NDUE DEDAJ


AlbanopoliShikojeni këtë fotografi, bërë këto ditë në Zgërdhesh të Fushë-Krujës. Është vetëm një fragment i mureve të qytezës ilire të Albanopolit, në anën e poshtme, ku ka qenë dhe hyrja e qytetit-kështjellë. Nëse e krahasoni me foto më të hershme do të vini re se muret kanë qenë më të larta, por kanë ardhur duke u rrufshuar nga motet. Kanë mbirë atypari ca lule, po që nuk të japin ndonjë kënaqësi kushedi kur sheh se çfarë qytetërimi kalbet poshtë rrënjëve të tyre të njomëza, i nëpërkëmbur nga njeriu cinik i shekullit XX dhe ai i këtij shekulli, domethënë nga ne dhe paraardhësit tanë. E dimë se për shumëkënd tingëllon pa kuptim, në mos ironike, që disa njerëz të përhumben këtyre shtigjeve drejt një “murane” gjigante, kur pragmatistët “kapitalistë” rendin fushatës zgjedhore pas politikanëve të zhurmshëm e fjalimeshumë, për ta pasur sa më të bëshme fotografinë me ta. Po ja që gjithmonë do të teprojnë dhe disa individë si puna jonë, që politika s’i ka për zemër, ashtu si dhe ata politikën, ndoshta ngaqë iu duket se politika nuk bën gjënë e duhur për këtë vend. Murana në të kaluarën ishte një grumbull gurësh aty ku ishte vrarë një njeri! Kurse në Zgërdhesh ka vdekur një qytet i tërë i antikitetit, që shtrihej në jo më pak se 10 hektarë. Mund të ketë ardhur këtu shumëkush për kureshtje, apo ndër studiuesit e fushës, që ua ka dashur puna, por asnjëherë nuk ka shkelur dhe dikush i pushtetshëm që të vërë dorë për ta ndryshuar këtë realitet ngjethës. Eh, të lindet një njeri! A thua dhe në kohë moderne kjo është lutja e qytetarit që nuk ka fuqi ta bëjë vendin e tij, në këtë rast, të shpëtojë të kaluarën nga fundosja e pamëshirshme e kohërave? Nga murtaja e shpërfilljes dhe indiferencës njerëzore.


Ishin ditët e fundit të dhjetorit të kaluar, kur në gazetën “Shqip” u botua në dy faqe një shkrim i spikatur, ilustruar me fotografi, kushtuar qytezës antike “më të bukur në botë”, të njohur si Albanopoli. Autorë të reportazhit me përmbajtje historike – problemore ishin dy numizmatë, siç e paraqitnin ata thjeshtë veten, zotërinjtë Bajram Peçi dhe Romir Zalla, në të vërtetë jo vetëm koleksionues monedhash, por njëri dhe autor shkrimesh historike e tjetri aktor i mirënjohur i “Portokallisë”. Ata ishin drejtuar për në Zgërdhesh pas emisionit “Shqipëria tjetër” të Marin Memës, që nuk do të ishte pa vend të emërtohej herë-herë dhe “Shqipëria e rrënuar”, “Shqipëria pa zot”, a si të doni. Nuk bëhet fjalë për murin mbajtës të fundit të ndonjë are kallamoqi poshtë shtëpisë sonë, por për kryeqendrën e fisit ilirian të Albanëve, me një lulëzim pesëshekullor, padyshim një nga kulmet e identitetit tonë historik. Qyteti antik, në kapërcyell të epokave, me shkëlqim të paparë, mes ullinjve të paqtë bojë hiri, si të gjitha qytetet e tjera të lashtësisë ishte i rrethuar nga mure të lartë me gurë të rëndë, kulla roje etj. Albanopoli, nga shekulli i 4-t para erës së re e deri në shekullin e parë të erës sonë, besohet të ketë qenë ndër qytetet kryesore të Ilirisë zëmadhe. Të gjitha këto thuhen që nga Ptolemeu e këndej, por kush ka veshë për t’i dëgjuar. Për qytetin alban ka shkrime e studime, ai mbahet ndër objektet e shënuara të inventarit arkeologjik shqiptar, status që nuk e ka nxjerrë atë nga harrimi e rrënimi. Zotërinjtë Peçi e Zalla vërenin me shqetësim se ky objekt ka 70 vjet në këtë gjendje, thjesht një rrënojë në kodër, pa kurrfarë restaurimi e mirëmbajtje. Rrugëtuam dhe ne drejt qytezës së shuar, sërish për të sensibilizuar për këtë objekt arkeologjik të dorës së parë, e, pse jo, për të lëshuar një zë dhe për të gjitha qytezat e tjera të ngjashme, që nesër nuk do të kenë asnjë gurë nëse vazhdon ky qëndrim yni i papërgjegjshëm ndaj tyre. (Se si i vjen fundi pa e kuptuar një qyteze të vjetër apo kalaje mesjetare mes shkurresh, mjaft të sjellësh në vëmendje kalanë e Kastrit në Vig, që ka humbur dhe atë pamje muresh që kishte para tridhjetë vitesh!)


Pas disa vëzhgimesh mediatike, të stërpërsëritura, kemi pritur që të merrnin rrugën për në Zgërdhesh specialistët e Monumenteve të Kulturës me ndonjë projekt europian në duar, apo dhe vetë Ministrja e Kulturës, po gjasat janë që shkrimet me “spec” të mos lexohen nga zyrat e larta vendimmarrëse. I pyetëm banorët nëse kishte vajtur njeri i shtetit, të paktën këta muajt e fundit, por jo. Njeri nga ata, që ruante bagëtinë, çuditej se si kishte ende njerëz që shpresonin se dikush mund të vente aty me atë qëllim. Qyteza e Zgërdheshit është një rrënojë monumentale që dhemb. Njëherësh një padi për qeverisjen. Një monument i rrallë që më e pakta nuk e kemi pastruar nga ferrat dhe gardhiqet, nga breshkat dhe gjarpërinjtë. Një kala nën bajgat e lopëve që kullosin aty lirisht. Nëse do të kishte qenë plazh do t’ia kishte behur dhe këtu Korpusi i Vullnetarëve, që na prijnë çdo fillim vere për pastrimin e bregdetit ku ne të tjerët shullëhemi në diell. Nuk ka rrugë për të qenë, as tabela që të lajmërojnë vendndodhjen e qytezës, me të dhëna për turistët, jo, aty shkohet vetëm me të pyetur si në xhungël. Deri sa të gjendet ndonjë dalëzotës, investitor do t’ia vlente dhe një rrethim i thjeshtë me tel, që të ruhet ajo çka ka mbetur. Megjithatë as kaq nuk e bëjmë për një vepër monumentale si kjo, që nuk e beson shpalimin e saj po nuk e pe me sytë e tu. Ku nuk të vete mendja në kërkim të shpëtimtarit, i cili nuk do të zbresë nga qielli, gjer te ndonjë dorëheqje në Akademinë e Shkencave? Nesër kumtesat e akademikëve mund të mos besohen, pasi objektet e trashëgimisë po iu shuhen një nga një, duke mbetur vetëm fotot e dikurshme bardhezi.


Do ta shpëtojë shteti shqiptar këtë qytezë të të parëve të vet, më në fund, apo të vetmet që do të vazhdojnë të “vajtojnë” mbi gërmadhat e saj tragjike do të jenë mediat? Sa herë është thënë se kthimi në identitet i objekteve të tilla nuk mund të ndodhë me idealizmin e disa njerëzve të thjeshtë pa pushtet, që vetëm mund të ngrenë zërin. Të ishte në mundësitë e atyre, ata do t’i kishin koleksionuar si monedhat dhe reliktet e tjera që mund t’i zërë një raft shtëpie, apo një qoshe muzeu. Por bëhet fjalë për qyteza që shtrihen në dhjetëra hektarë, më shumë nën tokë, që vetëm shteti ka tagrin, zotësinë, buxhetet për rivitalizimin e tyre.


Po të ishim votues në Bashkinë e Krujës kësaj here, pyetja e parë që do t’iu bënin kandidatëve do të ishte: zotërinj, na jepni një përgjigje se çfarë do të bëni ju për ta ngjallur Zgërdheshin? Se vërtet mund të dojë investim, por është nga ato “fabrika” turistike që nesër do t’i kthejë paratë e shpenzuara për të, me vizitorë që nuk do të reshtin së ardhuri. Atëherë nuk do të kishim nevojë as për shumë ciceronë për të shpjeguar historinë tonë, pasi brezat e rinj dhe të huajt do ta lexonin atë në gur…