Rudina Hoxha – Vetëm ata që e dinë historinë sa intriguese aq tragjike të Dr. Faust, mund ta kuptojnë se sa i përshtatet dhe sa i pranishëm është ai në skenën politike shqiptare. Historia e thotë se ky njeri i pangopur me njohuritë që kishte, bën një pakt sa të keq, aq të guximshëm me djallin. Për 24 vite rresht kërkon të ketë shërbimin e djallit për të pasur fuqitë që të përthithë të gjitha njohuritë dhe pushtetin në këmbim të shpirtit të tij, pra në fund të 24 viteve, ai përfundon në ferr.
Këto kohët e fundit, më shumë se kurrë, Dr. Faust ka nevojë të ndërgjegjësohet për kohën e pakët që i ka mbetur dhe detyrat e shumta që ka në listë për të përmbushur deri më 12 tetor – datë kur Progres Raporti i BE do t’i paraqitet Shqipërisë.
Ai ka nevojë të tregojë tolerancë e pasion për të treguar se ia del mbanë. Koha i qëndron mbi kokë si çekan. Sa ironike! Është pikërisht koha që Shqiptarët ia kanë kërkuar atij ta respektojë aq shumë që tani i kërkon atij hesap.
Në podiumin shqiptar, Dr. Faust shfaq një mendje gjeniale për t’i ngatërruar fijet sa më shumë të jetë e mundur si e si të mposhtë kundërshtarin; ai luan me durimin e njerëzve, këta të fundit si shqiptarë ashtu edhe të huaj, tek i çon gjërat deri në cak e pretendon se i manipulon mendjet e tyre; është sa kritik e ironik aq karizmatik ndërsa e përshtat zërin në një mënyrë vërtet të bindshme. Të gjitha këto veti ia jep djalli që i shërben me besnikëri që vjen ashtu fuqishëm në formën e pushtetit dhe parasë.
Dr. Faust vishet sa me ngjyrën blu aq me atë të kuqen në podiumin shqiptar. Fytyra e tij nuk është kurrë një; ajo ndryshon me ditë. Jep e merr me ato që e rrethojnë sa duket sikur është në dyqanin e Lom Deliut në Tiranën e 1943, ku gjyshi im më thotë se lloj-lloj pazaresh bëheshin pafund. Megjithëse koha e pazareve të tilla ka kaluar, ai vazhdon rëndshëm të jetë i përfshirë në to.
I pajisur me fuqi të falura nga pakti me djallin, Dr. Faust bredh shumë nëpër botë, sidomos në Bruksel, ku përpiqet t’i kthejë humbjet gjithnjë në fitore e pikat e dobëta në të forta e të bjerë në sy duke bërë një seri trukesh, a thua se po flet me një tufë langosh e jo me një grup njerëzish, që vetëm sa hyn tek dera e kuptojnë se me kë kanë të bëjnë.
Megjithëse në krahun e Dr. Faust është shkruar “Fluturo o njeri” (O Man, fly) – pjesë e paktit – ai shpesh fluturon kur do e kur nuk do jepet pas paudhësive.
Gjithsesi do apo nuk do, koha po ngushtohet për Dr. Faust. Rëra në orën e tij po derdhet me fuqinë e një lumi që nga reshjet është fryrë sa më s’ka. Në natën finale para skadimit të 24 viteve (në versionin shqiptar 21 vite), Dr. Faust do të përfshihet nga frika dhe pendimi për paktin e bërë me djallin. Asgjë nuk shkon përjetësisht. Ai do të kërkojë mëshirë për të pasur më shumë kohë si ato aplikimet për shtyrjet e pafundme të mandatit të komisionit për reformën elektorale, por nuk ka më kohë. Askush nuk mund t’u gëzohet fuqive përjetësisht. Ky do të jetë ndëshkimi që meriton çdokush që vonon realizimin e
ëndrrës së fëmijëve dhe të rinjve, si dhe luan me fatet e njerëzve të thjeshtë, që nuk kërkojnë lukset e ofiqet që të falin paktet me djajtë por thjesht të mos jenë më të vetmuar, por pjesë e familjes së madhe europiane, aty ku ato gjithnjë e kanë ndjerë se i përkasin.