Në raportet përfundimtare, Prokuroria e Tribunalit të Hagës dhe më pas Prokuroria Speciale në Hagë, së fundi, nuk gjetën asnjë provë të mjaftueshme për ta përfshirë “shtëpinë e verdhë” në aktakuzat zyrtare.
Një tjetër segment shqetësues për mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë dhe funksionin që duhet të kryejë ajo, është treguar në media nga zyrtarë serbë në momente sinqeriteti.
“Nuk ishte Dick Marty ai që e bëri, ishte Zyra e Prokurorit të Shtetit Serb, kështu që jam i kënaqur sepse përpjekja jonë nuk ishte e kotë. Vetë themelimi i kësaj gjykate speciale është tashmë një sukses shumë i madh për ne. Dua të them që kryeprokurori Williamson na ftoi në qendër të atij tymi hetimor në Bruksel dhe nga ata 400 dëshmitarë serbë, mendoj se rreth 100 u morën si dëshmitarë. Pra, ky është rezultat i punës. Unë them ku filloi, pastaj raporti i Dick Marty, pastaj Williamson dhe tani Gjykata Speciale për UÇK-në. Ky është një sukses dhe e gjitha fryt i punës sonë, janë emrat e dëshmitarëve. Kryeprokurori i Speciales mori 400 dëshmitarë në zyrat tona.”, tha kryeprokurori serb.
“Themelimi i gjykatës ka qenë një imponim nga ana e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, nën ndikimin rus dhe serb. Është një proces tërësisht i padrejtë që është i shtyrë nga politika, që është kundër interesave të Kosovës. Nuk ka gjykatë tjetër në botë që është themeluar vetëm për një nacionalitet, siç është themeluar Gjykata Speciale në Hagë”, u shpreh Skënder Musa, avokat i akredituar në Hagë.
Gjykata Speciale ka në juridiksion krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera midis 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000. Kjo mund të ishte një mundësi e mirë për të përfshirë në proces edhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, por aktualisht nuk ka asnjë çështje të tillë.
“Sot që është formuar ajo gjykatë, është duke shkelur Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që është gur themeli i Këshillit të Evropës”, u shpreh Adri Nurellari, politolog.
“Gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë ka kryer Serbia me platformë të qartë nën udhëheqjen e shtetit, presidentit të vendit në atë kohë, Millosheviç”, u shpreh politologu Enver Bytyçi.


