare denoncoi se një qytetar, Klodjan Gjikdhima, u mbajt “peng” disa javë në burg, pas një gabimi të njerëzve të drejtësisë (prokurorit dhe OPGj-së), të cilët e arrestojë megjithëse e kishte mbaruar dënimin. Klodjani qëndroi disa ditë në dhomat e shoqërimit dhe më pas në burgun e Kosovës në Lushnjes, ku vetëm pas 1 muaji prokuroria “kujtohet” se e kishte kryer dënimin.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua 43 vjeçari Klodjan Gjikdhima, i cili tha se e kanë arrestuar dhe mbajtur peng për disa javë, megjithëse dënimin e kishte kryer. Ai pohoi se në fund të muajit shtator 2025, disa punonjës policie civil i kanë shkelmuar derën e banesës në zonën e Freskut në Tiranë, ku banon sëbashku me bashkëshorten shtatzënë, në muajin e 9-të. Policët i kërkuan nëse kishte armë në banesë, teksa e shoqëruan pa i shpjeguar arsyen për në Dhomat e Shoqërimit, pranë burgut 302 në Tiranë. Më tej pohon se në ato Dhoma është mbajtur disa ditë, nuk ka dalë për masë sigurie në gjykatë dhe më pas është transferuar në Burgun e Kosovës, në Lushnje.

“Nuk e di përse më arrestuan, ose më saktë më mbajtën peng. Unë jam dënuar më datë 10 korrik 2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tirane dhe vendimi është lënë në fuqi më datës 29 shkurt 2024 nga Gjykata e Apelit. Jam dënuar me 3 vite e 4 muaj burg. Më pas jam liruar në datë 14 maj 2024 nga IEVP Burrel, ‘me plotësim kohe’” shton ai.
Fiks Fare siguroi shkresën e lirimit, ku është e gjithë ecuria e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet që kam pasur në burg. Në atë shkresë shkruhet “plotësim kohe”, madje e kanë liruar në orët e pasdites, orë në të cilën e kanë arrestuar.

Klodjani thotë se vetëm në burg ka mësuar se është arrestuar për të njëjtin dënim, që e kishte kryer. “Më arrestuan në fund të muajit shtator 2025, me forcë në banesë, në sytë e gruas shtatzënë. Prishën derën dhe erdhën civilë. Më mbajtën në qeli disa javë dhe më liruan në datë 17 tetor 2025 nga IEVP Lushnje, pasi e kisha kryer dënimin” thotë ai.
Te urdhri i lirimit të dytë, i datës 17 tetor shkruhet se “Klodjan Gjikdhima e ka kryer dënimin dhe është liruar në maj 2024”.

Por, kush mban përgjegjësi? “Mua më morën peng, po sikur ti kishte ndodhur diçka bashkëshortes sime kush mban përgjegjësi?” thotë ai.
Qytetari telefonon oficerin Taulant Nako që është marrë me çështjen e tij. Ai i thotë se përse u arrestua, kur e kishte kryer dënimin dhe tashmë ishte i pafajshëm. Oficeri i thotë se “shumë mirë që dole i pafajshëm”, teksa qytetari i thotë se ishte për të njëjtin dënim që e kishte kryer.
“Pse më kërkon mua llogari, urdhrin e arrestimit e nxori prokurori”– i thotë oficeri.
Fiks Fare u interesua pranë IEVP Lushnje, ku mësojmë se urdhri për lirimin e dytë, ai i datës 17 tetor ka ardhur nga Prokuroria e Tiranës.

Fiksi kontaktoi me Prokurorinë e Tiranës, e cila në përgjigje shkruan se, pas verifikimit të praktikës rezulton se në datë 1 mars 2024, është dërguar shkurtimi i vendimit nga Prokuroria e Apelit, i paarsyetuar. Më pas ka dalë urdhri i ekzekutimit në datë 8 mars, vendim i cili i është dërguar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku Gjikdhima ishte në qeli.
Më pas, në datë 2 shtator 2025, Gjykata e Tiranës ka vënë në dispozicion vendimin penal, tashmë të zbardhur. Dy ditë më vonë, doli edhe urdhri i ekzekutimit.

Prokuroria e Tiranës shkruan se, sa më sipër, i njëjti urdhër është nxjerrë sërish dhe i është drejtuar po sërish të njëjtave institucioneve (Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtoria së Përgjithshme të Burgjeve).
Në përgjigje, Prokuroria e Tiranës shkruan se më datë 2 tetor Klodjani është ndaluar sërish, për të vajtur të njëjtin dënim që e përfundoi. Ai është mbajtur deri më datë 7 tetor në Bllokun e Sigurisë.
Çuditërisht, akuza shkruan se gjatë këtyre ditëve, nuk ka pasur asnjë kërkesë nga familjarët, Klodjani apo nga oficerët që kanë kryer arrestimin lidhur me pretendimet për ekzekutimin e dënimit. Më pas, ai është pranuar nga Burgu u Lushnjes! Në këtë burg ai ka paraqitur pretendimet. Në datë 13 tetor 2025, Burgu i Lushnjes i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës sqarimin e ndalimit. Prokuroria ka marrë kohë dhe në datë 17 tetor 2025, kjo akuzë i shkruan burgut se; nëse rezulton se dënimi është i kryer dhe nëse jemi përballë kësaj situate, të veprohet sipas parashikimeve ligjore. Po në datë 17 a është liruar nga burgu i Lushnjes!
Fiksi e pyeti Prokurorinë e Tiranës edhe për mënyrën e arrestimit me forcë. Sipas saj, përgjegjësia për mënyrën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatave, kontrolli banesës etj. është kompetencë e Policisë së Shtetit dhe jo e institucionit tone dhe ne nuk jemi përgjegjës për veprimet operative.
Por, kush mban përgjegjësi për këtë burg të padrejtë?! Prokuroria e Tiranës shkruan se “të gjitha veprimet që kanë ndodhur janë realizuar në përputhje me legjislacionin”.
