Prej ditësh segmenti rrugor Librazhd–Qafë Thanë qendroi i bllokuar, duke izoluar juglindjen e vendit dhe duke detyruar qytetarët të përdorin rrugë alternative përmes Maqedonisë së Veriut ose nga Moglica, segmente që zgjasin deri në pesë orë për të mbërritur në kryeqytet.

Shkak për këtë situatë u bë shembja e urës ekzistuese, gjatë kohës që po punohej për zgjerimin e këtij aksi kombëtar. Fillimisht ura pësoi çarje, ndërsa më pas u ndërmor si masë emergjente hapja e një rruge alternative ngjitur me të. Por edhe kjo ndërhyrje rezultoi e pasuksesshme, pasi segmenti alternativ u shemb po ashtu.
Pamjet me dron tregojnë lumin e gërryer pranë urës, zhvendosje masive dheu dhe dëmtime të shinave të trenit si pasojë e rrëshqitjes së terrenit.

Gjeologu Sazan Guri e cilëson situatën si një katastrofë të paralajmëruar. Sipas tij, ndërhyrjet në shtratin e lumit pranë urës dhe në një zonë me kthesë të theksuar kanë qenë shkaku kryesor i destabilizimit të terrenit.

“Si mund të jepet leje për gërryerje në një pozicion të tillë, pranë urës dhe hekurudhës? Kjo është arsyeja kryesore e rrëshqitjes së dherave,” shprehet ai, duke shtuar se sot nuk bëhen më oponenca gjeologjike si më parë. Sipas Gurit, është e domosdoshme që Shërbimi Gjeologjik Shqiptar të kryejë oponencë të detyrueshme për projekte të tilla madhore.

Por i pyetur nga Fiksi, drejtori i IKMT Elbasan deklaron se firmat që kanë kryer gërryerje janë të pajisura me leje dhe se inspektimet kanë treguar se ato nuk kanë dalë jashtë koordinatave të miratuara. “Nuk dimë pse ka ndodhur kjo situatë, por gërryerjet janë brenda koordinatave,” shprehet ai.

Segmenti në fjalë, pjesë e Lotit 4, përfshin tre procedura tenderuese: Projektimi, me fond limit 53 milionë lekë, fituar nga kompania “Infraconsult shpk”, që përfshin edhe studimet topografike dhe gjeologjike.

Zbatimi i punimeve, me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë, ose me këmbimin e sotëm valutor, mbi 25 milionë euro fituar nga kompania “A.N.K”.

Supervizimi, me fond 24 milionë lekë, nga “A & E Engineering”.
Administratori i firmës projektuese, Redi Struga, deklaron se kompania e tij ka realizuar projektin dhe studimin, por nuk mban përgjegjësi për zbatimin apo për gërryerjen e lumit. Ai pranon se nuk është bërë oponencë nga gjeologjia dhe thekson se kompania e tij ka qenë vetëm në fazën e projektimit, jo në supervizim.

Fiksi iu drejtua edhe Shërbimit Gjeologjik ku drejtori deklaron se institucioni nuk ka pasur dijeni zyrtare për projektin dhe se dokumentacioni nuk ka ardhur për oponencë, siç ndodhte më parë.
“Ligjërisht ne nuk e dinim që atje po ndërtohej një rrugë. Nuk kemi arkivë, nuk na sjellin dokumente për arkivim. Nuk dimë ku po gërmohet dhe sa po gërmohet,” shprehet ai.

Edhe urbanisti Imeld Selimi ngre disa pikëpyetje serioze se pse ndodhi kjo situatë. A janë kryer sondime të plota gjeologjike? Pse nuk u përforcua rruga ekzistuese gjatë ndërtimit të segmentit të ri? Pse muret mbajtëse nuk janë me beton të armuar?A u bë studim për ngritjen e kantierit?A u parashikuan skenarë emergjence?
Sipas tij, nëse këto hapa do të ishin ndjekur siç duhet, situata mund të ishte shmangur.

Fiksi iu drejtua edhe ARRSH-së për të marr disa përgjigje, por përfaqësuesit e këtij institucioni nuk dhanë një përgjigje zyrtare, duke deklaruar se drejtori ndodhej në terren. Ndërkohë, pas shembjes së rrugës kanë nisur shpime dhe matje gjeologjike në terren, siç deklaron vetë kreu i institucionit.

Por këto matje po kryhen pasi rruga u shemb dhe pasi punimet kishin nisur prej kohësh, ndërkohë që, sipas ekspertëve, ky duhet të kishte qenë hapi i parë para nisjes së çdo projekti.
Shembja e segmentit Librazhd–Qafë Thanë ka ngritur dyshime të forta mbi cilësinë e studimeve, kontrollin institucional dhe mënyrën e zbatimit të një projekti me vlerë miliona euro.