Fiks Fare ka denoncuar në kohë dhe vijimësi gënjeshtrat, abuzimet dhe shtesat e fondeve për ndërtimin e Rrugës Qukës – Qafë Plloçë.

Një rrugë që nisi në vitin 2009 dhe ende sot e kësaj dite vijon të “hajë” para. Disa muaj pas inaugurimit, rruga shembet. Gurë të mëdhenj dhe inerte bien në trupin e rrugës!

Kur u hap dhe a mirëmbahej ky segment?

Në muajin gusht 2025, Bashkia e Pogradecit tha se “loti i fundit i rrugës, ‘Qukës – Qafë Plloçë’, prej 9.3 km, është gati në përfundim. Inxhinierët e kompanisë 2T bëjnë me dije se këtë të shtunë asfaltohen 400 metrat e fundit”. Deri në atë kohë, s’kishte asnjë informacion nëse firma 2T kishte fituar tenderin e lotit 3. Firma në fjalë ka qenë nënkontraktore e një firme të huaj, teksa loti 3 u la për shumë vite pa bërë asnjë punim.

Koha kaloi dhe në datën 5 shtator 2025, rruga u inaugurua. Sërish, me këngë dhe valle. Disa javë pas inaugurimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar, hapi një tender me vlerë 32 milionë lekë, për mirëmbajtjen e rrugës. Fitues doli kompania 2T, me vlerë 29 milionë, oferta më e lartë në atë procedurë. Oferta më e ulët ka qenë 21 milionë lekë.

Fituese doli e njëjta firmë, e cila u zgjodh me procedurë të dyshimtë, për të vijuar punimet në lotin 3. Firma 2T, vijonte të kryente punimet në lotin 3 edhe pas inaugurimit, pasi ende nuk kishte bërë skarpatat dhe s’kishte elementë sigurie.

Sipas ARRSH-së, për lotin e tretë, fondi limit ka qenë 50 milionë dollarë, nga të cilat vetëm 25 milionë ishte e përfshirë në Marrëveshjen e Kredisë. Pjesa tjetër u plotësua nga Marrëveshja e Re e Kredisë, e datës 10 gusht 2022.

Nga 50 milionë që ishte fondi i parashikuar, shuma për lotin e tretë ka shkuar në plot 66 milionë USD! Pavarësisht shtesës së fondit me 16 milionë USD dhe fondit të mirëmbajtjes së rrugës, një pjesë e lotit të tretë u shemb. Punimet me shpejtësi dyshohet se shkaktuan edhe shembjen.

Sa zgjati ndërtimi dhe sa kushtoi rruga?!

Fiks Fare ka denoncuar herë pas here të gjithë aferën e ndërtimit të rrugës. Në tetor të vitit 2020, Fiks Fare investigoi dhënien pafund të fondeve për rrugën Qukës – Qafë Plloçë, e cila nisi në vitin 2009 dhe ende s’kishte përfunduar. Rruga është e gjatë 43 kilometra dhe duhet të kushtonte 150 milionë USD. Tashmë kostoja ka shkuar më shumë se 260 milionë USD dhe do të tjera para’.

Në datën 14 tetor të vitit 2020, Fiks Fare denoncoi shtimin e fondeve të aksit rrugor Qukës – Qafë Plloçë. Rruga u premtua në vitin 2009 në prag të zgjedhjeve të atij viti parlamentare nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të deklaronte se “rikthejmë rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera“. Gjatë mandatit të tij të dytë 4-vjeçar, u shtruan vetëm 3 kilometra rrugë të aksit Qukës-Qafë Plloçë.

Por, edhe gjatë mandateve të qeverisë aktuale, rruga nuk përfundoi, pasi projekti ka ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, kryeministri Edi Rama tha se “ky është një nga projektet e Saliut me probleme të mëdha inxhinierike”. Dy vite më vonë, në muajin janar 2018, ministrat e atëhershëm të Financave dhe Infrastrukturës, Ahmetaj dhe Gjiknuri, shkuan në këtë segment rrugor dhe “premtuan” se “rruga përfundon në vitin 2019. Projekte me shumë probleme, në terren shumë të vështirë”.

Fondet shtesë për plotësim punimesh!

Në datën 6 shkurt 2025, 54 muaj pas denoncimit të parë, Fiksi shkoi sërish në atë rrugë, pasi ARRSH-ja hapi një tjetër tender me objekt “plotësim i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë”. Sipas dokumenteve, fondi ishte 335 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro. Në relacionet shpjeguese, ARRSH thotë se ka bërë një verifikim të punimeve të mbetura në Lotin 0″.

Në janar 2025, ARRSH shpalli fituesin e këtyre punëve shtesë. Fituese e kësaj procedure doli kompania “ALBAVIA”. Oferta më e ulët në këtë tender ishte me vlerë 202 milionë lekë, teksa firma fituese “ALBAVIA” ofroi 246 milionë lekë, ose 44 milionë më shumë se oferta më e ulët. Por, dy firmat që afruan më pak u s’kualifikuan nga ARRSH.

Sipas vetë ARRSH-së, fituesi i këtyre punimeve shtesë, firma ALBAVIA, ka një kontratë me ARRSH-në për ndërtimin e lotit 1, që ka filluar në vitin 2014 dhe ende s’ka përfunduar. Firma duhet ta bënte lotin 1 në muajin qershor 2018. Pra, nga njëra anë firmës i shtohen fondet për lotin që ka në ndërtim dhe nga ana tjetër del fituese e një tenderi të ri sërish për Qukës – Qafë Plloçë.

Vetë ARRSH, në përgjigje për Fiks Fare, thotë se “projektet e para gjatë implementimit janë konstatuar në studime empirike, pra të përgjithshme, dhe jo të detajuar sidomos për veprat e artit, tunelet si dhe mbrojtjen e skarpateve”. Sipas saj, gjurma konsistonte në zona rrëshqitëse, me nivel të lartë të ujërave nëntokësorë dhe me morfologji variabël dhe të paqëndrueshëm të terreneve malorë.