Shirat e rrëmbyeshëm të muajit janar kanë dëmtuar rëndë rrugën që lidh disa banesa në fshatin Rrapë, Njësia Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Prej më shumë se gjashtë muajsh, banori Qazim Dana detyrohet të kalojë në një shteg të ngushtë dhe të rrezikshëm për të hyrë në shtëpinë e tij, pasi rrëshqitjet e tokës kanë gërryer pjesën kryesore të rrugës. Qazim Dana tregon se prej mbi 30 vitesh ka përdorur të njëjtën rrugë për të hyrë në banesë, por pas reshjeve intensive të janarit kalimi me automjet është bërë i pamundur, ndërsa edhe lëvizja në këmbë paraqet rrezik. Sipas tij, situata është veçanërisht shqetësuese në rast emergjencash, pasi asnjë mjet nuk mund të arrijë pranë banesës.

Pas denoncimit në emisionin Fiks Fare, gazetarët iu drejtuan fillimisht Njësisë Administrative Luftinjë. Administratori i njësisë, Aristotel Malka, konfirmoi se institucioni është në dijeni të problemit dhe se kërkesat për ndërhyrje i janë përcjellë Bashkisë Memaliaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkisë Memaliaj shpjeguan se dëmtimi i rrugës së familjes Dana është vetëm një nga rastet e shumta të shkaktuara nga fenomenet natyrore të muajit janar. Sipas zyrës së urbanistikës, janë kryer verifikime në terren dhe është kërkuar asistencë nga specialistë të gjeologjisë, por procedurat për studime të thelluara dhe mungesa e fondeve kanë vonuar ndërhyrjen.

Zyrtarët e bashkisë deklaruan se për realizimin e projektit përfundimtar nevojiten studime të detajuara gjeologjike, preventivë financiarë dhe mbështetje nga institucionet qendrore. Ndërkohë, pas ndërmjetësimit të Fiks Fare, u arrit dakordësia për një zgjidhje të përkohshme që do t’i mundësojë familjes kalimin në këmbë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.

“Faleminderit Fiks Fare. Jam i kënaqur me këtë zgjidhje provizore dhe uroj që institucionet ta mbajnë fjalën”, u shpreh Qazim Dana në përfundim të kronikës.