ZAMIRA ÇAVO
Më pëlqen optimizimi i qeverisjes në lidhje me arsimin. Por fatkeqësisht, realiteti më tregon se në mos qoftë një ëndërr utopike ajo çka thuhet për klasat dixhitale, është një demagogji e radhës. Nuk është keq të ëndërrosh, as të flasësh me gjuhën e teknologjisë, por nëse nuk vihet mbi një realitet konkret, çdo ëndërr mbetet si objeksion i së ardhmes ose si një zhgënjim i madh i saj.
Për të disatën herë po i rikthehem problemit të arsimit. Shkak këtë radhë mora nga dy pamje: atë të z. Rama (ditën e parë të fillimit të shkollës), teksa fliste për klasat dixhitale që do të ketë mbarë vendi në 2018-n dhe të asaj vajzës së re, që me pamjen e një të shumëvuajture në mërzi, shkruante po atë ditë në “Facebook”: “Uffa filloi shkolla”! Dhe ishte mësuese!
Arsimi shqiptar ka probleme të mëdha. Madje, shumë më të mëdha nga sa duken. Me bindje do të thosha se problemet dhe përparësitë që ka arsimi janë po aq parësore sa problemet e drejtësisë. Pse e them këtë? Sepse nuk besoj që ka njeri të shkolluar që të mos e dijë se një komb që nuk kujdeset për edukimin e fëmijëve të tij është i destinuar të humbasë.
Të gjithë e dimë se si është katandisur arsimi në këto 25 vite demokracie në Shqipëri. Unë pyes sot publikisht: Pse duhet të presin institucionet e këtij shteti çdo gjë nga goja e Kryeministrit? Pse veprojnë në mënyrë spontane dhe shpesh pa asnjë qëllim? Pse administrata publike nuk nxjerr dot “qimen nga qulli” për mjaft probleme të ditës? Pse një emërim pasohet me një problem dhe një shkresë me një kundërshkresë? Pse kaq paaftësi? Sepse brezi i të rinjve që janë punësuar janë ata të sistemit tonë 25-vjeçar të arsimit. Mund të kenë marrë diplomë, por nuk dinë (mund të dinë), por nuk kanë integritet, mund të kenë përfunduar me “dhjeta” dhe nuk arrijnë të orientohen në zgjidhjen e problemeve. Dhe e gjitha kjo ka të bëjë më sistemin tonë arsimor.
Në mendimin tim, asnjë ligj nuk mundet dot të shkojë në thelbin e vet të arsimit në Shqipëri. Mund të rregullosh ose çrregullosh financat, varësinë, mund të bësh show mediatik gjithë ditën, mund të pretendosh me mirësjellje se ke sjellë një politikë të re duke mbyllur ca shkolla fantazmë e duke hapur të tjera me licenca të rregullta. Por nuk ke zgjidhur thelbin e problemit: të mësuarit! Kur Rilindja mori pushtetin u tha se brenda pak kohësh gjithçka do “inventarizohej”: shkollat, mësuesit dhe background-i i tyre, drejtuesit dhe aftësitë e tyre, tekstet dhe përmbajtja e tyre, nevojat si dhe kualifikimet. Sot pas dy vitesh mendoj se jemi ende tek “a”-ja. Çfarë kemi zgjidhur? A janë nxënësit më të përkushtuar për të shkuar në shkollë? A përfitojnë ata nga shkolla apo u mjafton një diplomë dhe një parti për të zënë një vend “drejtues” në këtë shtetin tonë të varfër? A janë mësuesit më të motivuar për të qenë jo thjesht mësimdhënës, por krijues të një brezi që synon majën e teknologjisë? Problemi përqendrohet vetëm te financat. Thuhet se shteti merr përsipër pagesën e disa librave. Dakord. Dhe kjo është e rëndësishme, por është vetëm një e milionta pjesë e problemeve që ka arsimi.
Dy nga parimet kryesore në edukim janë: a) njerëzit janë të ndryshëm dhe b)njerëzit janë kureshtarë. Këto dy parime duhet të jenë në themel të edukimit në shkolla. Por askush nuk e ka në vëmendje këtë. Dhe në një familje, kur ke dy fëmijë, detyrohesh të punosh ndryshe me ta. Po në një klasë me turne, pa drita, me një shoqëri indiferente, me politika demagogjike, si i bëhet?
Me gjithë respektin e madh që kam për brezin e mësuesve që në kohët më të vështira kanë mbajtur emrin edukator, unë jam shumë skeptike në lidhje me emërimet në sistemin arsimor. Dhe mos më thoni se janë bërë më konkurse… Çuditërisht dhe konkurset kanë sjellë në krye ose të korruptuar, ose të dënuar! Është po aq e vërtetë, se jo çdo njeri që ka një diplomë mund të bëhet mësues. Pale që jam e bindur se ka shumë pa diploma fare. Atëherë, çfarë kemi zgjidhur? Si do ta bëjë punën të diferencuar mësuesi me 35 vetë në klasë, me 22 orë në javë, me një pagë aspak të kënaqshme? Si do ta bëjë këtë edukim diferencial mësuesi, kur kualifikimet e tij janë lënë në dorë të vetë mësuesit, i cili vrapon të marrë kreditet aty ku gjen “mundësinë”? Çfarë kemi zgjidhur? A u nevojitet nxënësve një edukim për hir të edukimit në një shkollë të tillë? A u hyn në punë? Dhe natyrshëm bie interesi i nxënësve për shkollën dhe nëse ti e dixhitalizon atë.
Po le të shikojmë tjetrën: Në një shoqëri si e jona, ku mungojnë shumë kultura e të shprehurit, e të bashkëpunuarit, ku mungon pjesëmarrja si element vullnetarizmi, ku mungon respekti dhe integriteti ka nevojë për një kurrikul të veçantë, që i përgjigjet boshllëkut që kemi në trashëgiminë tonë. Por jo! Askush nuk e lodh mendjen. Madje themi se kemi bërë kurrikul të re, i jemi përshtatur Europës, por se çfarë mielli kemi në vend as që i intereson kujt. Shtojmë matematikë dhe fizikë dhe heqim filozofi e komunikim. Dhe fëmijët që stresohen e bëhen edhe më arrogantë e me më shumë probleme. Realisht në të gjithë kurrikulën parauniversitare ka një tendencë të dukshme diskriminimi ndaj lëndëve të tilla, si arti, filozofia, morali etj., etj. Atëherë çfarë brezi do të prodhojmë?
Më pëlqen futja e teknologjisë në shkolla, por si u bëhet turneve? Si i bëhet faktit që ka shkolla, të cilat ende nuk kanë mure të rregullta, pale internet? Si i bëhet kur pjesa dërrmuese e fëmijëve po e humbasin çdo ditë dëshirën për të shkuar në shkollë dhe prindërit po humbasin besimin se fëmija e tyre mëson ndonjë gjë që i duhet për të ardhmen? Nëse ke një video apo ca slide (slaite) që i ke në laptopin tënd mund t’i shohësh kur të duash, por nëse nuk do dhe je i detyruar t’i shohësh, si i bëhet? Dhe vjen përgjigjja: Nesër! Dhe kjo “nesër” do të thotë asnjëherë!
Po le të shikojmë pak parimin e dytë: kuriozitetin. Çfarë e ka shtyrë botën përpara? Si mund të bëhen kreativë nxënësit sot? Kush duhet t’ua nxisë kuriozitetin? E kam thënë dhe vazhdoj ta them: Nuk ka shkolla të mira pa mësimdhënës të mirë! Ndaj asnjë lloj kurrikule nuk e shpëton arsimin pa një sforcim tërësor dhe gjetjen e rrugëve të duhura për aftësimin e mësuesve. Por të mos harrojmë; nuk bëhet kreativ një i sapodalë nga bankat e shkollës e që ende nuk di se ç’do të thotë mësim. Nuk bëhet nxitës i kureshtjes ai ose ajo mësuese që i hyn këtij profesioni se do një pagë e të rrijë rehat. Nuk e di, por më është dukur tepër primitiv aksioni qeverisës për testimet. Testimet janë për diagnostikim dhe jo për kurim. Kjo duhet të ndodhë edhe në arsim. Nuk mund të quhet e përfunduar detyra e mësuesit se bëri një testim. Jo. Mësimdhënia dhe mësimnxënia kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit ndaj lipset të jenë në qendër të problemit të arsimit.
Do të duhej shumë kohë për të analizuar problemet e mëdha që ka arsimi, sidomos ai parashkollori dhe parauniversitari. Nuk bëhet reforma pjesore dhe formale, nëse më parë nuk di gjendjen reale ku ndodhet fëmija shqiptar dhe kushtet reale ku gjendet arsimi shqiptar. Ndaj e ritheksoj: Është mirë të ëndërrosh, por më mirë është të zgjohesh e të shikosh realitetin që të rrethon.