PËLLUMB KARAMETA
Analfabetë funksionalë janë personat që kanë ndjekur shkollën dhe marrin një diplomë, por që nuk arrijnë t’i ndërtojnë, shtojnë apo përsosin në vijimësi kompetencat kyç në nivelin e kërkuar nga tregu i punës. Fillimisht, dukuria konstatohet në rastet kur personi mund të riprodhojë tekstin, por nuk e kupton atë mjaftueshëm. Në vitin 2009, në këtë gjendje ishin në Finlandë vetëm 4.8% e nxënësve të moshës 15 vjeç, në Islandë 11.4% dhe në Estoni 13.6%. Te ne treguesi shkon në 59.3%. Sigurisht, nuk cilësohen të tillë ata persona që nuk dinë shkrim/këndim dhe që në vitin 2008 përbënin 10 për qind të popullatës tonë. Shifër të cilën testimi i fundit e raportoi 15%!
Bota e zhvilluar përpiqet të shmangë analfabetizmin funksional me krijimin e instrumenteve që pasurojnë kompetencat profesionale gjatë gjithë jetës. Ndërsa te ne, institucionet arsimore bëjnë të kundërtën. Ata po e kultivojnë këtë dukuri që në auditorë. Agjencia Kombëtare e Provimeve raportoi pak ditë më parë: “40% është niveli i ngelësve në provimin e shtetit për degën farmaci; 60% është niveli i ngelësve në provimin e shtetit në degën infermieri; 20% është niveli i ngelësve në degët e tjera në provimin e shtetit”. Më herët, në muajin shkurt, pas Provimit të Shtetit për certifikimin e kompetencave profesionale në mjekësi e stomatologji, rreth 30% e aplikuesve dolën humbës. Alarmante ishte performanca e farmacistëve. Sipas kreut të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, në Provimin e Shtetit, u regjistruan 538 studentë, nga të cilët 296 kaluan dhe 242 nuk kaluan (44.98%). Sipas tij, “pjesa më e madhe e studentëve mbetës në këtë provim janë studentët e universiteteve private. Të ngelur në Universitetin e Tiranës janë vetëm 24 studentë ose 9.9%, ndërsa nga universiteti privat “UFO” të ngelur janë 76 studentë ose 31.4% dhe nga universiteti privat “Kristal”, ngelën 142 studentë ose 58.6%. Shifrat treguan dhe një herë çka dinim, se universitetet private kanë mungesa në programet si dhe në cilësinë e studentëve”.
Analiza e kësaj gjendjeje reflekton shkaqe të shumtë. Disa prej tyre diskutohen në vijim.
Së pari, “kujdesi” i Berishës për arsimin. Ja një fragment nga diskutimi i tij në Kuvend: “Ky është buxheti i fëmijëve të Shqipërisë. Deri më sot nga 2005, […] kemi rindërtuar shkolla të cilat dalin jashtë fantazisë së zakonshme, të gjithë këto së bashku janë 1300 shkolla, janë 71% e së gjithë infrastrukturës shkollore të vendit. I kemi pajisur që të gjitha ato me internet dhe tani fillon internet me bandë super të gjerë, tani fillon shtrirja e mësimit dixhital në çdo klasë. Tani implementohet dhe është në vazhdim biblioteka dixhitale dhe metodat më moderne dixhitale në klasë” […] Natyrisht, shtytje të re do të marrë dhe arsimi privat dhe jam këtu për të deklaruar para jush se do të bëjmë gjithçka që gjatë viteve që vijnë t’i japim mbështetjen më të fuqishme arsimit privat, në mënyrë që sa më shumë fonde financiare, burime njerëzore të angazhohen për arsimin e fëmijëve tanë. […] Fondet për arsimin do të jenë fonde që do t’i përkushtohen jo vetëm infrastrukturës, por edhe arsimit më modern”.
Shumë bukur! Por shikoni: Buxheti për arsimin është më i ulëti qysh nga viti 1997. Vetëm 2.7% e buxhetit shtetëror! Pra, për çdo 100 lekë, vetëm 2.7 syresh do t’i akordohen arsimit. E të mendosh se Berisha, në vitin 2009, shkulej së bërtituri se do ta shpinte në 7%. Sakaq, Banka Botërore këmbëngul që të zhbëjmë arsimin fiktiv të kartonë-diplomave që fshehin analfabetizmin funksional dhe të orientohemi drejt kompetencave profesionale. Kësaj këshille të dobishme qeveria i përgjigjet, duke zbritur edhe 391 milionë lekë nga buxheti i arsimit të lartë!
Po si e sheh arsimin bota që ëndërrojmë t’i bëhemi pjesë? Qeveria angleze mori vendim që çdo buxhet ministrie të kursejë nga 1% këtë vit dhe 2% vitin tjetër dhe këto kursime t’i shtohen buxhetit të arsimit, sepse “Anglia duhet të punojë më mirë e të jetojë më mirë!” – sapo deklaroi për BBC kancelari i Financave britanike. Gjermania dhe SHBA e rritën sërish buxhetin për arsimin. Më tej: me propozim të Carlo De Benedetti, qeveria italiane vendosi të shkurtojë sivjet shpenzimet e ushtrisë dhe të misioneve paqeruajtëse dhe t’i derdhë në arsim këto fonde shtesë. Sllovenia, gjithashtu, shtrëngoi rripin dhe zbrazi çdo shkurtim buxhetor në arsim, sepse “duhet të luftojmë papunësinë” deklaron ministri slloven.
Koncepti blegtoral i kësaj qeverie për arsimin pasqyrohet në shembuj të shumtë, prej nga po veçoj dy syresh. Shumë kohë më parë se Berisha të trumbetonte E-shkollën, Estonia e vogël thuajse sa Shqipëria, që në vitin 1997, integroi tre projekte: 1. Pajisja e familjeve me kompjuterë; 2. Krijimi i qendrave të mirëmbajtjes; 3. Përdorimi i Internetit nga shoqëria. Shteti subvencionoi qytetarët për një pjesë të shpenzimeve, kështu që pajisja e shkollave me kompjuter gjeti bazën mbështetëse. Kjo politikë rriti efikasitetin e përdorimit të TIK në mësim. Brenda këtij konteksti, në vitin 1997, fondacioni “Tiger Leap Foundation”, i financuar nga shteti, mori përgjegjësinë për zbatimin e aspekteve të politikës për E-nxënien. Buxheti i fondacionit, për vitet ‘97-‘99, ishte 8.4 milionë euro. Estonia, e integruar prej kohësh në Europë, me nivel ekonomik dhe kulturor shumë më të lartë se ky yni, përpara se të dërgonte kompjuterët nëpër shkolla, krijoi bazën e duhur që ndihmoi zbatimin e politikës së re.
Sa i takon politikës që zbatoi qeveria jonë për E-nxënien, vendin e argumentit profesional e zuri babëzia për fitim të paligjshëm dhe diletantizmi. Sipas raportit të KLSH të majit të këtij vitit, pas kontrollit të ushtruar në vitin 2010, u zbuluan shifra marramendëse të abuzimit të kryer. Sipas kontratës me vlerën 10 milionë dollarë, firmat serbe “MpSoft Grup” dhe “CT Computers”, duhej të siguronin 10 mijë kompjuterë, printerë, skanerë etj., për laboratorët e 665 shkollave. Detajet ku u fsheh djalli ishin cilësia tejet e dobët e pajisjeve (ministria ka paguar 209 mijë dollarë për pajisje me një cilësi më të lartë) dhe pagesa për zhdoganim prej 4.3 milionë lekësh paguar po nga MASH. Sakaq, u dorëzuan 46 laboratorë më pak nga vlera e kontraktuar, pa përmendur një numër të konsiderueshëm aksesorësh si kufje, karta kompjuteri etj. Sigurisht, KLSH nuk arriti të evidentonte pjesën e nëndheshme të “operacionit” financiar. Nga ana tjetër, u shpërfytyrua trajnimi i mësuesve për përdorimin e TIK, proces ky që u mbulua nga propaganda. Programet e certifikuara, që mundësonin 4 kredite (afro 100 orë) u zëvendësuan me seanca 3-4 ditore (e shumta 24 orë). Rezultati: katër vite pas mburrjeve të Berishës për E-shkollat, UNICEF publikoi të dhënat e një studimi që tregonte nivelin e njohjes së Internetit nga fëmijët shqiptarë në disa prej zonave urbane dhe rurale më të rëndësishme të vendit. Konstatohej se, rreth 80% e fëmijëve të mostrës në studim, nuk kanë dëgjuar, pra nuk e njohin Internetin. Edhe nga kërkimet tona, rezulton se pjesa më e madhe e nxënësve që e njohin Internetin (kryesisht në Tiranë), e përdorin atë për t’u zbavitur me softet e lodrave elektronike, “Facebook”, “Twitter” etj., por aspak si burim nxënie, apo për interesa specifike të diktuara nga procesi i nxënies.
Shembulli i dytë. Thotë Berisha në prag-fillimin e vitit shkollor: “Gjuha është lëndë lider dhe nuk mund të futet në sqetullën e letërsisë. Nëse përmendim konceptin gjuhë-letërsi nuk bëjmë as gjuhë as letërsi. Prandaj kurrikulat e reja duhet të hyjnë sa më shpejt në përdorim”. Shikoni: Berisha, që i di të gjitha, ngul këmbë për ndarjen e gjuhës shqipe nga letërsia. Le t’i hedhim një vështrim kësaj ideje. Po i referohem raportit të OECD “PISA 2009 – Assessment Framework – Key competencies in reading, mathematics and science” [http://www.oecd.org/], ku marrin pjesë edhe nxënësit tanë. Po i referohem vlerësimit PISA, pasi ai po përdoret si pikë referimi nga shtetet pjesëmarrëse për ndryshimet në kurrikul. Në faqen 23, ofrohet përcaktimi i formimit letrar (reading literacy): “Formimi letrar është kuptimi, përdorimi, reflektimi dhe angazhimi me tekstet e shkruara, që personi të arrijë qëllimet, të zhvillojë njohuritë dhe potencialin e tij dhe të marrë pjesë në shoqëri” […] Formimi letrar përfshin një rreth të gjerë të kompetencave njohëse, që nga deshifrimi deri te njohja e fjalëve, gramatika, strukturat tekstuale dhe gjuhësore më të gjera, veçoritë dhe njohuritë rreth botës. Ai përfshin gjithashtu, kompetencat metacognitive: vetëdijen dhe aftësinë për të përdorur strategjitë e përshtatshme kur përdoren tekstet”. Është ky kuptim, ai që po orienton sot metodologjinë e hartimit të elementeve kurrikularë gjuhësor (programet, tekstet, mjetet etj.), jo kumtet pseudo-shkencore të disa “akademikëve” tanë të lodhur. Gjuha dhe letërsia, në kontekstin kurrikular (e theksoj) konsiderohen thjesht mjetet që sigurojnë formimin letrar të qytetarit në shoqërinë e dijes. Këndej, reformimi i kurrikulës, që duhet të “hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve” (neni 44/2 i ligjit 69/2012), mban parasysh zhvendosjet e mëdha që kanë ndodhur në fushat që mbështetin procesin e nxënies në shkollë. Çka do të thotë më tej se, ndërtimi i kompetencës së komunikimit nga nxënësit ndodhet në një raport dialektik me situatat dhe veprimtaritë që personi realizon në fushat e tjera të nxënies, ato matematike, shkencore, sociale etj. Nuk është faji i integrimit të mjeteve gjuhësore e letrare shkaku i analfabetizmit funksional, por paaftësia për të kuptuar ndryshimet në fushat e njohjes, kurrikulare dhe të nxënies, shtoju këtyre politikat mjerane për trajnimin e specialistëve dhe mësuesve tanë. Këtu do të kërkonte burimin e ndryshimit çdo K-ministër i civilizuar, universiteti një nga objektet e kërkimit shkencor dhe MASH ekspertizën për të reformuar kurrikulën. Të tjerat janë fjalë boshe që, nëse konsiderohen, do ta bëjnë edhe më blegtoral konceptin zyrtar për arsimin.