“Konfliktet sjellin zhvillim, e rëndësishme është të kursehen jetë njerëzore”.


Kjo është më shumë se e vërtetuar nga historia botërore, dhe po ta themi më shqip ndoshta përkthimi i duhur është “lumi para ecën dhe, merr me vete edhe sfratet e ngritura për ta penguar”.


Këto janë ditë kur shumë prej nesh janë të dëshpëruar. Në 93 vitet e jetës time, rëniet kanë ardhur e shkuar. Zhvillimi është rikthyer gjithmonë dhe përsëri do të vijë“. Kështu është deklaruar John Daviso Rockefeller Sr., për rënien e madhe  (Great depression) të vitit 1929-1930. Këtë pranoi dhe e mbajti si shpatë në programin e tij FDR (Franklin Delano Roosevelt, president i SHBA nga 1933 deri në vitin 1945, presidenti më i votuar i SHBA me një qasje sociale të justifikuar si krijimi i shtetit të mirëqënies sociale). Programi “Kursi i ri”,  i FDR, nuk ishte as më shumë e as më pak, ringritja (në çdo artikull dhe studim mbi atë kohë është njohur vetëm me termin ringritje) e ekonomisë amerikane dhe sigurimi i mirëqënies sociale. Ajo që bëri FDR ishte që e nisi nga përmirësimi dhe zhvillimi i shtetit të mirëqënies sociale me në fokus shtresën e ulët, të mesme të ulët dhe të mesme. Duke krijuar një standart të përmirësuar për këto shtresa, “Kursi i Ri” bëri të mundur që pretendimet e shtresave më të ulëta të shoqërisë të rrisnin pretendimet, të cilat ushtronin presion për çdo shtresë më të lartë respektive.


Analogjia me SHBA gjatë “Rënies së Madhe” (The great depression)nuk do të thotë aspak se mund të pretendojmë të arrijmë të njëjta rezultate. Asnjë vend ballkanik nuk mund të shndërrohet në një Amerikë, Zvicër apo Gjermani gadishullore ballkanike, por, se mësojmë dhe përgatitemi sipas modeleve të suksesshme përgjatë historisë dhe se përshtasim përvojat e mëparshme me kushtet e sotme nuk dëmton dhe nuk iluzionon aspak askënd.


Përmirësimi i pozitave dhe kushteve për shtresat e ulëta dhe të mesme të ulëta nuk do të thotë fuqizim i pushtetit dhe pavarësisë së tyre. Vëmendja ndaj këtyre shtresave nuk është aspak humbje e kontrollit të tyre nga ana e pushtetit pothuajse absolut të liderit në Shqipëri. Homo Albanicus(publicisti Ben Andoni ka arritur të formulojë me shumë korrektësi individin shqiptar) ka treguar përgjatë historisë mijëra vjeçare e sidomos gjatë historisë një shekullore deri më sot, se është i prirur të jetë i nënshtrueshëm, veçanërisht i nënshtrueshëm përpara, prijësit, udhëheqësit, drejtuesit dhe liderit. Por, këtë rradhë, pasi normaliteti i ri i përditshmërisë së re postpamdemike të gjejë funksionalitetin e vet, nënshtrueshmëria të vihet në funksion të zhvillimit social duke krijuar kushtet për zhvillim dhe jo për shfrytëzim. Përmirësimi i pozitave dhe kushteve të secilës shtresë do të bëjë të mundur edhe rishtresëzimin social, duke patur si kriter bazë vlerësimin e vërtetë të aftësive dhe kapaciteteve njerëzore dhe intelektuale, prodhuese dhe profesionale. Qytetarët shqiptarë tashmë kanë dëgjuar dhe mësuar se “… punë ka, por nuk ka profesionistë…”. Qeveria në fillim të mandatit të parë të saj, promovoi projektin për arsimin profesional, por harroi që në këtë projekt të përfshijë edhe çertifikimin e edukimit informal dhe joformal. Kjo proçdurë tashmë është edhe Direktivë e BE. Direktiva e Parlamentit Europian, EN 45013 tashmë modeli ndërkombëtar ISO/IEC 17024. Kjo praktikë në regjimin e shkuar njihej dhe praktikohej si proçdurë standarte e njohur si kualifikim i kategorisë profesionale dhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ISO/IEC 17024. Ndoshta dikush ne MEPJ e gjen dhe ja servir ish ministrit të punës sociale (sot kryetar i bashkisë Tiranë dhe ai di vetë se ç’bën më pas).


Organizimi i një strukture përfaqësuese gjithpërshirëse jo vetëm sipas përkatësisë profesionale, por edhe sipas përkatësisë shtresore sociale profesionale do të krijojë kushtet optimale që shtresat e ulëta dhe të mesmë të ulëta të mund të krijojnë presionin e duhur shtresor për të nxitur zhvillimin social. Të jashtëligjërohën ato pak organizime me karakter gjoja sindikal dhe të krijohen kushtet dhe të nxiten krijimet e organizimeve të vërteta sindikale me karakter gjithpërfshirës shtresor social dhe profesional. Kjo do të bëjë që shtresa e ulët dhe e mesme e ulët (masiviteti i votës së nevojshme për pushtet) të organizohet në greva, formë social-ekonomike e të protestuarit. Greva do të zevendesojnë protestat dhe manifestimet me karakter politik dhe, kjo do të bëjë që debati politik të zhvillohet vetëm brenda mjedisit politik (aty edhe do të dalë në pah përgatitja dhe fuqia e secilit organizim politik dhe do të veteliminohen partiçkat e panevojshme dhe grindavece). Grevat do të vënë para përgjegjësisë dhe do të ndërgjegjësojnë (politika do të ndjehet në presion sepse rrezikon të humbasë votën masive) liderin dhe vasalët e tij nga njëra anë dhe, ky presion do të shkarkohet në një pjesë të tij  mbi biznesin dhe biznesin e madh (shtresën e lartë, të pasurit), nga ana tjetër. Pronat në zotërim të gjoja sindikatave të kthehen në instrument punësimi për shtresat e ulëta dhe të mesme të ulëta.


Të krijohen kushtet për të përmirësuar statusin e pronës (sistemi i drejtësisë të tregojë se është vërtetë i mirëreformuar dhe drejtësisht funksional) dhe, të krijohen kushtet optimale për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe përfitimin prej tyre drejtpërdrejtë nga investimet dhe investuesit kombëtarë (për të krijuar kushtet optimale të mirëfunksionimit të zinxhirit të biznesit).


Të shikohet mundësia e riintegrimit të të paligjshmëve me qëllim aktivizimin e kapitaleve të paligjshme të akumuluara në vite, brenda sistemit fiskal. Nëse është e vërtetë se jashtë sistemit fiskal qarkullojnë më shumë se 25% e buxhetit të shtetit si pasojë e aktiviteteve të paligjshme dhe informalitetit, le të krijohet edhe ky burim i ri investimi dhe të ardhurash, duke përcaktuar kontroll dhe taksim të rreptë dhe rreptësisht të zbatueshëm (kjo është një përvojë tjetër e suksesshme alla-Putin dhe alla-Erdogan. Ndoshta për të mos rrezikuar pushtetin absolut të liderit mund të sajohet një kombinim i “Kursi i Ri” dhe përvojave alla-putin dhe alla-Erdogan).


Të riformatohet administrata publike (të harrohen për një kohë relativisht e gjatë qokat për militantët, të nënshtruarit pa moral që kanë pushtuar pa të drejtë pozicionet e punës në administratën publike) dhe të testohen dhe vlerësohen me objektivitet pa dallim shtresor të gjitha kapacitetet e mundshme shtresore sociale dhe profesionale.


Masa të kësaj natyre dhe forme janë më të afërtat e mundshme me “Kursi i Ri” të FDR, një përvojë që pati sukses.


A jemi gati për një reformë dhe një projekt të madh alla- “Kursi i Ri” dhe të ringrihemi fuqishëm për të hedhur për herë hapin e vërtetë të madh, të përballojmë me dinjitet çdo borxh, hua dhe kredi, sado të madhe që do t’i duhet qeverisë të marrë për “Kursi i Ri” shqiptar? A jemi gati që të ndërtojmë një plan biznesi me të tillë përmbajtje për të siguruar mbështetjen financiare nga faktori ndërkombëtar?


Jo. As fare nuk jemi gati. Një formë e tillë alla-“Kursi i Ri” kërkon edhe një ndërgjegjësim, vullnet dhe përgjegjësi alla-“Kursi i Ri”. Qoftë liderët, qoftë aspirantët për liderë kanë frikë të fuqizojnë shtresëzimin natyral objektiv social sepse ju lëkunden pozitat e veta autoritare. Por, edhe një model alla-Putin apo alla-Erdogan nuk ka lënë pas dore dhe nuk ka injoruar përmirësimin dhe krijimin e kushteve optimale të funksionalitetit social-ekonomik të shtresës së mesme të ulët dhe shtresës së ulët.


Zgjidhje ka shumë. Po vullnet, përgjegjësi dhe ndërgjegjësim?