MUSTAFA NANO
Preç Zogaj paska pasur datëlindjen ca ditë më parë (meqë ra fjala: edhe një qind, Preç!). S’do të ish marrë vesh kjo gjë, nëse Kryeministri Berisha nuk do të kish çaprashitur një nga ato monologjet e tij idiotike në një nga “skenat e teatrit” të Kuvendit, duke pasur të njëjtët spektatorë, deputetët e tij. Ja çfarë tha ai, duke folur për darkën e datëlindjes së Zogajt (marrë nga Panorama): “Atje në dukje po festohej një datëlindje, me disa dëshmitarë; [por në fakt] ishte një, le ta quajmë, përpjekje për një gjysmë komploti apo puçi dhe nuk mund të ishte ndaj kërkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Filloi [puçi] me tezat se Enver Hoxha bëri shtet; ideolog i tezës ishte përzgjedhur nënkryetari i PS-së, Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes, ishin dy Edi Rama dhe Spartak Ngjela. Një gazetar i një gazete që nuk botohet, i thotë Ramës: Çfarë shteti bëri Enver Hoxha? Pastaj i kthehet Edi Ramës: Këtu keni ardhur për të bërë enverizëm apo për të festuar? Muhabeti u prish komplet kur ky gazetari, që nuk po ia përdor emrin, u thotë atyre: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur, që tre vetë s’të duhen më, i pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze dhe i treti Bamir Topi. Kjo e xhindosi Ramën. Ajo që ishte në paraqitje një ditëlindje, u shndërrua në një darkë të gabuar… Rëndësi ka një përpjekje e shpërfytyruar për të mbrojtur Enver Hoxhën… Rama t’u kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha barbaritë mizore që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmeni”.
Në këtë histori më bëjnë përshtypje dy gjëra (nuk po merrem me kllapinë e Berishës, që për mua ka qenë e mbetet i sëmurë; e citova të plotë më sipër, ngaqë televizionet e kanë transmetuar si lajm ndërhyrjen e tij, dhe këtij fakti do t’i kthehem në fund të shkrimit). Së pari, miqësitë transversale në politikën shqiptare. Në atë darkë ka qenë Preç Zogaj, Edi Rama, Spartak Ngjela, Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, Koço Kokëdhima, Besnik Mustafaj etj. Këta njerëz nuk para kanë kuptim si një grup i tërë. Po, Rama ka mik Kokëdhimën, Besniku ka Preçin, Sandri ka Blendin, Preçi ka secilin prej tyre, etj., por si një grup i tërë nuk duket se kanë kuptim. Kjo mund të thuhet, të paktën, duke pasur parasysh çfarë ata thonë e bëjnë publikisht.
Vërtet, çfarë mund t’i lidhë tok këta? Mund të mendohet se mund t’i lidhë pakëz e shkuara, dhe këtu është fjala për një periudhë të shkurtër të jetës së secilit prej tyre pas vitit 1990, kur ata kanë qenë kundër Berishës, por edhe ky version bie sapo të vjen në mendje emri i Besnik Mustafajt, i cili s’ka qenë me ta në ato vite. Mund të mendohet se i lidh e sotmja, pasi Mustafaj nuk është më me Berishën, por edhe ky version bie, sapo ftillohesh që në atë party kanë qenë dhe Frangaj me Fevziun. Ç’i lidh tamam, atëherë? Ç’është kjo miqësi, që i mbaka tok kundërshtarët politikë, si të ish një flamë (Zogaj kështu e shpjegoi atë grup njerëzish në festën e tij, me miqësinë)?
Njerëzit lidhin e mbajnë miqësi, ngaqë ndajnë tok të njëjtat vlera, të njëjtin vizion mbi – e të njëjtat kokëçarje lidhur me – botën, të njëjtin moral e të njëjtin qëndrim ndaj moralit, të njëjtat shije, mendësi, stil jetese, e të njëjtat bindje e qëndrime politike e ideologjike. Kjo e fundit mund të ngjajë këtyre anëve me një broçkull, por ky kriter “ideologjik e politik” është (do duhet të jetë) kriteri më përcaktues në një miqësi. Personalisht, e kam pak të vështirë ta kuptoj miqësinë midis një popullori e një socialisti (në Parlamentin Europian), midis një republikani e një demokrati (në SHBA), midis një laburisti e një konservatori (në Britaninë e Madhe), e në përgjithësi midis një të djathti e një të majti. Sigurisht, ka gjithnjë marrëdhënie njerëzore, ka respekt të ndërsjellë, ka gatishmëri për të dialoguar e për të shkëmbyer mendime mes njerëzish të kampeve të ndryshme, por si zor të besohet se mund të ketë miqësi, e se mund të mblidhen në datëlindjet e sho-shoqit. Dy kundërshtarë politikë mund të luajnë tenis, golf, poker, dhe tavëll në daçi etj; ata edhe mund të shprehin konsiderata pozitive në adresë të njëri-tjetrit. Por nuk mund të jenë miq. Nuk ka kuptim të jenë miq. Nëse me “miq” kuptojmë “miq”.
Është kjo një qasje që vjen nga natyra ime sektare, e konfliktuale? Nuk e besoj. Dikush mund të sjellë shembuj miqësish të mëdha mes njerëzish që kanë kauza të ndryshme e të kundërta politike, por këto miqësira, nëse ekzistojnë (unë nuk di të ketë), janë një përjashtim që përforcojnë rregullin; dhe rregulli është që “nuk ka miqësi atje ku ka ndarje politike”. Nëse ka miqësi, atëherë duhet thënë se nuk ka një ndarje të njimendtë politike, dhe ky mund të jetë shpjegimi në rastin më të mirë i atij grupi miqsh në festën e Zogajt. Shkurt, asnjëri syresh nuk ka bindje politike. Asnjëri syresh nuk e ka seriozisht politikën. Secili syresh e sheh garën politike si një garë mes miqsh, në të cilën asnjëri syresh nuk humbet; përkundrazi, të gjithë fitojnë. Për ta, dialektika demokratike është një shaká, një farsë. Të gjithë bëjnë “gjoja” sikur janë të ndarë, pasi në të vërtetë janë bashkë.
Gjëja e dytë që më bën përshtypje – e paralajmërova në krye – ka të bëjë me ne gazetarët. Televizionet e kanë bërë zakon që çdo deklaratë të një politikani ta shesin si lajm. Deklaratat e Berishës, po se po. Kështu bënë dhe me këtë fjalën që mbajti përpara deputetëve të vet, të cilëve u shpjegoi “puçin” që kanë dashur t’i bëjnë atij personalisht në një “darkë të gabuar” (çdo puç atyre ua shpjegon). Dhe televizionet e japin në mënyrë integrale këtë çaprashitje. Bëjnë keq? Jo, s’është e thënë. Puna është se nuk u shkon mendja të japin opinionin e atyre njerëzve që përgojohen, denigrohen e denoncohen nga Kryeministri, në mënyrë që lajmin ta kopsitin e ta japin të plotë, siç e kërkon zeja jonë. Nuk pashë mbrëmë që mikrofonat e gazetarëve të televizioneve të ishin vënë në gojën e Zogajt, Bazes, Ngjelës, Mustafajt, Ramës, Kokëdhimës, e të tjerëve që ishin provokuar nga Berisha. Bën vaki që këta të fundit s’do denjonin të jepnin një përgjigje, e s’do ta shihnin të udhës të futeshin në “lojën” e ngeshme e lunatike të Kryeministrit, por edhe kjo heshtje e supozuar, dhe e raportuar nga gazetarët, do ta plotësonte lajmin.
E them këtë, pasi televizionet e kanë bërë rrugë të japin për lajm një shpërthim të dikujt me rëndësi, dhe lajmin e mbyllin aty. Kjo është e padrejtë, së pari ngaqë nuk u jepet zë ca njerëzve të përmendur a të sulmuar nga të pushtetshmit në këtë vend, e së dyti ngaqë publikut i shkojnë gjysmë të vërteta e gjysmë lajme. E kjo e komprometon tërësisht informacionin.