ANDREA STEFANI


Andrea StefaniKur kohë më parë, në prag të zgjedhjes së Presidentit të Republikës u përfol një largim i Ilir Metës nga qeveria, botova një artikull me titull: “Me Stalinin kundër Hitlerit”. Qëllimi ishte të tregoja se nevoja që autokrati Berisha të mos kapte edhe institucionin e Presidentit, diktonte një aleancë të PS-së me LSI-në, edhe pse kreu i kësaj të fundit ishte akuzuar për një aferë korruptive që u bë shkas edhe për protestën e 21 janarit. Shmangia e një të keqe më të madhe kërkonte bashkëpunim me një të keqe më të vogël po ashtu sikundër shmangia e triumfit të Hitlerit u diktoi perëndimorëve të bënin aleancë me një tiran si Stalini. Por Meta nuk doli nga qeveria dhe e keqja u trash. Berisha kapi institucionin e Presidentit duke vendosur një delfin të vetin në atë post. Pastaj zinxhirit të institucioneve të kapura me të cilin Berisha ka lidhur shtetin, iu shtua edhe ai i kryeprokurorit apo edhe KQZ-ja. Tashmë shtrohet çështja jo e shpëtimit të një institucioni, por e shansit të demokracisë. Sepse edhe një mandat tjetër për Berishën, do të thotë që pushteti të shndërrohet në regjim autokratik, që do të thotë fund i demokracisë dhe e integrimit të Shqipërisë në Europë. Pra, kemi dy alternativa: ose vdekje të demokracisë ose rotacion të pushtetit dhe një demokraci të korruptuar sa të duash, por megjithatë ende një demokraci me mundësinë për t’u pastruar në rrjedhën e kohës. Është si një zgjedhje mes vdekjes dhe jetës.


 


***


Po përse për të realizuar rotacionin PS-ja ka nevojë për aleancë me LSI-në, qoftë edhe me koston e një imoraliteti politik që nuk mund të trukohet dot? Përgjigjja është mjaft komplekse, ndaj po përmendim shkarazi disa nga shkaqet: Në radhë të parë është gjakimi konstant i Berishës për pushtet absolut dhe aftësia që ka treguar ai në manipulimin e zgjedhjeve. Tjetër shkak është gabimi e lidershipit të PS-së që, në bashkëpunim me Berishën, bëri ndryshimin e Kushtetutës duke e forcuar rrezikshëm pushtetin e Kryeministrit në kurriz të pushteteve të tjera. Aktualisht institucionet janë të fosilizuara dhe nuk bëjnë dot arbitrin e paanshëm. Edhe për sa u takon zgjedhjeve. Tjetër shkak është refuzimi nga lidershipi i PS-së për të bashkëpunuar me LSI-në në vitin 2009, gjë që e korrekton sot, po me një kosto shumë më të madhe në rrafshin moral por, edhe me rreziqet e një kostoje politike që do të shfaqet, në forma të papritura para, por edhe pas ndërrimit të pushtetit. Kontribut në bashkimin aritmetik, por jo moral PS-LSI, ka edhe elektorati shqiptar që ndjek partitë dhe liderët si delet bariun dhe nuk reagon kur ata shkelin parimet e shpallura ose korruptohen. Ilir Meta nuk humbi elektorat as kur çoi te Berisha votat e marra nga e majta me premtimin për nxjerrjen e Berishës në pension. Berisha votohet në Gërdec edhe pas tragjedisë së Gërdecit. Ai votohet dhe në Shkodër, edhe pasi s’tregon asnjë dedikim për t’i shpëtuar shkodranët nga përmbytjet e përvitshme. Elektoratet kanë ngrirë, janë ngurtësuar. Kurba e mbështetjes elektorale për një lider apo parti, shfaqet thuajse jo elastike në raport me performancën qeverisëse apo korruptimin e liderit apo partisë. Rrjedhimisht që të përmbysësh Berishën, dhe bashkë me të edhe rrezikun e përjetësimit të autokratizmit, duhet që copën e elektoratit të majtë që i është bashkangjitur atij në vitin 2009, ta kthesh tek e majta. Por kjo nuk bëhet dot pa kthyer tek e majta Metën sado i diskredituar e i korruptuar të jetë ai. Delet nuk kthehen pa bariun. Prandaj dhe realizimi i rotacionit, në vend se i motivuar moralisht apo ideologjikisht, degradon në një aritmetikë cinike: Që të rrëzosh Berishën duhet të largosh prej tij Ilir Metën dhe bashkë me Ilir Metën, mijëra vota të majta që e ndjekin atë ngado që shkon, majtas apo djathtas, ashtu siç ndjek hija trupin e vet. Kjo lidhje fatale, thuajse organike e elektorateve me liderin e partinë tradicionale, e ka vështirësuar akumulimin për alternativat e reja (AK apo FRD) të një mbështetje më të fuqishme, të aftë të përmbyste statukuonë e kalbur politike. Do të duhen edhe disa vjet që në Shqipëri të ndodhë ajo që po ndodh me Beppe Grillon në Itali. Por për këtë duhet mbajtur i hapur shansi i demokracisë. Prandaj duhet të ikë Berisha!


 


***


Aritmetikën cinike dhe imorale që po shpaloset e bën të pashmangshme, nëse vërtet duam rotacionin, edhe një sistem zgjedhor që fut artificialisht në detantë të majtën dhe të djathtën dhe për shkak të të cilit, ndërrimi ose jo i qeverisë varet nga 2-3 deputetë që vështirësisht mund të marrë më shumë njëri nga dy kampet e mëdha të politikës. Kanë rol në këtë kalbëzim edhe ndërkombëtarët, jo vetëm me OK që dhanë për ndryshimet e Kushtetutës, por edhe me bllokimin që u kanë bërë shpërthimeve organike të demokracisë në emër të “stabilitetit”. Sepse ndërkombëtarët, kur ka qenë koha për revoltë të natyrshme të shqiptarëve ndaj korrupsionit dhe krimeve të qeverisë, si në Gërdec apo në 21 janar, i kanë këshilluar opozitës, në emër të stabilitetit, të shkojë në shtëpi. Rrjedhimisht, korrupsioni dhe krimi qeveritar nuk është ndëshkuar dot politikisht. Por dhe ligjërisht. Sepse gjykatat e kapura nga qeveria, nuk kanë guxuar të ndëshkojnë qeveritarë të korruptuar.


 


***


Dhe nuk mund të presësh politikë të morale nga politikanë të zhyer në korrupsion e krime të pandëshkuara ç’prej 23 vjetësh. Nuk jam ende i bindur nëse Meta do të largohet nga Berisha. Nëse gjithë ç’po ndodh rezulton një blof, Berisha do ta kish më të lehtë të justifikonte vjedhjen e zgjedhjeve. Po ashtu nuk jam i bindur se Meta nuk do t’i çojë përsëri, në fund të lojës, votat përsëri tek autokrati Berisha për hatër të “integrimit”. Por, sido që të ndodhë, shqiptarët pas 23 qershorit, duhet të përballen ose me autokratizmin antidemokratik të Berishës, ose me detyrën e ringjalljes së një demokracie tejet të kalbëzuar nga korrupsioni ende në pushtet, edhe pse Berisha mund të ketë kaluar në opozitë. Një rilindje tepër e vështirë.