Ofrimi i të gjitha shërbimeve për dhënien e dokumentave online, e ka vështirësuar marrjen e tyre për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.

Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se që prej datës 1 Maj shërbimet në sportelet shtetërore do të hiqeshin për t’u zëvendësuar më pas me aplikime në e-albania, për t’i dhënë kështu fund ryshfeteve dhe radhëve të gjata.

Për të marrë një dokument me vulë elektronike qytetarëve u duhet të shkarkojnë më parë aplikacionin në një telefon smart phone dhe më pas të aplikojnë. Por shumë qytetarë të moshave të ndryshme flasin për kameran e Fiks Fare se nuk dinë ta përdorin si aplikacion dhe hasin vështirësi në aplikimet që u nevojiten.

Punonjës të gjendjeve civile thonë se qytetarët kanë vështirësi, por duhet t’i drejtohen kancelarive për ta marrë si shërbim, edhe pse nuk është e lejueshme nga këto biznese. Edhe pse ky aplikacion u mendua të ndërtohet për të shmangur ryshfetin, Fiks Fare  konstatoi raste të shumta kur qytetarët ishin gati të ofronin para vetëm që dikush të bënte kërkimin online apo regjistrimin në e-albania, për të mundësuar marrjen e dokumentit. Hapja e disa qendrave të cilat ofrojnë shërbime e-albania me çmime të ndryshme është një tjetër problem i cili është rritur që prej datës 1  Maj 2022.

Nga vëzhgimet që bashkëpunëtorët e Fiksit bënë, rezultoi se në kancelari ky shërbim ofrohej kundrejt pagesës 100-300 lekë të vjetra. Ndërsa në zyra avokatie për hapjen e aplikacionit dhe aplikimin për një dokument, kërkonin 2000 lekë të reja.

Në noteri pranohet që ky shërbim kryhet, por është i dënueshëm me ligj. E-albania është një markë e cila është e regjistruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe gjithashtu portali ku shërbimet publike ofrohen pa kosto.

Vetë ISHMT me datë 9 Maj 2022 thotë se shërbimi i marrjes së dokumentit nga e-albania në subjekte të cilat e kanë kthyer në biznes, duke përdorur këtë logo, dënohet me gjobë nga 100.000 lekë, deri në 500 000 lekë.

Të paktë janë ato biznese që kryerjen e këtij shërbimi online e kanë të afishuar në banerat reklamues të subjekteve të tyre, por për të shmangur masat që mund të merren kundret tyre, në vend të logos prezantohen si Zyrë shërbimi.