FATOS BAXHAKU
Kohët që po kalojmë, me gjithë shpresat që ushqejmë, kanë qenë e janë fort të turbullta. Nga njëra anë, ne të gjithë, të paktën kështu duket, kemi përqafuar me ngazëllim idenë e të bërit si të gjithë popujt e tjerë të Europës. Nga ana tjetër, 20 e ca vjetët e të quajturit “tranzicion” kanë qenë edhe vite zhgënjimi për shumëkënd, vite të thellimit të hendekut pasuror, të mungesës së dialogut mes individit dhe krejt shoqërisë, mes shtetit dhe qytetarit, të individëve mes vedit, vite harrese dhe shpërfilljeje. Ndonëse jetojmë në një epokë të revolucionit të teknologjisë së informimit, ndonëse bota është bërë ku e ku më e hapur dhe më e vogël, ne, shqiptarët, sërish ende nuk e kemi plotësisht të qartë se çfarë jemi duke bërë dhe si duhet ta arrijmë. Zakonisht u kemi besuar symbyllurazi partive, qeverive, deputetëve, kryebashkiakëve, pa e vrarë aspak mendjen se çfarë rroli luan individi shqiptar në gjithë këtë mesele të ngatërruar.
Protesta kundër importimit të armëve kimike dhe aksioni fort domethënës i ditëve të fundit i pastrimit të qyteteve, lëvizjet rinore në përgjithësi tregojnë se diçka po lëviz në pjesën më të mirë të ndërgjegjes sonë kolektive. Ka nisur deri diku të kuptohet që, që të ndreqen punët duhet ta quash veten një individ, i cili jeton në një rreth të caktuar shoqëror, që uni është ku e ku më i vogël se sa komuniteti ku jetojmë dhe se më në fund nuk mund të ketë një komunitet të mbarë pa një individ që merr pjesë në direkt në zgjidhjet e problemeve.
Deri më tash, partitokracia, që ka sunduar dhe sundon, nuk ka bërë gjë tjetër veçse, nën emrin e përgjegjësive që i jep ligji, të monopolizojë të ardhmen, zgjidhjet, shpresat. Kjo, për arsye edhe të mosdijes, por edhe për përfitime personale, e ka trajtuar miletin si një turmë që duhet marrë për dore, duhet këshilluar, duhet mësuar, e madje edhe duhet ndëshkuar kur bën gabime. Njësoj si një mësues filloreje i stilit të vjetër.
Në mungesën e ndjeshme të jetës komunitare te ne kanë ndikuar fuqishëm dy aspekte historike, një më i vjetër dhe një më i ri. Ndër kohë të vjetra dhe në shtetin e parë shqiptar, psikologjia popullore thoshte se punët në mos Allahu, i vendos beu, deputeti, agai, mbreti. Si për çudi, pjesa jonë më komunitare kanë qenë krahinat më të largëta e më të izoluara, malet e ashpër. Këtu përfaqësuesit e familjeve, vendosnin në bazë të ligjeve të pashkruara se si duhej zgjidhur një problem i përbashkët. Më pas, në kohë të komunizmit u teprua aq shumë me aksionet, hekurudhat, tarracimet, punët gati skllavërore, zhveshjen e misrit, kooperativat e sforcuara, sa që sot, shumë prej njerëzve që kanë jetuar në kapërcyell mes dy sistemeve ende u vjen krupë nga fjala aksion, qoftë ky edhe për pastrimin nga plehrat të oborrit të përbashkët.
Për fat, të madh madje, sot po bëhet aktiv, një brez që nuk ka njohur as Abdyl-Hamitin, as Mbretin, as mbretin Zog, as Enver Hoxhën, as marrëzitë e Revolucionit Kulturor të 1966, e as dreqin vetë. Ngjarjet e fundit dhanë sinjalin se ka nisur të lëshojë filiza një lloj tjetër shoqërie, jeta në komunitet. Shumë vetë, mbase me termin “shumë” e teprojmë disi në optimizëm, kanë kuptuar ose kanë nisur të kuptojnë ndonëse ende në mënyrë fillestare se para se të duam, shumë herë edhe në mënyrë të shtirur Shqipërinë, “Atdheun tonë të madh”, ekziston edhe një Atdhe i dytë, ai i “vogli”, që është vendi ku ke lindur e je rritur, ku ke hedhur hapat e parë, ku ke shkuar në shkollë, ku në anë të një lumi a një parku ke shijuar puthjen e parë dashurore, ku vazhdon të jetosh i rrethuar nga miq, shokë, kushërinj, vëllezër e motra. Pa rregulluar këtë “atdhe të vogël” nuk mund asesi që të na vejë mbarë në “atdheun e madh”. Dhe zgjidhja e kësaj pune janë pikërisht problemet që zgjidhen në komunitet. Në Europë, ku po kërkojmë me kaq ngulm të shkojmë, me termin “komunitet” kuptohet një rreth i caktuar njerëzish, që ka një definim të përcaktuar të profesionit, të moshës apo edhe të territorit ku beteja e përditshme për jetesë zhvillohet jo për para, apo për pushtet, por për të mirën e përgjithshme, pa të cilën, sigurisht që nuk mund të ketë të mirë të individit. Jeta komunitare riafirmon individët më të mirë, trashëgiminë më të vyer të zonës, duke u bazuar në lirinë e individit, në integritetin personal dhe në dinjitetin e jetës njerëzore. Tërësia e këtyre komuniteteve bën që më në fund, krejt shoqëria të jetë një grumbull i madh individësh të lirë, të çliruar nga servilizmi anadollak, nga dhuna dhe nga pushteti mbytës i parasë.
Në Malecaj, fshat në Lezhë, nxënësit e shkollës së mesme pritën e pritën më kot që t’u rregullohej shkolla. Mësuesit ngrinin supet të dëshpëruar: Nuk na vijnë fonde nga lart! Panë ç’panë nxënësit, në këtë rast komuniteti i nxënësve, sajuan një gjë. Organizuan një koncert për banorët rreth e rrotull dhe mblodhën një fond të tyrin për rregullin e shkollës. Ngjarja ka ndodhur këtu e do muaj më parë dhe askush nuk u kujtua ta pasqyronte si shembull nga më të paktët, por shumë shpresëdhënës, të rilindjes së jetës komunitare. Me një hap fare të thjeshtë, gjimnazistët e Malecajt e kishin bërë më të bukur “Atdheun e vogël” ku jetojnë. Kjo ishte ndër të paktat flakëza të shpresës, të cilat u shtuan këto ditët e fundit.
Sigurisht që jeta komunitare, të qenët njëkohësisht edhe në “Atdheun e madh” edhe në “Atdheun e vogël”, kërkon një rrugë të gjatë. Ajo është në thelb një problem i kulturës qytetare, i përgjegjësisë së individit ndaj shoqërisë dhe anasjelltas. Ajo asesi nuk mund të arrihet në një javë, apo në një muaj. Por gjithsesi flakëzat e para kanë nisur të duken dhe me shpresë të Zotit nuk do të jetë e largët dita kur më në fund të vijë koha që shteti shqiptar të ekzistojë për individin shqiptar dhe jo shqiptari të ekzistojë thjesht sepse i duhet shtetit të tij.