SHKËLQIM SULO


Kur isha i vogël, pyeta babanë, “Po çamët janë shqiptarë”, ai u habit nga pyetja ime dhe me qetësi ma ktheu: “Po, po, ti shiko mësimet dhe të sillesh mirë në shkollë dhe në shoqëri”, ndërsa gjyshi me kapele të bardhë në kokë, lëvizi vendit dhe lëshoi një “ah..”, me ngashërim të thellë.


Ishin vitet e para ‘90-s, ku dëgjoheshin tek-tuk, shprehjet, ky është çam, kemi bërë krushqi me çamët, do të blejmë mish te çami etj., shprehje që më kujtohen shumë mirë sot.


Ndërrimi i sistemeve solli me vete dhe ndryshimin e shoqërisë, ku secili filloi të shprehej më lirshëm, të zinte vendin e vet në shoqëri dhe të ndërtonte jetën e re, sipas mundësive ekonomike që ofronte koha.


I rritur në një familje çame, biseda herë pas here shkonte te pronat që të afërmit e mi kishin lënë në Çamëri, ku gjyshi thoshte, “Të vete t’i shoh njerë pa le të vdes pastaj”.


U desh ardhja në pushtet e Partisë Demokratike, që shpresat e komunitetit çam të dëgjoheshin dhe të respektoheshin, ku vlen të përmendet se për herë të parë, në disa poste drejtuese, të viheshin figura të respektuara të këtij komuniteti, të cilët me kontributin e dhënë, janë bërë shembull i mirë për brezat e ardhshëm.


Traktati i Miqësisë i vitit 1996, si dhe vizita e ish–presidentit Berisha bërë në një nga zonat e Çamërisë në Jug, ku përmendi vendin e rëndësishëm që zë ky komunitet në Shqipëri dhe në historinë e kombit shqiptar, ishte një ogur i mirë për fillimin e shpresave të mëdha për t’i dhënë një drejtim të caktuar kësaj çështjeje.


Hyrja e përfaqësuesve legjitimë, në Parlamentin shqiptar tregon se çamët kanë hyrë vendosmërisht në hartën politike. Shenjat ishin dhënë prej kohësh. Takimet e krerëve të kësaj partie me përfaqësues të lartë të Forumeve Europiane, në Parlamentin Europian dhe BE, në Departamentin e Shtetit dhe rekomandimet e këtyre instancave ndaj dy shteteve respektive, duke inkurajuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore, treguan se Greqia nuk mund të vazhdonte më me avazin, se nuk ka çështje çame dhe se Traktati i Miqësisë, i cituar shpesh edhe nga pala shqiptare, do të humbte kuptimin dhe do të konsiderohej një paradoks, gjersa ende qëndron në fuqi i ashtuquajturi Ligji i Luftës. Tani kjo çështje do të shoqërohet patjetër me nisma të reja politike për t’u zgjidhur përfundimisht. Kjo gjë është fare e qartë edhe për qeverinë shqiptare, e cila do të detyrohet të jetë më e drejtpërdrejtë në lidhje me kërkesat e çamëve.


Sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve, çështjet e të drejtave të njeriut që kanë çamët mund të zgjidhen vetëm, midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe Institucioneve që përfaqësojnë popullsinë çame. Sigurisht që për të arritur në një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme do të kërkohet edhe ndërmjetësia e përfaqësuesve të institucioneve të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara.


Tani të dyja, si qeveria shqiptare dhe ajo greke mund të përpiqen të kuptojnë perspektivat e njëra-tjetrës mbi këtë çështje. Pala greke duhet të pranojë pa ekuivokë dhe keqinterpretime të vërtetën historike mbi gjenocidin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë çame dhe konfiskimin absurd që u është bërë pronave të tyre, një realitet që e kanë pranuar vetëm akademikë, historianë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut në Greqi.


Çdo lloj spekulimi me këtë çështje u krijon pengesa serioze marrëdhënieve greko-shqiptare, vonon procesin e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan, madje vë në pikëpyetje rolin demokratik të Greqisë si shtet europian. Po ashtu, edhe pala shqiptare duhet të kuptojë se në themel të çdo marrëdhënieje me fqinjin dhe në respekt të Kushtetutës së vendit duhet të qëndrojë çështja kombëtare, marrëdhëniet e reciprocitetit dhe jo të nënshtrimit me kushte.


Qeveria ka një shans të mirë pasi, e inkurajuar nga strukturat europiane, mund të inspirojë e para dialogun e nevojshëm pozitiv për çështjen çame, edhe pse autoritetet greke mbështesin pikëpamjen se një çështje e tillë nuk ekziston.


Askush nuk i pengon dot çamët të kthehen në pronat e tyre. Jemi para zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje. Çamët nuk kërkojnë asgjë më shumë nga sa u takon në bazë të të gjitha Konventave Ndërkombëtare. Ata kërkojnë rikthim në vatrat e tyre, rikthim të shtetësisë dhe të pronave të tyre të grabitura, rikthim të të gjitha të drejtave që burojnë nga qenia shtetas grekë dhe pronarë të ligjshëm dhe autoktonë të pasurive të tyre të patundshme. Ata kërkojnë të fitojnë statusin e minoritetit etnik brenda territorit grek dhe duhet thënë se ata ruajnë shumë energji për të vazhduar kërkimin e këtyre të drejtave, pavarësisht se një pjesë e tyre nuk jetojnë më.


I nderuar zoti Berisha,


Si çdo shqiptar në çdo cep të botës, jemi krenarë për këtë vit të madh të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Miratimi i një Rezolute për Çamërinë do të ishte një shans i madh për këtë komunitet dhe impenjimi juaj për këtë veprim do të ishte i pashlyeshëm në mendjet e të gjithë shqiptarëve.


Në këtë kontekst, përveç të tjerave, kjo rezolutë do të kishte si bosht të saj realizimin e pikave të mëposhtme,


1. Mbledhja e një konference ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, për rivendosjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Greqi dhe për njohjen e gjenocidit ndaj çamëve.


2. Njohjen nga ana e Greqisë të identitetit etnik të shqiptarëve ortodoksë dhe çamëve, në të njëjtën mënyrë me të cilën qeveria shqiptare njeh dhe respekton të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.


3. Riatdhesimi në Greqi i popullsisë çamë, të dëbuar në Shqipëri dhe dëmshpërblim për humbjet e rezultuara nga konfiskimi i pronave të çamëve në 55 vitet e fundit.


4. Ridhënia e shtetësisë greke, popullsisë çame, që i është hequr në mënyrë të paligjshme


5. Shpërblim për pronat e popullsisë çame nga qeveria greke.


6. Leje për themelimin e një kishe të pavarur për shqiptarët ortodoksë në Greqi, e cila është një e drejtë që u është dhënë nga Traktati i Sevrës, nënshkruar në vitin 1920.


7. Dhënia fund e trajtimit diskriminues kundrejt shqiptarëve në Greqi dhe kthimin e pronave të tyre, të konfiskuara në mënyrë të paligjshme nga autoritetet greke.


Çamët kanë një ideal njerëzor aq edhe sublim, që është rifitimi i pronave të tyre. Këtë të drejtë nuk mund t’ua mohojë askush. Është një e drejtë trashëgimie dhe si e tillë është e shenjtë.


Unë kam një fëmijë 5 vjeç dhe dua që kur të rritet, t’i tregoj me mburrje se për 100-vjetorin e pavarësisë, Rezoluta për të Drejtat e Komunitetit Çam është bërë në Parlamentin shqiptar, nën drejtimin e Kryeministrit të Shqipërisë, profesor doktor Sali Berisha.