Fiks Fare denoncoi neglizhencën e përfaqësive diplomatike në disa shtete, të cilat bëjnë vetëm letra dhe nuk ndihmojnë një qytetar që jeton dhe banon në shtetin e Nikaraguas, në Amerikën Qendrore, të cilit i ka skaduar pasaporta dhe nuk vjen dot në Shqipëri.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Aleksandër Dardha, i cili thotë se prej 6 vitesh jeton në atë shtet, ku ka krijuar edhe familje. Për shkak të problemeve familjare, ai nuk ka tashmë një pasaportë, por vetëm letra të rregullta nga Nikaragua.
“Jam një shtetas shqiptar që jetoj në Amerikë. Punoj e jetoj kam familjen time. Mua më është djegur pasaporta dhe kam kontaktuar me Ambasadën Shqiptare në Nju Jork. Kam qëndruar 3 ditë dhe s’e kanë hapur telefonin. Pas 3 ditësh ka dalë një grua duke bërtitur duke thënë se ne jemi ‘për punë politike në Amerikë’, s’jemi ne për me bë pasaporta”, thotë Aleksandri.
Më pas ka kontaktuar me Ambasadën Shqiptare në Brazil.
“Kam marrë 2 herë leje kalimi, të tëra. Jam bërë gati për të prerë biletën dhe më kanë thënë që në aeroport kjo s’vlen as për të shkuar në banjo me të. I kam shkruar Ambasadës Italiane që është këtu në Nikaragua dhe më kanë thënë që kjo nuk vlen për të hyrë në territorin europian. I kam shkruar Ambasadës Spanjolle dhe e njëjta gjë. Më thonë po shkruajmë me Ministrinë e Jashtme Shqiptare që është në Tiranë. E njëjta punë dhe s’më kanë kryer punë, vetëm duke gënjyer. Ka shkuar vëllai te ajo në Tiranë që bëjnë pasaporta dhe i kanë thënë se ne u japim vetëm pasaporta atyre diplomatëve, ndërsa shqiptarëve të tjerë nuk i ndihmon kush. As u intereson nëse janë gjallë apo vdekur. Ju lutem më ndihmoni”, pohon ai, teksa ka kontaktuar me diplomatët shqiptare në Brazil.
Ai ka marrë një leje kalimi nga Ambasada Shqiptare në Brazil, leje e cila i është dhënë në muajin tetor të vitit 2025. Ka biseduar disa herë me diplomatët në Brazil, të cilët vetëm e kanë orientuar që të bëjnë letra, e-maile.
“Kontakto vetë me Drejtorinë Konsullore në Ministrinë e Jashtme. U kam shkruar dhe unë po ndoshta do jenë pushim”, i thotë diplomati.
Pas disa muajsh heshtje, kontakti i fundit i Aleksandërit me Ambasadën Shqiptare në Brazil ka ndodhur në ditët e para të janarit. Kjo ambasadë i kthen një përgjigje se “lejekalimi është dokument i vlefshëm vetëm për një udhëtim në Shqipëri”.
Sipas saj, me të nuk mund të dilet nga aeroportet e tranzitit. Lejohet vetëm një tranzit në vendet e zonës shengen! Bashkëlidhur, ambasada i jep edhe përgjigjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, ku i shkruan se një zyrtar italian ka kthyer përgjigje se leja e kalimit mundëson udhëtimin e drejtpërdrejtë për në Shqipëri, pa u futur në territorin italian!
Pra, vetëm këmbime letrash dhe e-mailesh. Aleksandri ka vetëm një kërkesë që të vijë në Shqipëri. Fiks Fare mori kontakte si me Ambasadën Shqiptare në Brazil ashtu edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europën në Shqipëri. Ambasada na tha se përgjigjen do t’a marrim në ministri, teksa kjo e fundit na shkruar se leja e kalimit është një dokument emergjence për një hyrje në Shqipëri.
Qytetarit i janë lëshuar 2 leje kalimi dhe njërën e ka ende të vlefshme. Ministria sugjeron një itinerar Nikaragua – Panama – Itali – Shqipëri! Madje shkruan se, qytetari s’ka pse të dalë në tranziti. Por, a nuk kanë përfaqësues Ambasada Shqiptare në Romë apo Konsullata Shqiptare në Milano?! Përse nuk urdhëron një nëpunës të shkojë në Aeroport në momentin që Aleksandri të kalojë në tranzit? Kaq të vështirë e paskan që të dalin në terren?!
Aleksandri nuk do të shkojë në Itali për pushime! Ai kërkon një zgjidhje reale, pasi në aeroporte dhe sidomos kur je tranzit, ndodhin vonesa, anulime, ndryshime linjash apo edhe mungesë biletash. Ky është një rast specifik, pasi bëhet fjalë që shtetasi shqiptar të kalojë në disa tranzite, madje është në një vend që Shqipëria s’ka as ambasadë, konsullatë dhe asnjë gjë tjetër. Në vend që të dërgojë një zyrtar për t’a shoqëruar, këta zyrtarë merren vetëm me shkresa. Madje, s’hapin as telefonin!
Ky është një nga ato raste që përmendi edhe kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, se në “Ministrinë e Jashtme, përveç ministres dhe sekretares, s’punon askush”.





