Nëntorin e 2018-tës, qeveria Haradinaj vendosi një taksë prej 100 për qind mbi produktet që hynin në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja. "Kosova është penguar për një kohë të gjatë në transport; marrëveshja e Cefta-s mes saj dhe Serbisë, nuk ka funksionuar", deklaroi asokohe Ramush Haradinaj, duke i dhënë kështu dritën jeshile një vendimi që merrej vetëm një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Beogradi, në sytë e ish kreut të ekzekutivit kosovar, po punonte hapur kundër interesave të Kosovës, e kjo, në anën tjetër të kufirit, nuk do të tolerohej më. Disa e panë këtë taksë dhe si një dëshmi të përpjekjeve të Haradinajt për të treguar se me politikat e tij, po mbron tërësinë territoriale të vendit të vet, e këtu nënkuptohej edhe korigjimi i kufijve, ideja me të cilën flirtoi për një kohë të gjatë presidenti Hashim Thaçi, e që praktikisht, u supozua se do të kishte në thelbin e saj shkëmbimin e territoreve me Serbinë.
Haradinaj këtë e kundërshtoi kategorikisht. Me të njëjtën kokëfortësi, ai i bëri ballë presioneve të shtuara për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, gjë të cilën Beogradi e shndërroi në kusht për kthimin në tryezën e negociatave, me qëllimin të zhbllokohet procesi i dialogut i mbetur në vendnumëro.
Ish kreu i ekzekutivit kosovar nuk u lëkund as përpara kërkesave të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës. Bashkësia ndërkombëtare bëri disa përpjekje për të treguar sesa e rëndësishme ishte për të një gjë e tillë; më herët gjatë vitit SHBA-ja e tregoi angazhimin e saj përmes nënsekretarit David Hale dhe Gjermania nëpërmjet dy këshilltarëve kryesorë të Merkelit, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, të cilët vizituan Kosovën dhe Beogradin.
Situata e krijuar e nervozoi Haradinajn që tha se Serbia po nxjerr kushte për të mos të hyrë në dialog me Kosovën. Nuk ishte Prishtina sipas tij ajo që po i vinte "shkopinj nën rrota" procesit, por Beogradi, ndërsa, shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të ushtronte trysni mbi Serbinë, e i bënte presion "viktimës", pra Kosovës.
Haradinaj mbeti i palëkundur nga pozicioni i vet deri në momentin që deklaroi befas dorëheqjen; ishte një ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës ajo që e detyroi të hidhte këtë hap i cili i zuri në befasi të gjithë udhëheqësit e tjerë të institucioneve e partive politike, presidentin dhe kryetarin e Kuvendit dhe po ashtu edhe liderët e opozitës.
Kjo u konsiderua më shumë një dorëheqje morale. Haradinaj, që është shpallur dy herë më parë i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte, tha se kishte zgjedhur të udhëtonte drejt Hagës si qytetar i zakonshëm i Kosovës e jo si kryeministër i vendit.
Taksa e shumëdiskutuar ndërkohë u kthye në parulle zgjedhore, dhe mbajtja e saj në fuqi apo pezullimi mbetet një sfidë për partitë politike që kërkojnë të marrin pushtetin në Kosovë.