Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, vazhdon të jetë më pak e vlerësuara. Dhuna është gjithashtu një problem i thellë shëndesor që ka pasoja vdekjen dhe plagosjen, cënon mirëqenien e grave dhe shkatërron dinjitetin dhe vetëvlerësimin e tyre.


Tashmë dihet se dhuna në familje i kapërcen të gjitha kufijtë dhe është prezente në të gjitha kulturat. Studimet e kryera për dhunën në familje kanë vërtetuar se abuzimi ndaj grave është një problem kompleks dhe shumë dimensional. Shpjegimi për këtë duhet parë tek faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë, që ndikojnë në mundësitë që gratë të bëhen viktima të dhunës.


Për shumë gra, realiteti është krejt i ndryshëm nga ëndra e tyre për një martesë ideale. Rezultatet e studimit tregojnë se burrat e dhunshëm janë pró roleve dhe përgjegjësive tradicionale familjare. Bashkëshortët e dhunshëm rezulton se janë imponues në marrjen e vendimeve familjare, ndërkohë që për gratë duan që t’i mbajnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët dhe t’u binden atyre.


Një burrë mund të reagojë në mënyrë të dhunshme nëse bindet që gruaja e tij nuk e kryen si duhet rolin e saj, apo i kalon kufijtë e të drejtave duke ndërhyrë në kompetencat e tij. Gratë supozohet se duhet të kënaqen me rolin e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe të pranojnë se duhet të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për hatër të martesës.


Antoneta RAMA – Psikologe


16 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)