AGO NEZHA  


Barazia politike qëndron në përfaqësimin e votës të elektoratit, që e delegon te një subjekt i caktuar politik, si mbrojtës i të drejtave dhe aspiratave të tij, që përputhet me legjitimitetin demokratik. Deputeti, që e quan veten një profesionist politik, nuk do të thotë se mund të luajë në lojën politike sipas dëshirave dhe interesave të tij. Ai përfaqëson dhe mbron ngjyrat e një komuniteti të caktuar dhe nuk mund të shkelë kufijtë e interesave të tyre politike. Ky postulat, nuk është një predikim moral, por, për ta pasur parasysh se nga rrjedhin konsekuencat e veprimeve të pamoralshme. Sjellja dhe etika e deputetëve, duke e përdorur legjitimitetin e marrë nga vota e popullit, si një kapital personal, për të vendosur autoritetin, pavarësinë dhe reputacionin e vet, është një imoralitet i tejskajshëm. Ky fenomen, që nisi me lëvizjen e Xhuvelit nga e majta tek e djathta, po kthehet në një model të keq dhe të shëmtuar të politikës shqiptare. Qëndrime kaq refraktare, prishin ekuilibrat e demokracisë liberale që duam të ndërtojmë. Ilariteti politik, që u krijua nga dalja e LSI-së nga qeveria, nuk ishte një veprim i pamotivuar politikisht. Qenia e saj te e djathta, ishte një kundërvajtje dhe një kundërvënie, ndaj elektoratit të saj të majtë. Me daljen nga qeveria, LSI-ja, korrigjoi një amoralitet të mëparshëm të zgjedhjeve të 2009, që si forcë e majtë, bashkoi votat me të djathtën dhe mbajti në pushtet Partinë Demokratike të Berishës, në vlera të pamerituara. Veprimi i LSI-së duhet përshëndetur se u kthye në shtratin e vet, në shtëpinë e saj, te familja socialiste. Veprimi i turpshëm i Parlamentit shqiptar, duke hequr nga Komisioni Zgjedhor përfaqësuesin e LSI-së, Muhon, është i diktuar nga tutori i tij suprem, Berisha, nëpërmjet kryetares së Kuvendit, Topalli. Reagimet pozitive të ndërkombëtarëve, ndërhyrjet e tyre transparente dhe të qarta, si gjithmonë, u injoruan nga autokrati Berisha. Ky është një precedent i rrezikshëm, që kanos demokracinë elektorale dhe lirinë e individit, që është e kërcënuar dhe e mohuar në çdo hap të veprimtarisë së tij. Për këtë fakt flet edhe refleksioni që treguan tre anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve. Këto kambana, të diktaturës të pushtetit autokratik, bien për të dëgjuar ata qytetarë, që në optikën e tyre patriotike, duhet të kuptojnë, se demokracia dhe liria janë në rrezik. Rrezikun eminent, e kanë shtuar dhe çimentuar katër muskëtierët e të majtës, që i janë bashkangjitur të djathtës. Për inat të Ramës, nuk mund të përdhunosh familjen tënde politike dhe të shembësh godinën e demokracisë.


Demokracia, sigurohet e mbrohet, kur je brenda moralit politik. Deputetët e majtë janë përfaqësues të elektoratit të majtë dhe si të tillë, duhet të përfaqësojnë interesat e votuesve dhe jo të trafikohen, për inate apo interesa personale. Tregu i turpshëm i shitblerjes së deputetëve ka filluar herët, qysh në “epokën” e “Xhuvelizmit” dhe po vazhdon të kulmohet me shitblerjen e fundit të “Kastrizmit”. Ky fenomen, edhe kur i pret trungun, lëshon thithak, prandaj duhet shkulur me gjithë rrënjë, nëpërmjet një vendimi parlamentar, që kur largohet deputeti nga një forcë politike, humbet mandatin. Ai mandatin nuk e ka personal, por elektoral. Me këtë liri të deputetëve, që lëvizin si lavjersë, sa majtas –  djathtas dhe anasjelltas, ata po sillen si diktatorë të demokracisë, që vendosin fatet e pushtetit padrejtësisht. Demonstrimi i bërë ndaj Islamit, nga një grup të rinjsh, në thelb, nuk shpreh përgjegjësinë që ka, ndaj përfaqësimit të atyre që i kanë dhënë votën dhe mandatin e deputetit. Do ishte më legjitime, që të ngrihen votuesit e Mallakastrës dhe të kërkojnë të vejë të japë llogari, pse loz me aspiratat e një komuniteti të majtë. Ata e kanë votuar “Kaçin”, për të rrëzuar pushtetin e pistë të Berishës, e jo për ta mbajtur atë në këmbë me “furka” të kalbura të deputetëve të divorcuar të së majtës. “Kaçistët”, mbasi e volën PS-në, duke u ngjitur si zvarranikë, në majat më të larta të Legjislativit si Kryetar i Kuvendit dhe të Ekzekutivit, disa herë ministër, i Jashtëm dhe i Financave, si prostituta të pushtetit, të përjashtuara nga “Kuplaraja” për imoralitet, bën divorcin me të majtën. Ky imoralitet politik, i përsëritur disa herë në skenën e legjislativit, duhet të përmbyset njëherë e përgjithmonë, si një regjim antidemokratik.


Demokracia liberale, para së gjithash, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet pjesëmarrjes së tij, me votën e lirë. Kush e cenon, trafikon, e shpërdoron votën e sovranit, duhet të marrë çmimin që i takon.