NDUE DEDAJ


Ndue DedajNë këto njëzet vite ka ndodhur një reformim gjithësor i arsimit, por në disa anë, si drejtimi i shkollës, dhe pse të “kreut”, ndryshimi nuk ka qenë i pritshmi. Diku për shkak të traditës. Diku të politikës. Apo dhe të nepotizmit. Vite më parë, në kuadrin e projektit të ndryshimeve demokratike në shkollë, me specialistë të Këshillit të Europës, veçmas të “Kultur Kontakt” (Austri), diskutonim gjerësisht edhe mbi mënyrat e reja të drejtimit të shkollës, si dhe vëzhgonim në trembëdhjetë gjimnaze të vendit zbatimin e demokracisë shkollore. Siç ka pasur edhe mjaft trajnime të tjera mbi shkollën efektive etj. Por me gjithë asistencën europiane, amerikane për ta ndryshuar arsimin, kanë mbetur në fuqi sërish drejtues të frymës së vjetër. Kjo tregon se sa i fortë ka qenë ndikimi i metodologjisë moniste të drejtimit dhe sa përshtat iu vjen ai sot disa hallkave të pushtetit. “Pika më e dobët e arsimit është drejtimi i shkollës”, pohon drejtori i një zyre arsimore. E thënë kjo nga një zyrtar i arsimit, që si rregull këto punë i ka në dorë për t’i ndrequr, ngjan dhe më serioze. Pyetja është: cili është profili i drejtuesit të një institucioni arsimor parauniversitar, shkollë, konvikt, kopsht, qendër kulturore fëmijësh e të tjerë? A i përzgjedh drejtorët bordi i shkollës, apo ky është një nocion fiktiv, vetëm në letër? Duket se më së shumti kemi drejtim tradicional të shkollës, ndonëse të mveshur me terma demokratike. Vëren ngado të njëjtat shabllone drejtimi, të njëjtat mendësi autoritare. I mëshohet anës formale, “disiplinës” së stafit, bindjes ndaj unit të drejtuesit etj. Madje ka dhe nga ata që përpiqen t’u bëjnë karshillëk eprorëve të tyre të DAR e ZA, pasi i kanë krahët e ngrohta diku tjetër më lart. “Ne nuk kemi një shkollë që përgatit drejtues, por bëjmë ashtu si dimë/duam vetë”, thotë një drejtor shkolle. Dhe kur nuk qeveris dot me mjetet e demokracisë, natyrisht që modelin e kërkon te stili komandues, forca e urdhrit, imponimi, reflektim i një psikologjie “bolshevike” të baballarëve, paçka se qesharake për këtë kohë. Ndaj ka nevojë për reformim përmbajtësor të drejtimit të shkollës, mbase si burokracia e fundit e trashëguar nga monizmi, çka mund të bëhet vetëm nga MASH, e interesuar drejtpërsëdrejti për cilësinë e procesit mësimor, pa u ndikuar nga zyrat e tjera të ekzekutivit, pushtetit vendor, përgjithësisht të prirura nga përmbushja e detyrimeve elektorale. Ligji për arsimin parauniversitar, miratuar së fundi nga Kuvendi, krijon mundësi të reja reformuese edhe për sa i përket drejtimit, për më shumë identitet profesional dhe pavarësi nga politika të drejtuesit të shkollës dhe arsimit në nivel rrethi e qarku.


 


Shkolla nuk mund të drejtohet me “dorë të fortë”


Të njëjtit drejtues rutinorë lihen në krye të shkollave për vite e vite, qarkullohen nga një shkollë në tjetrën, ose riciklohen sa herë ndërron pushteti. Disa zyrtarë lokalë mjaftohen me “ai/ajo na mban shkollën”(!) çka tregon mungesë vlerësimi për këtë institucion, mësuesit në karrierë, kapacitetet e tyre intelektuale, nxënësit dhe vetë komunitetin. Është i kapërcyer koncepti i të bërit të shkollës zap nga një dorë e fortë. Shkolla nuk është një vend ku është shthurur rendi dhe duhen gjetur ca tipa “policorë” për ta vendosur atë. Ende nuk kuptohet se funksioni i drejtuesit të një institucioni edukimi është fund e krye bashkëqeverisës: me stafet pedagogjike, qeverinë e nxënësve, bordin e shkollës etj. Dihet se një nga treguesit e demokracisë është puna në grup, në ekip, por siç vërente një ish-drejtuese shkolle nga kryeqyteti, aq sa kjo është rezultative te fëmijët, aq e munguar është te të rriturit dhe në rastin konkret te drejtuesit e shkollës. Nuk përfillet as tradita që shkolla ka pasur herët e vonë. Të mendosh që drejtor shkolle në fillimet e shekullit XX ka qenë Aleksandër Xhuvani. Në Shkodrën e viteve ’80, kur kalonte nëpër rrugët e qytetit një zotni i moshuar në pension, Lutfi Hoxha, të gjithë i hiqnin kapelen. Kishte qenë drejtori i gjimnazit të qytetit dhe nderohej pafund. Por kjo “specie” aristokrate nisi të zëvendësohej me njeriun e ri të organizatës së Partisë. Në monizëm zotëronte mendësia që një ndërmarrje, kooperativë, a shkollë t’ia besojmë dikujt që ia del planit, pavarësisht se në ç’mënyrë e realizonte atë, me dallavere apo me “dajak”, dhe të tillë ka pasur jo pak që shëtisnin sa në një ndërmarrje në tjetrën, falë besnikërisë ndaj komiteteve, paçka paaftësisë kronike. Këta drejtonin stafe të tëra inxhinierësh, ekonomistësh, arsimtarësh, struktura administrative, teknike etj. Këto nuk i themi për të bërë “histori”, po se dhe sot rrallë ngjet të ketë përzgjedhje profesionale dhe elitare në drejtimin e shkollave, sidomos në zonat rurale, ku ka pak mundësi dhe më së shumti kërkohet një “bari” i mirë. Nuk kuptohet se si një mësues a mësuese gradohet aty për aty në drejtimin e një shkollë me 700 a 100 nxënës, kur deri dje kishte menaxhuar vetëm klasën në kujdestari dhe atë dobët; pa bërë asnjë trajnim e kualifikim për menaxhim shkolle. Ky tip drejtuesi mediokër, që falë tarafeve apo militantizmit “sfidon” të aftit, është ende i pranishëm në shkolla. Ndërkohë ka një bazë teorike, ligjore dhe etike për drejtimin dhe menaxhimin efektiv të shkollës, ku etika përfshin artikulimin e sjelljeve të mira dhe të zakoneve që profesionistët e arsimit kërkojnë, duke respektuar kryekrejet dinjitetin njerëzor. Respektimi i kodit etik nga mësuesit dhe drejtuesit, bën që të rritet ndjeshëm cilësia në fushën e arsimit dhe në shkollë të krijohet një klimë suksesi, dhe assesi konfliktualiteti, njëlloj sëmundje profesionale e jo pak drejtorëve tradicionalë.


 


Ndryshimet demokratike në shkollë shmangin stilin burokratik të drejtimit


Shkolla është në ndryshim të vazhdueshëm, në strategji, kurrikula, tekste, metoda, staf etj., si e si për të “prodhuar” një mësimdhënie sa më cilësore. Dhe sot bëhet fjalë për cilësi në standarde, ballafaquar me shkollën perëndimore. Është ajo busulla që rri në horizontin e dijes. Integrimi mbërrihet kur je në të njëjtën gjatësi vale me europianët. Por drejtuesit e shkollave nuk dërgohen as brenda “unazës së vogël” për të parë përvojën e shkollave, si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, në kushte të përafërta me ne, kur normale do të ishte që të njiheshin dhe shkollat e një rajoni më të gjerë, ballkanik, eurolindor etj. Jo vetëm drejtuesit, por dhe stafet pedagogjike, nxënësit, prindërit. Binjakëzimi si duket është një terminologji joshëse, por shterpë për sa i përket realitetit arsimor shqiptar. Ka “binjakëzim” njësish vendore, sa për të dhënë e marrë ca tituj nderi mes drejtuesve përkatës, për të shkëmbyer mirënjohje protokollesh, por jo shkëmbim përvojash mes shkollave etj. Mund të kishte dhe një shoqatë të drejtuesve të shkollave, për shkëmbimet me jashtë etj. Përndryshe, janë disa faktorë që drejtimi i shkollës nuk të kënaq. Kultura e drejtimit është atribut i njerëzve të civilizuar dhe jo i atyre që i kanë kërcyer kalit mbrapsht dhe as nuk dinë t’i zbresin vetë, as nuk i ulin ata që e kanë për detyrë. Mazhoranca, që ka përgjegjësitë e qeverisjes, duhet të preokupohet për drejtimin jo të frytshëm në shkolla, si aty ku ai është prepotent, si aty ku është i mefshtë e pa ide, që jo vetëm nuk është lehtësues i mësuesve e nxënësve, por stresues i tyre. Askush nuk di të thotë se pse disa drejtues shkollash “partizanë” janë aty prej shtatë a shtatëmbëdhjetë vitesh, si tekniku i të njëjtit pyll. Apo shohin disa qeveritarë e zyrtarë të tjerë që nuk lëvizin nga postet deri sa të bjerë mandati qeverisës, si në asnjë vend tjetër europian, ku pushteti që të jepet për të ushtruar, nuk është dhuratë për mirëqenien tënde vetjake e familjare, por shërbesë ndaj njerëzve dhe sfidë në zhvillimin e demokracisë. Parametrat reformuese të drejtimit në arsim nuk do të importohen, ato gjenden brenda vetë shkollave, veçanërisht të Tiranës, ku niveli i shkollimit ka krijuar modele dhe për sa i përket menaxhimit të shkollës. Veçse nismat për ndryshim të mos ua lëmë vetëm zyrave, po të jemi pjesëmarrës dhe ne si qytetarë. Për progresin në arsimin publik e jopublik janë të interesuar të gjithë aktorët. Propozimi ynë mund të shtrihet dhe më tej, në përzgjedhjen e drejtorëve të DAR/ZA nga një “konventë” e përbashkët e politikës, shoqërisë civile, komunitetit etj.


Së fundi, a kemi edhe sot drejtorë që kur kalojnë rrugës, njerëzit iu heqin kapelen?…