KOSTA BARJABA
Sa më shumë që programi socialist “Për Një Rilindje Shqiptare” konfirmohet si një nevojë për nxjerrjen e Shqipërisë nga udha pa krye ku e kanë futur veprimet e qorrollepsura dhe të papërgjegjshme të kësaj mazhorance, aq më shumë ai sulmohet prej përfaqësuesve të saj. Por asnjë prej akuzave ndaj programit nuk është mbështetur në argumente. Sulmet ose janë përfolje vulgare, të ngjashme me të folmen në kroin e fshatit, ose sulme ideologjike mjaft të vjetruara, sikur vijnë nga një kohë tjetër. Kjo po ndodh edhe me sulmet cinike ndaj të përndjekurve politikë. Mbështetja socialiste ndaj kësaj shtrese nuk është as taktikë elektorale, as heqje dorë nga parimet e qendrës së majtë. Është thjesht një qëndrim parimor për të dhënë drejtësi sociale për të gjithë grupet e popullsisë. Madje, edhe për grupet që në pamje të parë duket sikur kanë interesa të kundërta e përjashtuese.
1.
Kur grupi i punës për hartimin e programit “Për Një Rilindje Shqiptare” adresoi çështjen e të përndjekurve politikë, nuk patëm asnjë dilemë. Madje edhe trajtimin e problematikave të të përndjekurve paralel me ato të veteranëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e bëmë me vetëdije të plotë. Për t’i ardhur në ndihmë lexuesit, po citoj pjesët përkatëse të programit: “Ne marrim përsipër t’i japim fund hipokrizisë dhe abuzimit të njëzetvjeçar me të përndjekurit politikë. Ne do të bashkëpunojmë me ta për ta mbyllur me dinjitet plagën e hapur të moskompensimit të tyre. Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit. Dëmshpërblimi për të përndjekurit mbi moshën 75 vjeç do të kryhet brenda një viti”. Pak më lart ndodhet paragrafi programor për veteranët: “Socialistët janë bartës të vlerave më të mira të patriotizmit shqiptar dhe të atdhetarizmit të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nderojmë historinë tonë kombëtare dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, me heronjtë e dëshmorët e vet, si një faqe të ndritur të historisë, ku roli i veteranëve të luftës mbetet një pikë referimi e palëvizshme. Politikat tona publike dhe sociale do të respektojnë statusin e veteranit. Shërbimi dhe kujdesi ndaj veteranëve do të jenë prioriteti ynë i patjetërsueshëm social”. Duke adresuar paralelisht nevojat e këtyre grupeve “të kundërta” të interesit, socialistët angazhohen për të dhënë më shumë drejtësi sociale dhe ndërtuar një shoqëri me kohezion social, një Shqipëri-shtëpi të përbashkët për të gjithë. Zhvillimi i vendit dhe cilësia e jetës së popullsisë nuk mund të mbetet peng i inercive ideologjike, të cilat më shumë se kushdo në Shqipëri i shfaq mazhoranca e sotme. Dhe në pamjen më të spikatur, i demonstron aty ku më pak duhej ta bënte këtë: në qëndrimin ndaj të përndjekurve. Jo thjesht për votat që i kanë dhënë gjatë njëzetë vjetëve, në garat elektorale. Më shumë për rrethanën njerëzoro-kohore se gabimet me një pjesë të të përndjekurve, ashtu si edhe me një pjesë të veteranëve, mund të shndërrohen në të pakorrigjueshme. Kur qeveritarëve të sotëm mund t’u vijnë mendtë, pjesa më e madhe e veteranëve dhe të përndjekurve nuk do të jenë më në këtë botë.
2.
Të njëjtën drejtësi sociale do të hapë qeverisja socialiste edhe përkundër qëndrimit të vjetruar ideologjik të mazhorancës së sotme edhe ndaj problemit të strehimit të banorëve që jetojnë në banesat e pronarëve të ligjshëm. Qëndrimi klasor i të vetëquajturës të djathtë u shfaq fare hapur, kur shqiptarët u njohën me një pjesë të listës së njerëzve që do të përzihen nga shtëpitë ku jetojnë, drejt e në rrugë. Nuk është se e djathta shqiptare ka mbajtur qëndrime korrekte dhe ka dhënë drejtësi sociale ndaj pronarëve, të cilët, me gjuhën e sekuestruesve komunistë të viteve të pasluftës i quan madje ish-pronarë. Zëvendësimi në programin socialist i termit “ish-pronarë” me termin “pronarë”, nuk është një lojë fjalësh, por kapërcimi i një qëndrimi politik, frymëzuar nga inercia e luftës klasore dhe përqasja armiqësore ndaj pronës private. Socialistët mund të krenohen se e kapërcyen këtë paragjykim dhe e shndërruan atë në një platformë programore, duke u angazhuar se “…do të zgjidhim përfundimisht, brenda mandatit të parë qeverisës, problemin e strehimit të banorëve që jetojnë në shtëpitë e pronarëve. Qeveria socialiste, në bashkëpunim me pushtetin lokal, do të ndërtojë me financime publike ose do të blejë apartamente të reja, të cilët do t’i përfitojnë falas banorët që jetojnë në shtëpitë e pronarëve. Ky program do t’u krijojë mundësi pronarëve të marrin në pronësi shtëpitë e tyre. Qeverisja socialiste do të vendosë drejtësi sociale, duke zgjidhur njëkohësisht edhe problemin e banorëve të pastrehë, edhe problemin e pronarëve legjitimë të shtëpive”. E djathta, për fatin e keq të saj dhe të shqiptarëve, e ka shndërruar çështjen e pronës në një gjyle në këmbët e saj dhe në një pengesë për zhvillimin e vendit.
3.
Takimin me Marksin Kryeministri, më shumë se në çdo çështje tjetër programore, na e sugjeron në filozofinë tonë për ndryshimin e sistemit të taksimit. Por më tepër sesa një sulm ideologjik i dalëboje, qëndrimi i mazhorancës ndaj politikave fiskale të propozuara në programin socialist synon një diversion të pastër ndaj marrëdhënieve të socialistëve me komunitetin e biznesit. Problemi me sistemin e taksimit nuk qëndron thjesht brenda sistemit, pra në vetë atë, por në pasojat ekonomike dhe sociale të tij. E djathta synon një shoqëri ku “dora e padukshme” e tregut është zëvendësuar nga një “grusht i padukshëm” i qeverisë dhe klientëve të saj ndaj shumicës së popullsisë, përfshirë sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Madje edhe ndaj atyre të mëdhenj, që qëndrojnë jashtë oborrit të qeverisë. E majta synon një shoqëri me drejtësi sociale, ku të gjithë të kontribuojnë dhe përfitojnë në mënyrë përpjesëtimore prej kontributeve të tyre. Deri tani janë vënë në fokus të filozofisë së taksimit korrelacioni midis nivelit të taksimit dhe nivelit të të ardhurave. Ky është një aspekt, por jo i vetmi. Drejtësi sociale nëpërmjet taksimit progresiv të diferencuar nuk do të thotë vetëm të paguajë më shumë kush fiton më shumë. Drejtësi sociale do të thotë që sipërmarrësi që hap një rrobaqepësi në Delvinë apo në Gramsh, të mos tatohet njëlloj si pronari i rrobaqepësive në Tiranë apo Durrës. Që fasonët, të cilët heqin të zitë e ullirit për të hapur e mbajtur në këmbë një biznes, të mos tatohen njëlloj me kompaninë e huaj që shfrytëzon në mënyrë të pakthyeshme burimet natyrore të Shqipërisë. Që sipërmarrësi që hap vende pune të reja, të mos tatohet njëlloj me biznesin që nuk krijon vende pune. Që punëdhënësi që i formon punëtorët me shpenzimet e tij, të tatohet ndryshe nga biznesi që i merr ata të gatshëm. Pra, drejtësi sociale në taksim do të thotë që koeficientet e taksimit të jenë në korrelacion jo vetëm me të ardhurat e fitimet, por edhe me ndikimin në punësim, reduktimin e varfërisë dhe ndërtimin e kohezionit social e territorial të vendit.