BESNIK GJONGECAJ
Më shumë se çdo ngjarje tjetër, përkujtimi i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë duhet t’iu dhurojë shqiptarëve ylberin e plotë të ndjenjave dhe përjetimeve që i kanë shoqëruar ata në historinë e tyre shtetformuese. T’u dhurojë gëzimin po aq sa trishtimin, krenarinë po aq sa përuljen, admirimin po aq sa përbuzjen, optimizmin po aq sa trishtimin, besimin po aq sa edhe zhgënjimin. Në fakt, këtu ndryshon edhe ditëlindja e një njeriu të thjeshtë nga ditëlindja e një shteti. Të parit, të vdekshmit, i urohet ajo që nuk e ka, pra, jeta e gjatë, duke mos u kujdesur, madje, duke i fshehur ngjarjet e shëmtuara të së shkuarës apo mungesat në personalitetin e tij. Të parit i urohet e ardhmja, pa u kujdesur për të shkuarën. I dyti, shteti, në raport me jetën e njeriut të thjeshtë, nënshtetasit, është i pavdekshëm, prandaj edhe nuk mund t’i urohet jeta e gjatë, ajo që ai në të vërtetë e ka. Sa herë që përkujtohet lindja, shtetit i urohet ajo që i mungon, ose ajo që e ka në masën e pamjaftueshme për t’i plotësuar, kënaqur, shtetasit e tij. I urohet, prandaj, të jetë një shtet i mirë për qytetarët e tij, aq sa, ata, qytetarët, të jenë krenarë për të kur t’u flasin fëmijëve apo shtetasve të tjerë nëpër botë. Të jetë në shërbim të qytetarëve të tij – është një urim shumë më i rëndësishëm se jetëgjatësia në ditëlindjen e një shteti. Të dytit, shtetit, prandaj, nuk mund t’i urohet e ardhmja pa u kujdesur për njohjen me saktësi të së shkuarës. Ashtu siç ka qenë, me të gjitha bukuritë dhe shëmtitë e saj.
* * *
100-vjetori i Pavarësisë së vendit po përkujtohet ekzaktësisht ashtu si nuk do të duhej të përkujtohej. Më shumë sesa përkujtohet, ai po përdoret. Që përdorimi i tij të duket si një ngjarje përkujtimore, 100-vjetori i Pavarësisë së këtij vendi po zhvishet nga stofi i çmuar i së vërtetës. Ai po shndërrohet në një paradë lavdie më shumë sesa në një moment të thellë reflektimi te shqiptarët. Në mënyrën më tinëzare, ky 100-vjetor po përdoret nga qeverisja e këtij vendi për të harruar të sotmen veçanërisht, dhe për ta bërë këtë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Aq sa, duke anashkaluar apo legjitimuar pjesë të errëta të historisë së shtetit shqiptar, kalimin e tij përmes forma regjimesh dhe diktaturash kundër interesave të shqiptarëve, qeveritarët e sotëm po bëjnë ç’është e mundur jo vetëm t’i shtrembërojnë ato, por t’i bëjnë të “mos flasin”, të heshtin, madje, t’i fshijnë, t’i zhdukin përjetësisht. Të frikësuar deri në palcë se një ditë, si fantazma e Banquo-s te Macbeth-i i Shakespeare-it, periudhat e errëta të këtij vendi, të deformuara apo të zhdukura prej tyre, do të shfaqen duke tundur kokën e përgjakur si t’u kërkonin shqiptarëve të merrnin hak ndaj qeveritarëve, dhe jo vetëm pse i kishin keqtrajtuar, deformuar, zhdukur, por sepse, para së gjithash, këtë e kishin bërë për të fshehur regjimin që vetë ata, qeveritarët, e krijuan në njëzet vitet e fundit të këtij përvjetori.
* * *
Qeverisja e këtij vendi po e shet vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë si një vit jo normal, aspak të zakonshëm, përkundrazi, si një vit në kohën e të cilit nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë asgjë që do të mund të prishte sadopak solemnitetin, lavdinë e tij. Madje as heshtjen, aq sa edhe greva e urisë e disa të përndjekurve politikë që u kishte ardhur shpirti në majë të hundës u konsiderua si prishje e qëllimtë e kësaj heshtjeje, si një tentativë për të hedhur baltë mbi këtë vit. Ky vit po i shitet BE si një përvjetor që për shkak të tij dhe vetëm të tij, Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i pakushtëzuar në BE, aq sa qeveritarët e këtij vendi, si qaramanë të përkryer para të huajve dhe zemër zinj para shqiptarëve, po e përdorin 100-vjetorin deri edhe si një mjet presioni ndaj zyrtarëve të BE në Tiranë. Edhe ata që duhet të thyejnë këtë heshtje, pra, intelektualët, veçanërisht historianë dhe politikanë së bashku, të cilët e kanë për detyrë të tyre ta zbresin këtë vit nga lavdia e gënjeshtërt, nga terri, në realitetin e dhimbshëm të shqiptarëve, sot ose po heshtin, ose po konformohen me qeverisjen. Aq sa, edhe nëse dikush prej tyre shkruan apo ngre zërin rreth historisë së shqiptarëve të mëdhenj të Pavarësisë duke vënë në dukje defekte të rënda në karakterin e tyre, madje edhe më shumë se kaq, ai, dikushi, përballet me akuzën e ndotjes së këtij viti të shenjtë, prandaj, edhe me rrezikun e një diskretitimi publik. Gati sa nuk thuhet që sot po kërkohet mumifikimi i shkruesve të historisë, dhe nëpërmjet mumifikimit të tyre, edhe mumifikimi i vetë këtij 100-vjetori. Duket sikur në mënyrën më të çuditshme, madje më paradoksale, është rikthyer koha e autocensurës, mosrespektimi i të cilës, në mos në një linçim fizik, do të çonte në një linçim moral. Më në fund, si në një marrëveshje të padeklaruar, por gjithsesi nën peshën e një konformizmi të pështirë, është rënë pothuajse dakord që edhe nëse në këtë përvjetor mund të flitet për probleme dhe defekte të historisë, është e ndaluar që kështu të bëhet për historinë e afërt të këtij vendi, për njëzet vitet e fundit të pas vitit ‘90. Në të kundërtën, asgjë nuk mund të kapërcejë censurën, asgjë nuk mund të fitojë kujdesjen e qeverisë dhe si e tillë, të sponsorizohet prej saj për t’u bërë pronë e një publiku të gjerë. Qeverisja e këtij vendi, dukshëm, po bën gjithçka që të përkujtohet një 100-vjetor sipas saj dhe pa përmendur regjimin e sotëm. Njësoj si të përkujtosh një jetë me kohë të kafshuar, me një humnerë diku, me një boshllëk, të cilin nuk do që askush, në një të nesërme historike, ta dijë se me çfarë ishte plotësuar, me ç’ngjarje ishte mbushur.
* * *
Është jashtë çdo dyshimi që shqiptarët meritojnë të dinë jo vetëm të vërtetën historike, por edhe të vërtetën e kohës në të cilën jetojnë. Historia e fabrikuar, e pashkruar mbi bazë të fakteve, po aq sa edhe mungesa, boshllëku, harresa e një pjese të saj, qoftë edhe e dhjetëvjeçarëve të fundit, i shërben fshehjes, shurdhërimit të popullit të cilit i takon. Shqiptarët janë përgatitur, madje, jo rrallë, edhe janë edukuar qëllimisht si një popull që e përballon pa ndonjë problem bashkëjetesën me fshehjen e historisë, madje, edhe bashkëjetesën me fshehjen e asaj që i ndodh përditë në hundët e tij. Thjesht, ka mundur dikur, por dhe sot mundet, gjithashtu, të bashkëjetojë me gënjeshtrën, me fshehjen e së vërtetës. Është ekzaktësisht ky problem i rëndë me ndërgjegjen e shqiptarëve ai që po i krijon qeverisjes së këtij vendi hapësirën e manipulimit të historisë, fshehjen e atyre pjesëve të saj që nuk janë të përshtatshme për qeverisjen e sotme. Sot, në hapësirën e botës së mendimit të këtij vendi, është inxhinieruar historiani hibrid, brenda të cilit, jo pasioni shkencor, jo integriteti i kërkuesit, por direktiva politike shndërrohet automatikisht në shtysë krijimi. Historiani hibrid është në marrëveshje ekzistenciale me qeverisësit në procesin e manipulimit të historisë, sepse kështu përftohet energjia e nevojshme për mbajtjen në këmbë të të dy palëve: qeverisë dhe vetë historianit. Madje, bëhet e mundur edhe fshehja e pjesëve të saj, veçanërisht pjesëve që u përkasin dy dhjetëvjeçarëve të pas vitit ‘90. Historiani hibrid është inxhinieruar në mënyrë të tillë që të mos përfillë idenë se ana e palavdishme e historisë së këtij vendi është po aq e rëndësishme sa edhe ana e lavdishme e saj, madje, edhe më e rëndësishme se kjo e fundit. 100-vjetori nuk ka lidhje vetëm me Ismail Qemalin, as vetëm me Konicën, madje as vetëm me Nolin, as me batutat e tyre, as me grindjet, madje as vetëm me patriotizmin e tyre. Akoma më shumë, 100- vjetori nuk është vetëm e shkuara, por brenda tik-tak-ut të tij është edhe e sotmja. 100-vjetori është kalimi i Shqipërisë në tri regjime dhe me një shtërzim për demokracinë që nuk përfundon. Përjashtimi i historisë së re të shtetit shqiptar, më qartësisht, përjashtimi nga ky 100-vjetor i historisë së regjimit të tretë, që të mos vihet gishti mbi përgjegjësit e gjendjes së rëndë në të cilën janë ndodhur shqiptarët në njëzetvjeçarin e fundit, pra, në një të pestën e kohës së shtetit të tyre, është një tentativë për ta përjetësuar regjimin e sotëm. Aq më shumë, është një përpjekje që fshehja e historisë të duket si një gjë normale, e zakonshme, madje e natyrshme. Që të mos mësohet kurrë prej saj. Nëse në regjimin e dytë, atë të diktaturës komuniste, fshehja e pjesëve të historisë bëhej pa sforcim, haptazi, sot bëhet me kujdes, madje edhe nën pretendimin se e sotmja nuk mund të shkruhet se nuk është bërë histori, nuk është “fermentuar” akoma si e tillë. Në fakt nuk është kështu. Kjo nuk është e vërtetë, të paktën në rastin e Shqipërisë. Njëzet vjet kanë qenë të mjaftueshëm për të formuar një “të tërë” brenda 100 viteve të shtetit, në kuptimin që në harkun e njëzet viteve të fundit, për shkak edhe të shpejtësisë së ndodhjes së ngjarjeve, për shkak të densitetit të jashtëzakonshëm të tyre, tashmë janë kalcifikuar strukturat, personazhet, si dhe janë ravijëzuar qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme tendencat, ngjarjet, motivet; gjithçka e nevojshme për ndërtimin historik të periudhës. Asgjë nuk e pengon këtë periudhë të bëhet pjesë e historisë së 100-vjetorit. Është mungesa e kurajës shkencore dhe qytetare e historianit hibrid që pengon. Dhe e regjimit, sigurisht. Që nuk mund të lejojë të shkruhet për anën e palavdishme të historisë së këtij vendi, pjesë e së cilës është.