SKËNDER MINXHOZI


Skender MinxhoziE tha mjaft bukur Jakup Krasniqi, pak orë pas ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, teksa komentonte deklaratat shfajësuese të kryediplomatit serb, Daçiç. Serbët shkatërruan Jugosllavinë dhe nuk pranuan përgjegjësi, ushtruan gjenocid ndaj të gjithëve dhe sërish s’pranuan faj, si mund t’u kërkohet të pranojnë se kanë hedhur në erë një ndeshje futbolli?! Ky qe thelbi i idesë së Krasniqit. Më se e vërtetë: 48 orë pas incidenteve të rënda dhe sjelljes skandaloze të serbëve në stadiumin e Partizanit të Beogradit, askush nga pala zyrtare nuk ka kërkuar një ndjesë sado formale për atë që ndodhi. As federata serbe, as ministri i Jashtëm, as Presidenti i vendit. Duket sikur i kanë pasur të mbyllur sytë e veshët, megjithëse kanë qenë të gjithë prezentë atje, në atë arenë gladiatorësh, ku shqiptarët e panë veten nën vërshimin vulgar të nacionalizmit më agresiv që ka njohur historikisht Ballkani. I vetmi që guxoi të artikulojë tone kritike ndaj asaj që ndodhi, ishte Goran Miletiç, një personazh i njohur për përkrahjen ndaj të drejtave të komunitetit homoseksual. Të tjerët ishin të gjithë aty, kur u ndalua totalisht tifozeria shqiptare në ndeshje, kur delegacioni ynë u trajtua si një turmë të sëmurësh me Ebola, që duheshin izoluar e kontrolluar çdo gjysmë ore, kur himni shqiptar u fishkëllye masivisht, kur stadiumi buçiti nga thirrjet “vdekje shqiptarëve, vëllezër të kroatëve”, kur rojet e sigurisë së stadiumit dhunuan hapur fizikisht lojtarët, kur këta të fundit u përpoqën të mbrohen nga dhjetëra tifozë të eksituar që zbritën në fushën e lojës, së bashku me Ivanin e Tmerrshëm që të gjithë e kujtojnë duke djegur flamurin tonë në Xhenova të Italisë.


Ajo çfarë ndodhi në fushën e lojës, ishte pasoja logjike e asaj çfarë u përgatit shumë orë para se loja të fillonte. Ka në këto orë shumë komente, disa prej të cilave edhe zyrtare (kryesisht nga BE dhe organizmat e futbollit ndërkombëtar), që e lidhin barbarinë e stadiumit të Beogradit, me shfaqjen e një flamuri fluturues, me simbolet e Shqipërisë së Madhe. Asgjë më false, sesa të thuash që imazhi i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, shkaktoi kataklizmin, në një mjedis ku ajo kishte nisur shumë kohë më parë.


Nëse mesazhi i asaj cope pëlhurë me simbole e portrete të shtrenjta për ne shqiptarët, është për t’u diskutuar, duke parë kontekstin delikat, çfarë duhet thënë për mijërat e parullave, flamujve, thirrjeve të skajshme, që prodhoi tifozeria serbe që nga fillimi i ndeshjes? Në fund të fundit, a ka vend t’u faturohet shqiptarëve një akt i tillë, kur dihet zyrtarisht se pala serbe kishte ndaluar në mënyrë taksative çdo tifoz nga Shqipëria dhe Kosova, në perimetrin e stadiumit? Aq sa autoritetet serbe u detyruan të shpikin skenarë filmash policeskë, me Olsi Ramën që “drejtonte” dronin nga sektori VIP i stadiumit! Moslejimi i tifozerisë tonë në ndeshje, na shkarkon nga çdo përgjegjësi formale për incidentin e flamurit fluturues, ndërkohë që aktet ekstreme të palës serbe, nuk ka rregullore futbolli që mund t’i justifikojë. Për më tepër, që bëhet fjalë për një publik që nuk e ka për herë të parë këtë sjellje.


Serbia e tregoi edhe një herë veten, si një shoqëri që rron në të shkuarën. Djegia e flamujve të NATO-s në stadium, uniformat e tifozerive të frymëzuara nga formacione paramilitare që formalisht nuk ekzistojnë më, janë të gjitha shenja të një inercie të fuqishme nacionaliste, që vijon të dominojë subkoshiencën e një populli, i cili krahas aplikimit për të hyrë në Europë dhe NATO, nuk harron të presë Vladimir Putinin me parada ushtarake. Një miks sjelljesh, qëndrimesh dhe aspiratash, i cili pasqyron më së miri udhëkryqin në të cilin ndodhet sot shteti serb, mes afrimit formal me Perëndimin dhe nostalgjisë që e shtyn ende fuqishëm drejt Lindjes.


Në këtë klimë të ndezur, ku futbolli i luajtur është tërhequr, për t’ia lënë vendin politikës dhe ndjenjave të vjetra të urrejtjes etnike, Kryeministri Rama duhet të marrë një vendim të vështirë, në lidhje me vizitën e planifikuar në Serbi gjatë javës së ardhshme. Janë të shumta këto orë, thirrjet që po i drejtohen Edi Ramës, përmes rrjeteve sociale, për anulimin e kësaj vizite. Vetë Rama dhe ministri i Jashtëm, Bushati, kanë qenë nën presion këto orë, për të dhënë një përgjigje lidhur me zhvillimin ose jo të vizitës.


Qëndrimi zyrtar shqiptar ndaj vizitës delikate të Ramës në Beograd, nuk mund të mos marrë parasysh acarimin e madh kolektiv që prodhoi ndeshja e ndërprerë mes dy kombëtareve. Por një qeveri duhet të llogarisë më shumë sesa emocionet e momentit, qoftë edhe kur ato prodhohen nga ngjarje të rënda si kjo e Beogradit. Së pari, nëse do të shkelë në Serbi, Kryeministri shqiptar nuk shkon aty si një përfaqësues i një vendi që ka ndonjë përgjegjësi direkte për atë që ndodhi. Rama nuk shkon as si fajtor, e as si humbës në Beograd. Së dyti, duke mos e anuluar vizitën, kreu i qeverisë shqiptare ka rastin t’ua thotë në sy mikpritësve, atë që ka shkruar në rrjetet sociale, apo ka deklaruar këto orë në media. Duke vajtur në Beograd ne afirmojmë se nuk kemi asnjë kompleks për atë që ndodhi, pasi nuk ishim shkaktarët, por viktimat e një akti të pastër dhune. Thirrja e Brukselit për të mos u kthyer mbrapsht, është një tjetër faktor me rëndësi në vendimmarrjen e Edi Ramës, për vizitën e javës së ardhshme.


Së treti, vetë vizita mbetet ende pezull, me sa duket, edhe për një detaj delikat të protokollit. I cili duket se shtyu edhe ministrin Bushati të deklarojë dje se “të gjitha opsionet janë të hapura”. Rama parashihet të bëjë një vizitë në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me komunitetin shqiptar që jeton atje. Nëse pala serbe tenton ta heqë nga protokolli i vizitës Preshevën, le të themi për arsye “sigurie”, atëherë do të kishte vend vërtet për të folur për një anulim të vizitës. Ndryshe, duket se gjasat janë që Rama të shkojë në Serbi sipas kalendarit të parashikuar. Për të kryer aktin normal të një shtetari që nuk ndihet keq për sjelljen e bashkëqytetarëve të tij, në një vend që nuk na urren më shumë, pas ndeshjes së të martës, e nuk do të na dojë më shumë, pasi Rama të ketë lënë tokën serbe.