Një pallat në lagjen nr. 3 të qytetit të Laçit, i dëmtuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, është rikonstruktuar me probleme serioze, duke ngritur shqetësime të mëdha te banorët.

Ata denoncojnë në Fiks Fare se punimet janë kryer në mënyrë të papërgjegjshme dhe jashtë çdo standardi, ndërsa në njërën prej hyrjeve banorët detyrohen të përkulen për të hyrë në pallat, pasi soleta është ndërtuar aq ulët sa u përplas kokën.
Banorët e pallatit 93/3 thonë se objekti nuk është rikonstruktuar siç duhet, pavarësisht fondeve të akorduara pas tërmetit. Sipas tyre, nuk janë bërë përforcime të plota të themeleve, një pjesë e mureve vazhdojnë të jenë të çara dhe izolimin e tarracës e kanë bërë vetë me shpenzimet e tyre.

“Na thanë që pallati u rikonstruktua, por problemet janë po aty. Në hyrje nuk futesh dot pa ulur kokën. Muret janë ende të plasaritura dhe askush nuk mban përgjegjësi”, shprehen banorët për kamerën e Fiks Fare.

Qeveria shqiptare i akordoi Bashkisë Kurbin fondin prej 56 milionë e 930 mijë lekësh për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në këtë territor. Në nëntor të vitit 2020, Bashkia Kurbin lidhi marrëveshje me bashkimin e operatorëve “NG Struktures shpk” dhe “ARENA MK shpk”, të cilët fituan tenderin për rikonstruksionin e objekteve.

Afati për përfundimin e punimeve ishte 12 muaj, çka do të thotë se pallatet duhej të dorëzoheshin në vitin 2021. Por edhe pse kanë kaluar gati 6 vite nga tërmeti dhe 5 vite nga nisja e punimeve, objektet ende nuk janë marrë në dorëzim nga bashkia.

Pas denoncimit të Fiks Fare, në terren mbërriti drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë Kurbin, Iris Tahiraj, e cila inspektoi problematikat së bashku me grupin e xhirimit. Ajo deklaroi se pallati ndodhet ende në fazën e komisionimit dhe nuk është marrë në dorëzim nga bashkia.

“Do ta shohim objektin bashkë me mbikëqyrësin dhe firmën për të zgjidhur situatën”, tha ajo, ndërsa shmangu pyetjen se përse pallati nuk është dorëzuar ende pas kaq vitesh.

E pyetur nëse banorët kishin bërë më herët ankesa pranë bashkisë, drejtoresha u përgjigj “Tani që e solli Fiksi , ne jemi këtu dhe do të sjellim inxhinierët e firmës për të bërë riparimet e nevojshme”.

Banorët nderkohë kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe verifikim të plotë të cilësisë së punimeve, pasi thonë se jetojnë çdo ditë me frikën se pallati mund të ketë probleme serioze strukturore.