ARTAN MULLAJ
Dy të rinj mund të kenë reagime të ndryshme tek ndjekin të njëjtin fjalim të Berishës. Njëri mund të emocionohet, për shkak se Saliu i frymëzon në kujtesë Skënderbeun, tjetri përkundrazi, ndihet keq, neveritet. Në fakt Saliu është po ai, po ajo gjallesë, një frymëmarrës i zakonshëm në planet; çmenduria e rastësisë e ka ndihmuar të jetë një pushtetar, ashtu si një telepati rastësore do të mund ta kish lënë në malësinë e epërme të origjinës, ku s’do të ish kryeministër, por një bujk apo një çoban bagëtish të imëta. Ai është politikani i tranzicionit, me po atë dinamikë rebele që njohim, me po atë portret, me po atë histori dhe imazh; ajo çka ndryshon janë perceptimet, mendimet e dy të rinjve për të.
Mendimi shkakton ndjenjën, apo ndjenja, si pasojë e instinkteve të origjinës, duke buruar prej tyre, duke urdhëruar trurin, prodhon mendimin tonë? Zgjidhja e kësaj dileme është njëra nga sfidat e filozofisë së re. Përfundimi? Mendimi shkakton ndjenjën.
Dy të rinjtë mendojnë secili ndryshe për Kryeministrin, dhe prandaj ndiejnë emocione të ndryshme: njëri frymëzohet nga fjalimi i tij, tjetri jo.
Hedhim një sy te bashkia e Lulit. Është e njëjta ndërtesë. Është i njëjti objekt, i njëjti institucion, me të njëjtin kryetar, por ka dy perceptime të ndryshme. Disa e shohin si institucion të përkryer, si krehja e flokëve me llak të kryetarit Basha, sepse e mendojnë të tillë. Të tjerëve u kujton kanalin e ujërave të zeza në rrugën e Kokonozëve ku rrjedhin materie fekale në liri të plotë. Njëlloj ndodh me shiun: shiu është thjesht ujë që pikon, por disa trishtohen prej tij, të tjerë përkundrazi, ngazëllehen kur pikon në dritare. Të tillë e mendojnë e më pas ashtu e ndiejnë.
***
Para disa kohësh, një nëpunëse e një institucioni, që ka qenë edhe shoqja ime e shkollës, interesimit tim për se si ndihej me punën dhe ambientin, m’u përgjigj: “Nëse del në korridor, do të shohësh ose bishta cigaresh, ose të pështyra në tokë, ose më keq akoma, mund të të shfaqet papritur dikush me dhëmbë të prishur dhe të palarë nëpër shkallë, që se ka për gjë të “ta lypë”. Është tmerr të punosh në këtë administratë me militantë dhe besnikë të pushtetit”.
E kish fjalën për ADMINISTRATËN E SALIUT. Kur flasim për këtë administratë, flasim për një përjashtim: nuk ka dy mendime të ndryshme, dy ndjesi, dy perceptime, por vetëm një. Administrata e shtetit shqiptar nuk i përkulet filozofisë së dyzimit. Është unikale. Kjo do të thotë se njerëzit mendojnë masivisht të njëjtën gjë për atë. Askush në Shqipëri nuk është kundër përshtypjes masive se kjo administratë, militante dhe mediokre, prodhon për të gjithë pa përjashtim vetëm një ndjesi të shëmtuar, të keqe, dominuese, unanime: neverinë. Të gjitha opinionet konvergojnë në një pikë: Kjo është një administratë që nuk drejtohet, por sundohet nga besnikët e liderit, bastardë e fodullë, të pasuruar me paratë e shqiptarëve.
Administrata e shkalafitur e në ikje e Saliut të bën të mbash frymën e të shkulësh qimet e trupit me thonj. Funksionarët e saj janë mjeshtrit që punojnë ditë e natë për t’ua bërë sa më të vështirë jetën qytetarëve. Shefat në nyjat e pushtetit janë ose “të fortë”, ose “naivë”, ose “mediokër”. Kujtoni trimat në qeveri, Olldashin, që sfond të personalitetit ka muzgun e Stepës, apo edhe Palokën në Parlament, që të kujton shkumëzimin më banal të përfaqësimit. Mediokrit? Janë edhe më të shumtë se “të fortët”! Kujtoni cilësinë e diellit që do të përmirësonte Xhaferi. Të zbresim më poshtë. Drejtorët. Sillni ndër mend QKR-në e Tiranës. Drejtori Tom Kola, mik i qashtër i Kryeministrit, sillet herë si pronar, herë si i dashuri i saj. QKR-ja, institucioni, punonjësit atje, s’janë veçse një biznes privat, me të cilin bën si t’ia ketë qejfi. Përmenda një emër thjesht për të zbuluar një realitet të pështirë. Kush është përplasur në sportelet e QKR-së do ta mbajë gjatë në mendje këtë gjallesë me pushtet, që quhet Tom. Zvarritje, fodullëk, anakronizëm, shkelje ligji, shërbim i shëmtuar, delirant e korruptiv, vulgaritet. Këto janë cilësi të përgjithshme të krejt kësaj administrate që nuk do të jetë më mbas 23 qershorit. Kjo është fryma e saj, ky është modeli. Jo vetëm në Tiranë. Ngado të kthesh kokën, do të shohësh buburrecë të fryrë me yndyrën e një pushteti anadollak. Të përmend një institucion në një qytet tjetër? Ktheni kokën e shihni! Drejtoria e Tatimeve në Korçë. Drejtori Bujar Voci! Një hall më shumë për qytetarët korçarë! Kush ka hall në zyrat e tij për të zgjidhur, aq më të hidhur do ta ketë kafenë e mëngjesit. Mjerë kush ka nevojë të trokasë në zyrat e tij! Shembuj të tjerë? Ka me qindra. Nuk ka nevojë për personalizime. Kola dhe Voci janë simbole të një fenomeni, koka të vockla të një kuçedre që po përthith prej vitesh Shqipërinë.
***
Meqë jemi te supozimet, pyetja se çdo kish ndodhur në Shqipëri sikur Saliu të mos ish lider i demokratëve këta 20 vjet, por një blegtor i suksesshëm në Viçidolin e vendlindjes, (perceptuar surrealisht nga njëri prej të rinjve më lart), ngjiz një kuriozitet të veçantë. Përshtypja e parë do të ishte fatale, për ata që nuk e durojnë dot përballjen me fuqinë e fakteve. A do të ishte pra Shqipëria më ndryshe sikur Saliu gjithë këto vite të mos ishte një pushtetar dinamik me dy gishtat përpjetë, por të mbante një kërrabë, një bllok shënimesh dhe një qeleshe në kokë duke kullotur dhitë? Imagjinoni ndryshimin: Nuk do të kish firma piramidale, vit ’97, grusht shteti, deputetë të vrarë, shkrehje të shtetit e kryesorja s’do të kishte vdekje dhe mort. Nuk do të ndodhte Gërdeci dhe nuk do të kish 21 janar! Nuk do të kishte shterim të pasurisë kombëtare, det për Greqinë, Fazlliçë, vjedhje, makutëri, tradhti, shtet privat, drejtues injorantë e të babëzitur nëpër nyjat e administratës, që e kanë çuar funksionimin e shtetit në falimentim të plotë. Pra, nuk do të kishim as këtë administratë.
Po të mos ishte Saliu, s’do të ishte as Toma i QKR-së, as Bujari i tatimeve, as Toma tjetër i gjykatës apo Sashenka e gjykatës prapë, që të kujton novelat e turpshme të Turgenjevit. A nuk do të ishte aq më shumë i dobishëm për vendin e tij me mungesën e tij ky njeri? A s’do të ishte “lideri” i vërtetë duke qenë jo Kryeministër, por një bari i shëndetshëm, pa stres, pa mjekime, pa badigardë, pa mëkate, pa borxhe ndërgjegjes së tij? Një hero i vërtetë? Sa gjëra nuk do të kishin ndodhur në Tiranë sikur të mos ishte Berisha, dhe çfarë cilësie të adhurueshme do të kish bulmeti bio që do të vinte prej tij, nga Tropoja në Tiranë për të konkurruar prodhimet me hormone të Myzeqesë? Duke qenë një bari, Berisha do të ishte një lider i pashpallur. Vërtet nuk do të shijonte madhështinë, por do të jetonte lirinë që të jep ndërgjegjja e pastër. S’do ta njihte askush, por vlera e tij do të shpërndahej si shkulm magjie, në formën e bulmetit të pastër në shtëpitë e qytetarëve. Nuk do të ishte në vëmendje, por do të ishte një shenjt anonim, i cili nuk do të ringjallte askënd, por do të shpëtonte shumë shpirtra që ikën kot nga kjo botë, vetëm sepse Saliu ish në Tiranë dhe në këtë botë me gjithë administratën e tij…