PËLLUMB KARAMETA 


Pellumb KarametaE dëgjuam sërish të flasë broçkulla, këtë herë në një fakultet publik. “Ju këtu thatë se ai që hyn këtu ka fat dhe kjo është e drejtë, sepse është fat të dëgjosh studentë, që kanë edhe një kontratë pune. Është një fillim i shkëlqyer për këta studentë, por ky fillim tregon se ka një mundësi reale që ne duhet ta zgjerojmë në mbarë vendin. Ju garantoj se do të bëj gjithçka, që këtë model të suksesit ta përhapim edhe më tej gjithnjë e më shumë në interesin e të rinjve shqiptarë“. Çfarë e ngazëllen optimizmin e S. Berishës? Fakti që 44 studentë po punësohen pas marrjes së diplomës, bazuar në kontratat që kishin me kompani private. E ballafaqojmë tani “optimizmin” kryeministror, me gjithë sa ndodh në ekonominë reale, reflektuar edhe nga të dhënat paraprake që ofron hulumtimi i bërë prej fondacionit SOROS, gjatë muajve dhjetor 2012 – shkurt 2013. Sipas këtij kërkimi, 48.1% e të punësuarve në Shqipëri nuk kanë një kontratë pune, 33.7% e tyre kanë një kontratë me kohëzgjatje të papërcaktuar dhe 18.2 % kanë të nënshkruar një kontratë me punëdhënësit me një afat të përcaktuar.


I ngazëllyer për modelin arsimor që i ka ofruar shoqërisë dhe individit, gjatë 8 viteve që ndikoi jetën dhe ekonominë shqiptare, Berisha vijon t’u bjerë burive: “Ne kemi krijuar disa modele të shkëlqyera. Unë po vij nga shkolla “Beqir Çela” një model i shkëlqyer. Drejtori i shkollës më informoi se kemi kërkesa të mëdha nga të rriturit për të ardhur dhe për t’u trajnuar. Kemi krijuar shkolla profesionale me kurrikula të përgatitur nga ekspertët më të mirë të vendeve që i kanë shumë të avancuara. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i dinamizuar ato.


Po si është gjendja reale e arsimit dhe formimit profesional (AFP)?


Sipas të dhënave të INSTAT-it dhe MASH-it, në vitin 2004, në arsimin e përgjithshëm u regjistruan 82% e nxënësve dhe në atë profesional 18%. Ky raport nuk ndryshoi edhe në vitin 2011, vit kur, sipas MASH-it, rritet numri i nxënësve që frekuentojnë arsimin e mesëm, por zvogëlohet numri i të regjistruarve në arsimin profesional. Sot, vijojnë shkollat profesionale vetëm 14% e kontingjentit të nxënësve që përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Duhet t’i kujtoj me këtë rast Kryeministrit deklaratën e tij, në vitin 2009, në konferencën kombëtare me Grupin Donator DACH-PLUS, kur shpalosi “afeksionin e tij të pashembullt” për AFP-në dhe e vlerësoi atë si përparësi në fushën e arsimit. Atëbotë, ai premtoi dyfishim të buxhetit dhe mbështetje për një nivel regjistrimi të nxënësve në masën 40%, në shkollat profesionale. Por afeksioni i tij për AFP-në prodhoi këtë mandat vetëm dy shkolla profesionale, të ndërtuara me fondet e BE dhe të inauguruara pak ditë më parë. Gjithsesi, edhe ato, profesionale kanë vetëm emrin. Kujtoj këtu se, niveli gjegjës europian i pjesëmarrjes së nxënësve në këtë lloj arsimi qëndron mbi 50% dhe, modelet që po zbatohen atje, integrojnë arsimin e mesëm profesional (të nivelit të punëtorit e të teknikut) me arsimin e lartë jouniversitar (post-sekondar).


Paaftësia për të menaxhuar këtë sektor jetik për ekonominë dhe cilësinë e jetës, renditet ndër shkaqet e para. Koncepti për AFP-në konkretizohet tek oferta kurrikulare aspak tërheqëse, infrastruktura e papërshtatshme, financimi për mbijetesë, burimet njerëzore (mësues/specialistë) thuajse të pakualifikuara etj. Mungesa e bashkëpunimit mes sektorëve publikë/privatë dhe institucioneve të AFP-së ka shpërpjesëtuar lidhjet ndërmjet kërkesës së tregut të punës dhe ofertës. Ekonomia dhe familjet shqiptare, ende, nuk e shohin AFP-në si agjent kyç të suksesit të tyre. Ekonomia mbizotërohet nga biznesi i vogël dhe shumë i vogël, që përbëjnë 95% të së tërës. Për arsye që dihen, në ekonomi mbretëron informaliteti me ndikime të dëmshme edhe mbi AFP-në. Kushdo mund të punojë kudo si hidraulik, kuzhinier, elektricist etj., pa iu kërkuar aspak certifikata e formimit. Gjithashtu, edhe pse organizimi dhe administrimi i sektorit të AFP-së është përgjegjësi e përbashkët e MASH-it dhe MPCSSHB-së, institucionet e ngritura rezultojnë të dobëta e të pazhvilluara. Këndej burojnë dhe “strategjitë” që nuk po sigurojnë punonjës dhe specialistë me kompetencat profesionale që kërkon ekonomia dhe teknologjia. Partneriteti mes aktorëve po cenohet, ngaqë shteti nuk është vërtet i fokusuar mbi AFP-në. Në 2011-n, arsimi i mesëm profesional mori pjesën më të vogël të buxhetit për arsimin, afër 6% (!!)


Modeli që përfytyron dhe ofron Berisha, nuk se vuan për elemente dytësore, që mund të bëhen objekt i përmirësimit. Këtij pseudomodeli i mungojnë të gjitha.


Në terma të përgjithshme, gjendja lidhet me deformimin e tmerrshëm që i ka bërë politika sistemit arsimor shqiptar. Bjerrja e cilësisë në arsimin parauniversitar, nga një anë, e shoqëruar me zbatimin e politikave “liberalizuese” për frekuentimin e arsimit të lartë (heqja e barrierave përmes Maturës Shtetërore, reformimi sipërfaqësor i universiteteve publike, licencimi pa kriter i të famshmëve “universitete private”, mungesa e sistemeve efikase të sigurimit të cilësisë dhe akreditimit etj., etj.), solli, jo vetëm superprodhimin e jashtëzakonshëm të diplomuarve në 2-3 degë, sot e mot të papunë, por krijoi atë psikologji shoqërore që e perceptoi AFP-në si të padobishëm. Këto politika, sa amatore, aq dhe të dëmshme, kanë prodhuar pasojat që i konstatojnë, sot e gjithë ditën, i madh e i vogël në Shqipëri.


Nga ana tjetër, statusi i sektorit AFP dhe cilësia e rezultateve të tij janë të lidhura fort me formalizimin e bizneseve. Kushdo që punon, ose që do të punësohet në sipërmarrjet e ndryshme, duhet të jetë i certifikuar nga institucionet e AFP dhe t’i garantohet karriera përmes kontratave legjitime.


Faktori tjetër kyç quhet reforma rrënjësore kurrikulare. Ajo do të hedhë themelet e një modeli të ri, që u ofron të rinjve dhe të rejave njohuri bashkëkohore, kompetenca kyçe dhe profesionale, bazuar në veprimtaritë e tyre në situata të nxëni interesant, të kuptueshëm e të dobishëm. Kjo që kemi parë këto vite, është paradoksale. Nga një anë, shtohet me vërtik vandaku i strategjive që premtojnë të reformojnë sistemin e AFP-së (deri tani janë hartuar nja 7-të të tilla), nga ana tjetër, po zvogëlohet kontingjenti i nxënësve që frekuentojnë institucionet e AFP-së. Do të ndikojë fort sferën emocionale dhe motivuese të nxënësve, pra, vetë cilësinë e formimit, zhvendosja e fokusit nga dijet e pakontekstualizuara, te veprimi aktiv i nxënësve në situatat e nxënies. Reforma kurrikulare do të stabilizojë dhe përsosë kushtëzimet dialektike mes Kornizës europiane të kualifikimeve, Kornizës europiane të kompetencave kyç, Kornizës shqiptare të kualifikimeve dhe sistemit të AFP-së. Por, duke anashkaluar apo deformuar këtë komponent thelbësor sektorial, strategjia e re e MASH për AFP-në nuk ka shans të pretendojë suksesin që i mungon sektorit. Në të kundërtën, reformimi i tij, bazuar në prirjet bashkëkohore, ka gjasa të hedhë themelet e një AFP-je tërheqëse, që ofron akses për të interesuarit, mundësi më të mëdha punësimi dhe kalimi në nivelet e tjera më të larta; një AFP të ndjeshëm ndaj zhvillimeve dhe nevojave të tregut të punës, sidomos në nivel lokal; efiçent dhe të mbështetur në një model partneriteti, që angazhon në veprimtarinë e tij qeverinë, partnerët socialë, sindikatat, komunitetin etj. Ky reformim do të krijonte mundësinë e akumulimit, transferimit dhe njohjes së krediteve për arritjet e fituara dhe do të përshtatej gradualisht me nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Europian.