
Haki Abazi – Bashkimi Europian nuk e merr seriozisht as lidershipin dhe as gjysmështetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës është peng i mungesës së kredibilitetit dhe rezultateve të saj të dobëta me kreun e saj që detyrohet të bëjë çfarë t’i fishkëllejnë. Në Serbi, Qeveria e re ka borxhe të vazhdojë me politikën e saj “edhe Kosovën edhe BE-në”, ndërsa financiarisht mund të bëhet Greqi e re. Fillimi i dialogut politik vetëm sa rrezikon ridimensionimin e konfliktit dhe ushqen shpërthimet e reja.
Bisedimet teknike të zhvilluara për 18 muaj në një zyrë të vogël në Bruksel ndërmjet delegacionit serb, të udhëhequr nga Borislav Stefanoviq, dhe atij kosovar, të udhëhequr nga Edita Tahiri, nën vrojtimin e Robert Cooper, ka shënuar regresin më të madh që Ballkani ka përjetuar që nga rënia e Millosheviqit nga pushteti, në vitin 2001. Dhe, ky regres po vazhdon të thellohet duke shënuar fazë të re të ridimensionimit të konfliktit ne vend të përfundimit të tij të përhershëm.
Dialogu teknik ka ringjallur idenë në BE se Serbia ka pasur të drejtë në synimet e saj në Kosovë edhe përtej asaj çfarë Ahtisaari e kishte konsideruar si e drejtë e serbëve të Kosovës. Liderët shqiptarë, me arsyetimin se duhet të tregojnë vullnet të mirë dhe fleksibilitet, janë lëshuar në aventurë për të hyrë në dialog pa asnjë përgatitje e strategji. Pala serbe, në anën tjetër, i është qasur idesë për sfidimin e një kapitulli të mbyllur edhe ndërkombëtarisht me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Fillimi i dialogut si proces ka shënuar fitore të insistimit të vijës politike të Vuk Jeremiqit, ish- ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, pasi e rihap temën e shtetësisë së Kosovës dhe e vendosë në pauzë të gjatë procesin e njohjes nga të gjitha shtetet, të cilat po presin rezultat të ri nga dialogu serbo-kosovar. Të gjitha premtimet dhe parashikimet për njohjen e pavarësisë nga zyrtarët kosovarë kanë dështuar. Në këtë proces të pauzuar ka përfituar vetëm zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, i cili e ka privatizuar procesin e njohjes deri në momentin e demaskimit me të pavërtetat për njohjet që gjoja i kishte fituar me notat verbale përkatëse, të cilat nuk iu erdhën autoriteteve zyrtarisht asnjëherë, si në rastin e Nigerisë dhe të Ugandës.
Zyrtarët kosovarë, gjithashtu, kishin premtuar se nuk do të ketë dialog politik dhe e patën prezantuar intervenimin e njësisë speciale të policisë, kur humbi jetën polici Enver Zymberi, si rivendosje të rendit në veri. Përkundrazi, tani del qartë se intervenimi i 25 korrikut 2011 në veri, do të mbetet akt i papjekurisë dhe eksperimentimit më atë që quhet forcë e padukshme. Qeveria e Kosovës vendosi të dërgonte forca në veri duke tentuar që të balancojë informacionin për akuzën ndaj Fatmir Limajt. Ky vendim kushtoi një jetë, zhvlerësim të ROSU-s, antagonizëm të ri me qytetarët e veriut dhe legjitimoi edhe më shumë ata që përdorin frikën e serbëve për të mbajtur fort pozicionet e tyre përfituese në veri. Anën ndërkombëtare të tregimit e sfidoi KFOR-i duke e paraqitur paaftësinë për të vepruar dhe në fund të gjithë e kritikuan jozyrtarisht këtë aksion si të pamenduar dhe aventurist.
Dialogimi teknik me qeverinë e Boris Tadiqit, edhe pse i panevojshëm, po duket tash shumë më i pranueshëm se sa dialogimi politik me qeverinë e Daqiqit. Me siguri që komenti i kryeministrit të Kosovës, natyrisht me arsyetim cinik dhe për konsum të brendshëm, do të jetë se “të gjithë janë të njëjtë”, edhe pse në fakt, për shqiptarët e Kosovës, kjo nuk është e vërtetë. Tadiqi është përfaqësues i një sistemi të vlerave demokratike serbe, anti-Millosheviqiane dhe proeuropiane dhe pasardhës i Zoran Gjingjiqit. Daqiqi, në anën tjetër, është pasardhësi i Millosheviqit, zëdhënës i dikurshëm i tij, i cili ne vazhdimësi ka zbatuar të njëjtën logjikë veprimi duke përfshirë edhe shkarravitjen e uniformës së policisë së Kosovës dhe tërheqjes zvarrë të atyre që përfaqësojnë institucionet e brishta të Kosovës së pavarur. Për më tepër, Daqiqi është në koalicion me pasardhësin e partisë radikale serbe të Vojislav Sheshelit.
BE-ja nuk e merr seriozisht gjysmështetin e Kosovës
Të udhëhequr nga logjika se duhet shënuar progres me çdo kusht për të hapur rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian, zyra e baroneshës Ashton dhe komisioneri Fule kanë këmbëngulur që dialogu teknik të nisë sa më shpejt. Këtë e kanë bërë edhe me koston e pranimit të rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë, të cilat ishin konstatuar me parregullsi të pafundme si pasojë e vjedhjes industriale të votave. Kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës ka defekte, pasi zhvillimeve brenda Kosovës nuk u jepet rëndësia në krahasim me vendosjen e një lidershipi të “favorshëm” për të arritur kompromise të çfarëdo lloji. Kjo tregon se BE-ja nuk e merr seriozisht aspak, as lidershipin e as gjysëmshtetin e Kosovës. Këtë e kishte thënë në takimet e tij jopublike edhe Robert Cooper në Prishtinë. BE-ja ka dështuar të kuptojë që improvizimi dhe rrugët e shkurta për zgjidhje të problemeve e thellojnë krizën dhe nuk janë zëvendësim për demokracitë pjesëmarrëse.
Në fund të procesit të dialogut teknik, asnjëra nga palët nuk ka treguar gatishmëri për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe si rezultat kemi komunikim më të vështirë dhe më të shtrenjtë mes Kosovës e Serbisë. Kostoja e sigurimeve dhe taksave të tjera për kalim ndërkufitar po e bën të pamundur udhëtimin e njerëzve të varfër që s’mund t’i paguajnë këto shpenzime. Nga ky proces gjysmak e dëmtues, Serbia mori kandidaturën ndërsa Kosova – “të trashtë e surles” . Në këtë rast Serbia gjithashtu depozitoi edhe një “joker” të njëjtë sikurse plani gjashtëpikësh i Ban Ki-Moonit duke i vendosur Kosovës një fusnotë si kriter për pjesëmarrje në nismat rajonale, të cilat askush nuk e di cilat janë dhe pse është Kosova në zor të jetë aty, nëse ky proces dialogimi parandalon njohjen e shtetit – që është domosdoshmëri për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe organizmat e tjerë relevantë ndërkombëtarë. Zyrtarë të BE-së e kanë pranuar se kanë qenë naivë dhe të pafuqishëm, por njëkohësisht, nuk mërziten pse marrëveshjet nuk zbatohen sepse, në fund, ato nuk janë për ta.
Natyrisht, që BE-ja nuk e ka hallin e njerëzve që nuk mund të udhëtojnë, apo hallin nëse tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve po rriten, përderisa këto janë në suaza të menaxhimit dhe nuk kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ata me një deklaratë e shpërlajnë veten duke i quajtur liderët ballkanas si të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të arritur kompromise.
Shtetndërtimi peng i kryeministrit që bën çfarë i fishkëllejnë
Qeveria e Kosovës është e zënë peng me legjitimitet dhe kredibilitet të pamjaftueshëm, me një kaos të brendshëm të partisë në pushtet, duke qenë qeveri e pakicës e në koalicion me një parti krejt jorelevante, e përcjellë me skandale, me privatizime kontroverse, me një kryeministër që pritet rrallë në Europë përveç në rastet kur i jepet lista e “detyrave”. Gjithashtu rasti gjykimit”Bllaca”, edhe pse po injorohet, është pjesë e ekuacionit të kualifikimit kriminal të kësaj strukture qeverisëse. Indikatorët e gjykimit të kryetarëve të komunave, ndalimi hyrjes së zyrtarëve të lartë në vendet europiane dhe akuzat ndaj anëtarëve të kabinetit dhe kryesisë së parlamentit janë tepër për të pretenduar që “mbreti nuk është qel”. Në këtë situatë, kryeministri nuk ka derë tjetër përpos se të bëj çfarëdo që i “fishkëllejnë” të tjerët.
Dhënia e datës për nisjen e negociatave të Serbisë për hyrje në BE është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe rajonin, por kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të funksionalitetit të Kosovës. Aq më pak, nëse kjo nxitë një dimension të ri të konfliktit serbo-shqiptar që do të kërkojë angazhime shtesë dhe përfshirje të aktorëve të tjerë në ridefinimin e territoreve në Ballkan – ide kjo që vazhdon të jetë e gjallë nëpër të gjitha agjendat. Qeveria e Kosovës, përveç, që është e vetmuar në këtë rrugë, është edhe e papërgatitur për çfarëdo koncepti konsensual të brendshëm. Rezultati i vetëm i këtyre zhvillimeve mund të jetë që kosovarët të marrin udhërrëfyesin për Stabilizim-Asociim, ose listën e kushteve për të përmbushur kriteret për heqjen e regjimit të vizave. Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën shtet nuk lejojnë që Kosova të trajtohet si vendet e tjera dhe do të vazhdojnë të insistojnë që BE t’i ofrojë Kosovës pako të njëjtë, sikur Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Ndërkohë “të zotët” e qeverisë vazhdojnë ta përdorin amullinë duke tentuar që të privatizojnë edhe ndonjë copëz që do të mbetet, duke shënuar kështu fundin e pasurive dhe aseteve publike të Kosovës. Ky në fakt është edhe realizimi i premtimit të kryeministrit që e kishte bërë jopublikisht duke thënë se “do t’ua tregonte qefin kosovarëve” që nuk e votuan sa ishte Rugova gjallë dhe që vazhdojnë të mos e bëjnë këtë duke e shtyrë, siç ka thënë ai, në manipulim të votave. Krejt këto bashkë e bëjnë qeverinë e tanishme partnerin më të “përshtatshëm” për të negociuar dhe ridialoguar madje edhe Pakon e Ahtisaarit. Fakti që kjo qeveri nuk ka as zëdhënës, e konsideron popullin ose të paedukuar ose jomeritor për të qenë i informuar. Më shumë lehtësi dështimet e qarta tenton t’i shesë si të arritura dhe fitore. Është e rëndësishme të konstatohet se Europa nuk është armiqësore, ose jokorrekte, meqë është shumë normale që në një situate kaq të vështirë të pozicioneve të kundërta të palëve në dialog, ndërmjetësi i bën presion atij që ka më pak forcë dhe qe e ka “bishtin nën derë”.
Serbia mund të bëhet Greqi e re
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Daqiqi nuk mund të qëndrojë shumë gjatë në pushtet. Kriza financiare dhe dialogu me Kosovën mund të jenë arsyet që dinamikat politike në Serbi të ndryshojnë, por jo pa skenar. Ivica Daqiqi, kryeministër dhe Tomisllav Nikoliq, president, i kanë shumë borxh Boris Tadiqiit për transformimin dhe riciklimin e tyre në politikën europiane të Serbisë. Ky borxh duhet shpaguar disi dhe kjo bëhet edhe me mosndryshimin e politikës së vendosur nga Tadiqi – “edhe BE-ja, edhe Kosova”. Kjo në rastin e Serbisë tregon edhe qëndrimin e moderuar dhe shumë serioz të Daqiqit dhe Nikoliqit duke lejuar që të ecet në trajektoren e integrimit në BE dhe njëkohësisht zhvillimin e politikës së jashtme që kërkon një rehabilitim të mëtutjeshëm të Serbisë përbrenda BE-së. Krejt kjo do të thotë shumë për jetën institucionale të Serbisë e cila është në krizë ekonomike dhe financiare që mund të jetë edhe një faktor tjetër për një qeveri gjithëpërfshirëse ose edhe zgjedhje të parakohshme në Serbi. Vonesat në proces në raport me Kosovën do të ndodhin pas marrjes së datës për hapjen e pakos së kandidaturës dhe pasi të sigurohet se reforma e BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë bëhet me mbrojtjen e të drejtave të entiteteve politike për vazhdimësi.
Qeveria e tanishme e Serbisë ka gabime ne formulën e qeverisëse, koha nuk pret dhe qytetarët e Serbisë me shumicë dërmuese nuk lodhen shumë për Kosovën, por ata po presin përmirësim drastik të kualitetit të jetës së tyre. Me siguri që hapja e pakos për kandidaturë në BE do t’i sjellë Serbisë edhe pakon financiare, por këto mjete do të jenë shumë më të vogla në sasi, sesa në rastet e vendeve të tjera meqë kriza financiare në Europë ka ndikuar gjithashtu në zvogëlimin e përkrahjes financiare. Qeveria e Kryeministrit Daqiq mund të jetë efektive në menaxhimin e sektorit të sigurisë, por ka shumë pak, për të mos thënë aspak ekspertizë, për zhvillim ekonomik edhe përkundër faktit që Mladjan Dinkic është pjesë e qeverisë. Shpëtimi i vetëm mund të vijë nëse BE-ja është e shpejtë dhe gjeneroze ndaj Serbisë dhe ofron pako të shpejta financiare të modelit të dizajnuar nga ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Dejlic. Përndryshe qeveria e Serbisë mundet lehtë të ballafaqohet me një krizë të përmasave të mëdha dhe jostabilitet social e ekonomik të llojit të Greqisë dhe kjo mund ta detyrojë atë të jetë më kooperuese, por në të njëjtën kohë edhe më shumë aventuriste, në raport me shtetet tjera jashtë BE-së. Politikisht një situatë e tillë e sjell qeverinë e tanishme të Serbisë në retorikën e shtuar nacionaliste lidhur me Bosnjën dhe Kosovën, përderisa do të sfidohet nga gjenerata e ardhshme e demokratëve të cilët do të përfaqësohen nga kryetari i pasur i Beogradit, Dragan Gjillas, dhe kryeministri i Vojvodinës, Bojan Pajtiq, natyrisht nëse Boris Tadiqi dështon në reformimin e partisë demokratike.
Askush nuk mund të shfajësohet nga dështimi
Lëmshi ballkanik është i destinuar të bëhet edhe më kompleks nëse vazhdohet me improvizime e dialogë naivë, duke ndihmuar palët e dobëta të mbeten në pushtet si instrument të kompromiseve dhe duke fshehur përplasjet që janë brenda BE-se lidhur me Bosnjën dhe Kosovën. Ndërsa e ardhmja dhe shëndeti i demokracisë, sidomos në Kosovë, është vënë në pikëpyetje të madhe. Mosbesueshmëria, eventualisht dhe bumi i pakënaqësisë sociale, rrezikojnë të arrijnë kulmin e shpërthimit. Në këtë rast askush nga palët e përfshira, as BE-ja me misionin më të madh që e ka – EULEX-in, nuk do të mund të shfajësoheshin nga dështimi i shtetndërtimit dhe arritjes së paqes së qëndrueshme në Ballkan.
Haki Abazi është udhëheqës i Fondacionit Rockefeller për Ballkanin Perëndimor.
Marrë nga GazetaJNK.com