KAMBER VELAJ


Të burgosurit politikë deklaruan të enjten mbrëma në “Top Story” se do të digjnin njëri-tjetrin, ose do të digjnin veten me benzinë, nëse qeveria nuk i dëgjonte. Të gjithëve na u duk e tepruar dhe e pabesueshme. Të hënën në mëngjes, Gjergj Ndreca u spërkat me benzinë e shoku i tij i ngushtë ia dha shkëndijën që kërkonte. Atë ditë, shokët e tij thanë se do të vazhdonin me planin B, sipas të cilit në çdo dy ditë, një grevist do të digjte veten me benzinë. Arrestimi i Pal Shtjefnit e ngatërroi radhën e përcaktuar në një listë nga grevistët dhe në vend të tij dje i vuri flakën vetes Lirak Bejko. Plani B është ende në fuqi. Sipas listës, radhën për t’u djegur i gjallë e ka Agim Kollçaku. Por ky u dogj rëndë dje duke u përpjekur të shuante flakët në trupin e Lirak Bejkos dhe ndodhet në spital, i pamundur për të respektuar radhën. Fati ka sjellë në radhë Xhemal Zhurin. Sipas planit, duhet të digjet të premten, pra dy ditë pas Lirak Bejkos.


Sot, jetën e tij e ka në dorë qeveria, e cila mund të gjejë një zgjidhje, minimalisht duhet të kërkojë një “armëpushim”, duke hyrë në bisedime me grevistët. Deri dje nuk pamë asnjë shenjë se qeveria do të ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim. Kryeministri foli për herë të parë për grevën dhe nuk dha asnjë shpresë për zgjidhje. Ai tha se qeveritë e tij kishin dhënë “100 milionë dollarë lekë (!)” për ish të burgosurit. Ishte një lapsus si ai pas 21 janarit, kur për të mbështetur gënjeshtrën që kishte rënë tashmë për sulm me armë ndaj Kryeministrisë, tha para gazetarëve se në muret e ndërtesës kishte shenja të sulmit me “plumba bomba molotov(!)”. Lapsusi, që nuk duket aspak si lapsus dhe mënyra se si ai foli dje, nuk lë shkas të mendosh se qeveria do të bëjë diçka për ta shpëtuar nga djegia Xhemal Zhurin. Vetë Xhemali nuk mund ta ndalë zinxhirin, tani që dy prej shokëve e kanë mbajtur fjalën.


Ambasadorët e Perëndimit janë angazhuar të gjejnë një zgjidhje dhe ata janë një fije shprese për të mos e djegur Xhemalin. Por kjo nuk është në dorën e tyre. Ata mund të negociojnë, mund të ushtrojnë presion, por aq sa mund t’u lejohet ambasadorëve. Për të shpëtuar Xhemalin nga djegia ka edhe një zgjidhje të fundit. Kjo zgjidhje është reagimi i njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, atyre që së paku, nuk duan të shohin më skena llahtari në lajme. U japim apo jo të drejtë ish të burgosurve, nëse së paku na dhimbsen, le ta prishim rutinën e një dite e të dalim nga shtëpitë, me duar në xhepa, për të thënë se ne nuk e duam këtë që po ndodh. Kanë mbetur vetëm 24 orë kohë për të shpëtuar Xhemalin. Ne, ti që po lexon këto radhë, ke pjesën tënde të përgjegjësisë për të shpëtuar Xhemalin. Kanë mbetur edhe 24 orë. Do të lëvizim, apo do ta djegim edhe Xhemalin?