ARTAN MULLAJ
Frazën “Koshienca e numrave” e mora seriozisht disa kohë më parë, në emisionin “Debat” të Alfred Pezës, ku isha i ftuar në panelin e gazetarëve përballë kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Si një parti e vogël, por jo e parëndësishme në spektrin politik shqiptar, sipas Idrizit, koalicionet, marrëveshjet, aleancat e saj do të bëhen duke pasur parasysh “koshiencën e numrave”.
Koshiencë e numrave për partitë e vogla do të thotë bërja prej tyre e koalicioneve, bazuar në përfitimin më të madh të mundshëm elektoral që ofron Kodi Zgjedhor. Nga kjo strategji rrjedhin kalkulimet. Këto përcaktojnë, motivojnë, justifikojnë aleancat me partitë e tjera, bazuar jo aq në vizionin apo misionin e tyre, se sa në përfitimin elektoral. P.sh, si pohon shkarazi Idrizi, PDIU është e gatshme të bëjë një aleancë me LSI-në, jo për shkak të përafrimit ideologjik që kanë projektet e tyre, por sepse, një koalicion me LSI, do ta favorizonte edhe atë, edhe LSI-në në përfitimin e përbashkët të sa më shumë mandateve.
A janë në të drejtën e tyre? Padyshim. Pragu elektoral i partive të vogla është “kufiri i jetës” në politikë. Kauza e tyre është “të jesh a të mos jesh”. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm PDIU-në e Idrizit. Gjinushi, Milo, Ndoka, Ceka, Dule e të tjerë, iu duhet të kompensojnë vogëlsinë e tyre me pehlivanllëqe apo me shkathtësi përllogaritjesh. Kur je i vogël, askush nuk t’i paragjykon lakmitë.
Për të qenë, për t’u mbushur me frymë, të vegjlit zgjedhin të futen në ombrellat e partive të mëdha, duke i përzgjedhur ato instinktivisht. Them instinktivisht, sepse ambicia e tyre për pushtet është ajo që përcakton përzgjedhjet, me kë, me sa, përse. Por këtu ka një problem! Arsyeja dhe morali në këto zgjedhje, për fat të keq, nuk janë kritere. E vërteta është që ato e shohin “marrjen pjesë” në politikë si një biznes, prej të cilit mund të fitohet kollaj. Idrizi nuk shqetësohet se Meta ka vulën e nxehtë të korrupsionit, stampuar në ballë, mjaft që bashkimi me të t’i japë një mandat më shumë PDIU-së. Njëlloj edhe të tjerët. Për këto parti, integriteti nuk është kusht. Kusht është pjesa e premtuar e pushtetit.
Akrobacitë e Ndokës së demokristianëve shpjegojnë se si funksionon “garnitura” në spektrin tonë politik. Duke u hedhur sa në njërin, aq në tjetrin krah, Ndoka synon të shuajë frikën e përhershme se nuk meriton të jetë as andej, as këtej, madje askund në politikë. Mungesa e një vizioni për prosperitet elektoral, duket qartë në këto grupime njerëzish që quhen parti politike, por që nuk janë të tilla. Pasi hyjnë në një koalicion fitues, ndodh që zhyten pa frena në llum dhe zhvillojnë një korrupsion sa të shëmtuar, aq qesharak. Njëlloj mund të themi edhe për Mediun e Gërdecit apo edhe Ilir Metën e videos. Përkohshmëria në pushtet iu jep atyre njëfarë ngutje drejt ndotjes. Në aleanca me të mëdhenjtë, ato zhvillojnë korrupsion jo të zakontë. Kujtojmë këtu se shumë titullarë të LSI-së janë përfolur në opinionin publik si pushtetarë me duar të pista. Për “të vegjlit” e politikës, nuk ka rëndësi kush është çfarë. Rëndësi ka të jenë në pushtet me çdo kusht: “Nëse djalli është hipur në pemë, bëhemi shok me të për të mbledhur kokrrat. Nëse Berisha shkatërroi Shqipërinë, punë e madhe. Dy-tre deputetë do t’i kemi. Nëse Meta ka një bllok në dorë, por shumë para nëpër xhepa, kaq mjafton për ta pranuar në sofër. Ajo çfarë është e rëndësishme në koalicione nuk është morali. As historia. As e shkuara. As mëkatet. As korrupsioni. As pasuritë e shkatërruara apo jetët e humbura. Ajo që ka rëndësi është pushteti. Të mirat e tij. Përfitimet pas tij. Paratë. Paçka se kjo ndotje morali, kjo koshiencë, ky pazar do të shkojë në kurriz të votuesve të thjeshtë, që edhe për shkak të kalkulimeve, qeverisen keq e mos më keq.
***
Kalkulimet e të mëdhenjve kanë tjetër përmasë, por të njëjtat parime. Politikanët kryesorë të tranzicionit e dinë se duhet të kujdesen fort për imazhin. Ata nuk mund të shpërfillin moralin. Nevoja natyrale e politikanëve të panatyrshëm për të shitur veten si engjëj në publik edhe kur nuk janë të tillë, shpjegojnë shëmtinë e demagogjisë që ka pushteti te ne. Shpjegojnë mashtrimet e tyre! Zgjedhjet në Shqipëri janë një proces mjaft më i komplikuar se një betejë lufte, ku zakonisht përplasen potencialet fizike dhe artet ushtarake të palëve. Në zgjedhje, palët karikojnë gjithçka grupimet vullnetare mund të sigurojnë brenda tyre. Është një superbetejë me pushtet dhe për pushtet. Përballen strategjitë, mllefet, babëzitë, urrejtjet, psikologjitë dhe fantazitë. “Koshienca e numrave” për partitë e mëdha, është pjesë e kësaj përballjeje. Prandaj nuk mund të mos llogaritësh pasojat që do lërë në perceptimin publik një bashkim i pamoralshëm.
Meqë jemi këtu, ç’mund të thuhet për bashkimin e PS-së me LSI-në?
Së paku, rezulton të jetë i dobishëm. Dy forca të majta, që për shkak të përçarjes e kanë lënë Berishën në pushtet dy mandate rresht, do jenë shumë pranë fitores së përbashkët, nëse do të kenë po kaq afër vullnetet e tyre. Ky po që do të ish një kalkulim spektakolar. Rama dhe Meta, do fshinin me të njëjtin sfungjer kusuret e së shkuarës dhe do të shtrëngonin duart për të festuar atë që Meta ndau me partinë e Berishës katër vite më parë. Dhe Berisha del në pension. Meta ka rastin të pastrojë fushëbetejën e luftës me ndërgjegjen e tij, duke filluar më në fund të jetë në pushtet, jo thjesht për para dhe pushtet si ka qenë deri tani, por vërtet këtë herë edhe për integrimin e vendit.
Shtrohet pyetja: A është i këshillueshëm ky kalkulim për bashkimin e dy partive të majta? Vetiu vjen edhe pyetja tjetër: A është i mundshëm ky bashkim? Nëse LSI do të jetë sërish faktor në zgjedhje, cila do të ishte preferenca e saj? Mendimi mbërrin si kometë te Berisha. Pse? Sepse, nëse nuk e ndritën me integrimin, kjo nuk do të thotë se kupola e LSI-së nuk doli e fituar dhe e dhjamur nga koalicioni i deritanishëm me PD-në. (vetë krerët e vlerësojnë si “bashkëpunim të suksesshëm”) Së dyti, në çdo rast, nëse LSI-a e nxjerr “bythën” në ankand për një karrige, është e qartë se Berisha do të ofrojë çmim më të lartë. Pse? Sepse Rama ka një opozitë të persekutuar ekonomikisht prej 8 vitesh nga regjimi i Berishës, kështu që nuk do të mund t’i japë LSI-së aq sa Berisha me të tijtë, që i rrjedh yndyra turinjve, do mund t’i afrojnë. Nëse në 2009-n i dha 20 për qind të pushtetit, Berisha do t’i ofrojë LSI-së 30, 40, ndoshta më shumë, mjaft që të jenë në pushtet, për të çuar në fund misionin historik për shkatërrimin e plotë të Shqipërisë. Së treti, Meta, edhe ky, njëlloj si Berisha, e ka aq të kalitur babëzinë për pushtet sa të kuptojë që me Ramën konsekuent në bashkëqeverisje do lindin shumë shpejt problemet. Dy krerët e së majtës nuk kanë mendime të njëjta për shumicën e çështjeve, ndërsa me Berishën, Meta u ndje mirë, qetë edhe ngrohtë, si veshka në mes të dhjamit, edhe për shkak të ngjashmërisë së tepruar që kanë në mënyrën e tyre të të menduarit.
A duhet pra Partia Socialiste ta llogarisë LSI-në si partnere në kauzën për të fshirë nga skena Berishën? Më e pakta ajo duhet ta bluajë mirë këtë gjë. Nëse PS shkon të hyjë në zgjedhje, duke i dhënë prioritet kalkulimeve apo koshiencës së numrave, një gjë është e sigurt. I duhet doemos ndihma e Zotit që të fitojë. Përndryshe, meqë ndihma e Zotit në këto punë asnjëherë nuk është e sigurt, më shumë se të humbë kohë me llogari dhe kalkulime, ajo duhet të krijojë strategjinë e frymës. Ç’do të thotë kjo? Opozita duhet të besojë realisht, sinqerisht, domosdoshmërisht faktin se në shoqërinë njerëzore asgjë nuk frymëzon më shumë se morali. Kauza për të mund t’i bashkojë njerëzit në frymë dhe në turmë. Jo llogaritë. Le të bëjë mazhoranca kalkulime dhe llogari dhe le ta ketë gati thesin e parave dhe thesin e mashtrimeve për në fushatë! Le të ketë në krah LSI-në dhe LSI-të. Shqiptarët mund të jenë të lodhur dhe të varfër, por ata kanë fisnikërinë e mjaftueshme për të mbështetur një zhvillim cilësor në favor të jetës së tyre; ky zhvillim është stina e premtuar e “së drejtës” dhe e ndershmërisë. Njerëzve të thjeshtë do t’ju shkëlqejnë sytë sikur opozita të jetë një opsion i besueshëm në këtë lloj përkushtimi. Nëse shohin tek opozita fuqinë politike që do të vijë në pushtet jo për të vjedhur e shkretuar, siç ka bërë Berisha dhe Meta, por për të ndërtuar integritet, besim edhe shpresë tek qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, kjo gjithashtu do të thotë FRYMË. Slogani RILINDJA i Partisë Socialiste duhet të nënkuptojë frymë, jo kalkulime. As pazare. Frymën e krijon besimi. Në zgjedhjet e 2009-s, mbi 80 mijë emigrantë shqiptarë, si kurrë ndonjëherë, vërshuan nga Greqia drejt kufijve të Atdheut, jo për shkak të kalkulimeve, por për shkak të frymës që mbolli tek ta vizioni i shpallur atëherë i Edi Ramës për një shoqëri më të mirë dhe më të shëndetshme. Fryma, si një shkulm i padukshëm do të rrëmbejë shpirtrat e njerëzve në një shpërthim të fuqishëm që do shkatërrojë barrierat e barbarëve dhe do të sjellë shpresën për një RILINDJE të re.