Një histori e rëndë, që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shtetit ligjor, është denoncuar pranë redaksisë së Fiks Fare nga një familje nga Durrësi.
Prej gati dy vitesh, një baba biologjik dhe gjyshërit nuk arrijnë të takojnë fëmijën 7-vjeçar, pavarësisht se disponojnë një vendim gjykate të formës së prerë që u njeh këtë të drejtë. Gjyshja e miturit tregon me dhimbje se nipi i saj është larguar plotësisht nga jeta e familjes së të atit. Sipas saj, gjykata ka vendosur që fëmija të ketë kontakte të rregullta jo vetëm me babain, por edhe me gjyshërit, por vendimi nuk është zbatuar asnjëherë.
“Na e ndalon nëna. Kemi shkuar në përmbarim, kemi shkuar edhe me polici, por askush nuk merr përgjegjësi”, shprehet ajo.
Gjyshja mohon kategorikisht çdo pretendim për dhunë apo abuzim ndaj fëmijës dhe thekson se familja kërkon vetëm ta takojë të miturin, jo t’ia heqë nënës.
Grupi i Fiks Fare u interesua edhe pranë nënës së fëmijës, e cila deklaroi se i mituri nuk dëshiron të takojë babain dhe gjyshërit. Ajo pretendon se po e çon fëmijën në seanca psikologjike për ta ndihmuar të afrohet me ta, ndërsa këmbëngul se ai është dhunuar dhe se është sëmurur sa herë ka qenë tek gjyshërit. Nëna pretendon se fëmija është kthyer në shtëpi me shenja dhune, ndërkohë që refuzoi të japë shpjegime të mëtejshme lidhur me akuzat për abuzim seksual, për të cilat nuk ka një vendim të formës së prerë.
Në Zyrën e Përmbarimit, përmbaruesi pranoi se vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar. Sipas tij, është kërkuar ndihma e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe e policisë, por pa rezultat.
“Nga sa kemi konstatuar, fëmija ndikohet nga nëna”, u shpreh përmbaruesi, duke shtuar se edhe me praninë e policisë nuk është bërë e mundur realizimi i takimeve.
Edhe Shërbimi Social i Bashkisë Durrës pranon se rasti është i njohur. Përgjegjësja e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve deklaroi se fëmija ka ndjekur seanca psikologjike deri rreth një vit më parë, por më pas nëna nuk e ka sjellë më. Sipas saj, përderisa në vendimin e gjykatës nuk është përcaktuar ndjekja e rastit nga shërbimi social, institucioni nuk ka kompetencë të ndërhyjë, duke ia kaluar përgjegjësinë përmbarimit. Në përfundim, të gjitha institucionet bien dakord në një fakt: fëmija nuk lejohet nga nëna të takojë babain dhe gjyshërit, jo sepse është vërtetuar dhuna, por për shkak të refuzimit të saj. Ndërkohë që institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, një fëmijë rritet pa kontakt me të atin dhe gjyshërit, ndërsa një vendim gjykate mbetet thjesht një letër, pa fuqi reale zbatuese.


