SOKOL HAZIZAJ


“Ligji e mban fjalën” ka pohuar Oliver Houmsi, si një nga përfaqësuesit më në zë të utilitarizmit të shekullit 18. E mban fjalën se vetë krijimi tij është proces fund e krye përligje dhe justifikimi. Justifikim në procesin e ndëshkimit ndaj veprës së kryer nga qytetari, justifikim përligjës ndaj shoqërisë për ndëshkimin nga gjykata për veprën e kryer prej njërit nga komunitarët e saj, justifikim nëpërmjet aktit social politik të procesit të faljes dhe amnistisë së shtetasit të saj.


Në themelin e asaj ç’kanë pranuar të mëparshmit tanë në fushën e jurisprudencës dhe filozofisë gjithashtu, kanë qëndruar dhe qëndrojnë dy momente, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Nga njëra anë dëshira e individit të dënuar ose penalizuar për të shpëtuar sa më shpejt nga kalvari i vuajtjes individuale ndoshta dhe të padëshiruar, si dhe për t’u socializuar me shoqërinë, dhe nga ana tjetër dëshira e shoqërisë për të pasur pranë saj njerëzit e vet të shëruar nga efekti i sëmundjes së krimit, dhe pse jo shoqëria në mënyrë të vazhdueshme kërkon të ulë sa më tepër koston e saj të jetës.


Vështrimi i deritanishëm nuk duhet të lërë ndonjë përshtypje te lexuesi se unë dhe ne të tërë duhet të jemi sa më tolerantë me individin e kriminalizuar, por është e domosdoshme që kur shteti, si ky i sotmi ndaj të cilit është ulur besimi se mund të kryejë diçka të qenësishme, vetë ai duhet të përpiqet sado pak të rrisë besimin te shtetasit e vet, edhe duke qenë më i vëmendshëm ndaj proceseve të rëndësishme si amnistia e individëve të vet. Ky lloj vështrimi paçka se nuk rrit besimin e shtetasve të lirë të këtij vendi ndaj shtetit, Parlamentit, Këshillit të Ministrave etj., të paktën tregon sado pak interesimin e tij ndaj një pjese tjetër të shoqërisë, brenda së cilës ekzistojnë ide dhe ëndrra më shumë se ata që vetëquhen të lirë në këtë rrokopujë mungese totale lirie.


Projektligji i ri mbi amnistinë, vëzhguar me kujdes si në kuptimin formal dhe atë juridik nuk kalon asnjë nga kuotat ligjore të parashikuara në dy ligjet e mëparshme, si ligji nr. 8895, datë 16.5.2002 “Për dhënie amnistie”, dhe ai i mëpasshmi në ligjin nr. 9678, datë 13.1.2007. Madje nuk është guxim i madh të pohosh se ky i fundit që pritet të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë është ekstrakt i kopjuar i dy ligjeve të sipërcituar. Ajo që më habit më tepër është fakti se asnjë nga faktorët socialë dhe politikë nuk prononcohet lidhur me ligjin e përgatitur tashmë. Politikisht në prag fushatash zgjedhore është konstatuar në mënyrë të vazhdueshme që përfaqësues të pushtetit, veçanërisht të atij të drejtësisë janë akuzuar për ndërhyrje pranë institucioneve penitenciare për t’i dhënë leje një individi apo disave, me qëllimin e manipulimit të fushatës elektorale dhe deformimin e votës, ndërsa sot kur me aktin e fundit ligjor, i cili mund të konsiderohet më i rëndësishmi ndaj shtetasve të cilët janë të dënuar, interesi politik qëndron larg, madje ftohtë sikur të mos ndodhë dhe kishte asnjë interes. Duhet pranuar hapur se në themel të këtij ligji përfitimi nuk është vetëm i tyre, ose ndryshe i të burgosurve apo shtetasve që janë në ndjekje penale, por qëndron interesi i gjithë shoqërisë, që kur formatohet një ligj duhet jo vetëm që procesi të jetë transparent, por dhe i dobishëm për të gjithë. Këdo që mund të pyesësh në rrugë sot për procesin e ardhshëm të ligjit për amnistinë, asnjë prej të anketuarve s’mund të japë një përgjigje të saktë lidhur me këtë proces. Ky fenomen mund të quhet normal në një vend si yni, ku demokracia qytetare e pranon si normale mungesën totale të transparencës qoftë dhe të një akti të thjeshtë ligjor dhe më tepër se aq. Sot nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim të madh midis “sinqeritetit” dhe arbitraritetit të formatimit ligjor përpara viteve ’90 me këtë të pas viteve ’90. Nëse më parë ligji njihej nga populli kur politika dhe organet e diktaturës përçudnonin dikë politikisht, ose e tregonin atë nëpërmjet shembujve të dënimit ekstrem, përpos së cilës bëhej e mundur të njihej pasoja e forcës së shtetit dhe defektet e lirisë, me të cilën mburreshin dorëngritësit kuvendorë, sot aspak ndryshe nga të parët hartimi i një ligji, si dhe ky i fundit jo vetëm që nuk është i lidhur me efektet pasojë të tij, por më tepër edhe dalëzotësat e tij nuk dinë se cilat do të jenë rrjedhojat dhe pasojat e tij, ndonëse më pas do të turren për të deklamuar se secili prej tyre ishte hartuesi i projektit në fjalë. Simboli i pavarësisë dhe vijushmërisë së shtetit shqiptar nuk mund dhe nuk ka se si të shihet i ndarë nga procesi i amnistisë veçanërisht në këtë përvjetor shekullor. Por çfarë kuptimi do t’i jepej ndryshe këtij procesi kur ai është një copy-paste dhe i lidhur pazgjidhshmërisht me aktet ligjore apo ndryshimet politike të mëparshme. Si në detaj dhe në përgjithësi sot procesi i vendimmarrjes së shtetit mbi dhënien e amnistisë për shkaqe shtetformuese duhet të jetë totalisht ndryshe nga ato për shkaqe politike. Ç’kuptim do të kishte për një të dënuar pezullimi apo ndërprerja e dënimit nëpërmjet dhënies së amnistisë, kur më pas do ta impononin për t’u sjellë arbitrarisht në një qendër votimi se ligji për shkak të të cilit ai doli nga vuajtja e dënimit është bërë nga mazhoranca qeverisëse ose opozita?, po ç’kuptim do të kishte për familjarët e tij kur për të njëjtën arsye do të vendoseshin në dilemën e zgjedhjes midis palëve?, por ç’kuptim do të kishte për shoqërinë në përgjithësi verifikimi i kostos së amnistisë kur ky proces do të trumbetohej si benefit i vetëm i një krahu të politikës. Pra asnjë nga palët e cituara më sipër nuk do të ndihej e lirë për shkak të këtij procesi, që në të vërtetë është shumë i rëndësishëm. Liria për të parë dhe ndier efektet e një riti fetar, efektet e një sjelljeje humane dhe ligjore, nuk mund të kuptohet pa vështruar shkaqet dhe pasojat e tyre. Këto momente do të mundësonin sado pak kuptimin nga çdonjëri të ndryshimit midis lirisë së kufizuar për shkaqe politike nga ajo për shkaqe të pavarësisë së shtetit dhe memories historike të tij. Instrumenti shtet për këtë arsye është krijuar dhe për këtë arsye funksionon si i tillë. Nesër të gjithë përfituesit e amnistisë kontributin e njëqindvjetorit të pavarësisë nuk do ta shihnin si produkt të politikës apo pjesëve të saj, por si pasojë të historisë së qëndresës dhe forcës së shtetit. Për këtë shkak dhe për këtë arsye edhe nëse ndonjë prej tyre do të tentonte të kryente të njëjtën vepër penale, apo të njëjtën sjellje sociale ndoshta për shkak të sjelljes së tij recediviste, mesazhi i kësaj amnistie do të ishte totalisht i qartë, sepse semafori jeshil i këtij lloji akti ligjor mund të rikthehet në mënyrë të vazhdueshme, por vetëm pas pesëdhjetë apo njëqind vitesh, kështu që jeta nuk është kaq e gjatë sa për të pritur amnistinë tjetër. Parë në një kuptim tjetër zgjerimi dhe rritja e transparencës së procesit ligjor të amnistisë dhe zgjerimi i përfituesve të saj është i lidhur ngushtë pse jo me politikbërjen në vendin tonë. Të paktën për këtë proces vendimmarrja e kuvendorëve duhet të jetë e përbashkët si në formë dhe në përmbajtje, që do të thotë se sa kohë të penalizuarit janë pjesë përbërëse e shoqërisë, dhe kjo e fundit nuk ka pak kosto për mbajtjen e tyre, kontributi duhet domosdoshmërisht të jetë i përbashkët dhe në emër të së ardhmes, me qëllimin e mirë për të larguar përfundimisht sjelljen zhargon të politikës se palët janë dhe flenë bashkë me krimin. Pavarësia dhe festimi i saj nuk është vetëm pjesë e njeriut të lirë, pra të pandëshkuar nga forca e shtetit, nuk është vetëm aset i njeriut të burgosur nga liria e të qenët i varfër, po kështu pavarësia nuk është festë dhe kurajë vetëm e atij që ka pushtetin dhe e administron atë vetëm në favor të interesave të tij, ajo është dhe duhet festuar në liri nga pjesa më e madhe e shoqërisë. Nëse kjo nuk ndodh, e kundërta do të jetë prezente mbi kokat tona, ku palët politikbërëse do të qëndrojnë secili në kampin e vet, duke u fshehur si struci, dhe më pas për të dalin në sulmin e radhës, ndërsa shtetasit e këtij vendi do ta ndiejnë këtë 100-vjetor vetëm nga dhurata e flamurit në derën e shtëpisë, çka se nuk e kuptojnë, sepse nuk u është thënë se kostoja e një të burgosuri rëndon mbi kurrizin e tyre, për më tepër edhe pse në mënyrë literale procesi i ndëshkimit penal ka funksion frenues ndaj krimit, në të vërtet ky proces s’ka për të ndodhur ndonjëherë.


Në fund të fundit, shprehja utilitare oumziane “Ligji e mban fjalën”, kur nuk qëndron me këmbë në tokë sa i përket ndëshkimit penal, të paktën të qëndronte mbi etydin moral dhe social të një shoqërie që quhet njerëzore në këtë përvjetor, mbi FALJEN.