AGIM BERISHA
Bota sot ndihet e “rrethuar” nga shumë rreziqe, me përmasa shkatërruese, duke filluar nga tërmetet e deri te korrupsioni. Dy “detyrime” ndaj vendit, profesioni si konstruktor dhe përgjegjësia qytetare më kanë motivuar për t’u renditur në “koalicionin” e “luftës” kundër tyre. Si konstruktor jam i “detyruar” t’i përkushtohem shumë studimit dhe analizës së teorisë së tërmeteve, jo thjesht për obsesion, por sepse janë fenomene me përmasa të mëdha shkatërruese dhe “zgjimi” i tyre është i pashmangshëm, kurse përgjegjësia e detyrimi qytetar më ka motivuar edhe për korrupsionin. Edhe ky nëse nuk “amortizohet” nga “konstruktorët” përkatës, është më shkatërrues, sepse të “vdes” duke të lënë të gjallë dhe të ndjek “këmba-këmbës” kudo ku gjen terren e paaftësi veprimi ligji. Kudo në botë flitet u arrestua ky apo ai, por harrohet që jo individi, por sistemi lind korrupsionin, e individit që preket nga ky “virus”, i pëlqen të jetë “viktimë” e tij. Korrupsioni ka aftësi të mëdha difuzive e transmetuese dhe imiton shkallën sipër tij. Ai fillon me emërimet në detyrë, jo sipas meritokracisë, por sipas shijeve personale të drejtuesit kryesor, të atyre që nuk ua “ndjen” se puna mbi gjithçka është përgjegjësi, e jo privilegj për përfitime, të atyre që sfidojnë edhe ligjin, të atyre që pavarësisht nga profesioni që kanë, zgjedhin të kryejnë çdo punë që ka “zë”. Karriera apo profesionalizmi për drejtues të tillë, nuk thotë asgjë. Para ca kohësh, përmes një shkrimi-intervistë për ALUIZNI-n, mendova të hap një “katarsis”, duke nxjerrë anët e errëta, por që bëhen ditën për diell, të zvarritjes së pafund të procesit të legalizimeve, jetike për vendin. Ky nuk ishte i pari, të tillë kisha bërë edhe në vitin 2012 në dy gazeta të tjera me emër, por kujdesi e trajtimi që i bënin gazetat ishte i ndryshëm. Natyrisht në këtë, nuk u mora me historirat pa fund, për të qeshur e për të qarë për një administratë që mbahet me paratë e taksapaguesve, të cilat i tregojnë vetë punonjësit e ALUIZNI-t me detaje nëpër kafene, nga humbja e vulës që e mbanin me vete gjatë pushimeve, tek ditët e caktuara të “raportimit”, apo që shefat vijnë të “punojnë” vetëm pasdite vonë, kur ikin punonjësit e tjerë, e deri tek limitet dysheme të ofertës që duhet të paraqesësh për të marrë lejen e legalizimit apo për një miratim me VKM etj., etj. Unë u mora me fenomenin, duke peshuar shifrat dhe kohën, përmes një analize ekonomike, sociale dhe humane të procesit, nisur nga një eksperiencë tërësisht profesionale, por me indicie nga ankesat e qytetarëve… Pa hetuar ato që thonë qytetarët, për ta bërë më të kuptueshëm, unë po bëj një veprim të thjeshtë aritmetikor. Gjatë këtyre viteve janë dhënë mesatarisht 3000 leje/vit. Po të nisesh nga numri total 270 000 vetëdeklarime, të pjesëtosh me numrin 3000 leje legalizimi në vit, del një shifër 90, që është numri i viteve kur duhet të mbarojë procesi i legalizimeve… Prisja një reagim, pavarësisht nga ditët që i kishin mbetur qeverisë, sepse ajo vetëm ka humbur zgjedhjet e radhës dhe jo të drejtën për të kërkuar pushtet “nesër”. Prisja një reagim qoftë dhe të tipit “nyrnberg”, edhe pse bëhet fjalë për dëme të mëdha nga mosrealizimi i procesit. Nuk fola për të ndëshkuar njeri, e as përmenda emra. Ky nuk është misioni im, kjo u takon atyre që monitorojnë administrata të tilla. Fola jo si engjëll, por SHQIP, më shumë për të shpëtuar qytetarët e frikësuar, që të mos bien në grepin e korrupsionit, me “oferta” që kalojnë disa herë detyrimin ndaj shtetit për legalizimin e pronës së tyre, nga frika se qeveria tjetër me të marr pushtetin, do t’ua prishë objektet, por edhe për specialistët e hequr padrejtësisht, në momentin që do të milej “lopa” e mbushur. Fola edhe për qeverinë e re, që formalizimi i pronave, jo vetëm “çliron” mbi 400 mijë familje nga pengmarrja e mundit të tyre, por është dhe punësim dhe zhvillim dhe integrim, e pse jo dhe “legalizim” i qytetarëve në vendin e tyre, por që kërkon patjetër specialistë të aftë dhe të ndershëm. Fola edhe ngaqë unë jam për ekonomi liberale që buron nga iniciativa e lirë, por jo nga korrupsioni liberal, që do të thotë nuk duhet ndëshkuar procesi për zvarritjen, por duhet ndëshkuar korrupsioni, si dhe “kamikazët” e këtij fenomeni. Natyrisht kaq ishte forca ime, që përmes shkrimit të zgjoja ata që kanë në dorë “shpëtimin” e këtyre njerëzve që ndiheshin pa “zot”, e të procesit pa faj. E dija që me këtë, edhe pse nuk thashë emra, do t’i aktivizoja ata që u djeg miza pas veshit, që të fshehur kot pas emrave të rremë, me shpifje, vetëm do të “noterizonin” vërtetësinë e fjalëve të mia. Për atë shkrim mora përmes telefonatave e takimeve edhe në rrugë, shumë konsiderata dhe një bravo të madhe nga gjithë Shqipëria, të të gjitha niveleve dhe përfaqësimeve, madje kishte nga ata që më tregonin fakte tej imagjinatës, e më kërkonin të përmendja në gazetë edhe emrat e të “rrezikshmëve” dhe oferta konkrete. Ata falënderonin edhe gazetën që u kujtua për një temë kaq të mprehtë, shqetësim real, i të gjithëve, kur të tjera publikonin mashtrimet e ALUIZNI-t, për marketing… U ndjeva mirë, por edhe keq për atë çfarë i bënë kësaj reforme dhe qytetarëve të lidhur me të. Por çuditërisht tek ALUIZNI, gjithçka vazhdoi si më parë, dualiteti i qytetarëve që zvarriten dhe ofertuesve prepotentë, me një guxim të çmendur, madje më të motivuar, e mes tyre kishte dhe nga ata që prisnin ndëshkimin tim: ore akoma je në punë ti?! Një i “moderuar” më këshilloi: Çfarë fitove nga ai shkrim, kur mund të heshtje si ne, sepse nuk është gjithçka puna, as aftësia profesionale, as vlerat njerëzore. Bëre armiq edhe këta, por edhe ata që do vijnë nesër nuk të besojnë.
Nga të gjithë ai kishte të drejtë. Ai kishte vite në administratë e pavarësisht nga rotacionet, kishte mbijetuar nga ky postulat. Unë guxova… Në raste meditimi të detyruar, jo qetësie, që vjen nga “këshilltarë” të tillë, kupton se është më lehtë të thyesh një atom se një paragjykim. Unë nuk fola për të fituar, por ngrita zërin kundër një fenomeni shkatërrues, detyrim qytetar, pavarësisht me kohën që përkoi. Fola sepse jam dhe e ndiej veten të lirë, e jo peng i kujt. Kam lexuar diku: në vendin tim/ edhe yll po të jesh/ stërpikesh nga balta. Tek ne kjo ngjet edhe kur ngrihesh të sensibilizosh, për një të keqe që prek rreth 50% të popullsisë, të shkaktuar jo nga forca madhore, por nga punonjësit që punën e shtetit e konsiderojnë parcelë personale, e përveç pagës kërkojnë edhe “bonus” pagese shtesë për shërbimet. E keqja nuk ka kohë të përcaktuar se kur duhet, duhet denoncuar, as skadencë kohore, mjafton ta bësh… Megjithatë unë nuk bëra zbulim të ri, vetëm guxova të thosha shumë më pak se ato që “çuçurisin” ata punonjës të ALUIZNI-t, që janë jashtë strukturave të “besuara”, por, ndryshe nga unë, janë të aftë të “notojnë” në të gjitha ujërat, pa nxjerrë kokën… Pas shumë vitesh, puna e madhe e me përkushtim që bëja, për çudi më vuri të notoja kundër rrymës të disave që “fati” i kishte bërë eprorë të mitë. Disa më quanin naiv, madje një koleg më thoshte: Kur nuk kemi alternativë tjetër, duhet të bëjmë ç’na thonë, edhe pse ndoshta nesër dikush mund të trokasë në portën tënde…
Unë nuk isha aq naiv sa të mos e kuptoja, por nuk më pëlqen të zvarritem… Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, por që nuk arritën kuotat e legalizimit të demokracisë, fëmijët u rritën dhe jetuan me problemet tona, e jo vetëm, por janë rritur me sakrificën tonë, me qëndresën tonë shpesh të pakuptimtë ndaj atyre që e konsiderojnë “pronë” pushtetin, e pa gjë të keq mund të luajnë me jetën e tjetrit. Tek fëmijët e mi megjithëse ishin 4 e 6-vjeçar, akoma ruhen në memorien e tyre pushimet nga puna të vitit ‘97 të prindërve të tyre, e që sot disa servilë, aktorë të rëndësishëm në dështimin e procesit të legalizimeve, por që lehtësisht “adaptohen” në fitues, e pse jo bëjnë dhe listorganikat hije, mundohen t’i paralelizojnë edhe pas ndryshimeve të mëdha në gjeografinë politike të vendit tonë, me pyetje provokuese, çfarë do bësh pas shtatorit… Po çfarë presin njerëz të tillë pas shtatorit apo tetorit. Nuk besoj se edhe pas gjithë këtyre viteve, specialistët do konsiderohen “plaçkë” elektorale për të fituar një vend pune. Sot, pas 23 vitesh demokraci secili, mes tyre edhe unë, voton aty ku gjen veten. Pas votimeve unë Ju respektoj si kryeministër i vendit tim, Ju më respektoni si qytetar të vendit Tuaj! Të gjithë duhet të kontribuojmë për aq sa na kanë “mandatuar”, unë për familjen time, Ju për të gjithë ne. Boll kemi thënë: O moj Shqypni e mjera…