FADIL LEPAJA


Fadil Lepaja(Çdo ngjashmëri me personat realë është e rastit. Emrat e personave që përmenden si pacientë të QKUK-së, nuk janë realë. As shteti, përkatësisht vendi i ngjarjes, nuk është real, se këtu nuk ka shtet.)


Në këto çaste, kur po e shkruaj këtë kolumnë, kjo ngjarje tashmë ka kaluar në histori. Sidoqoftë po e rrëfejmë për gjeneratat e ardhshme. Ndërkohë që shteti po sillet vërdallë dhe po heton diçka, por… s’ka çka me ba shteti i ngratë! Fjalën e fundit do e thonë vetëm historianët.


Kështu, Sabiti, i sëmurë rëndë, i shtrirë në dhomën e kujdesit intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (në tekstin e mëtejmë veç QKUK) me fuqitë e fundit i shkëputi tubat me të cilat ishte lidhur prej aparateve që e mbanin ende në jetë dhe tha: Burra, po dalim! Dikush e lëvizi dorën, dikush kokën e dikush vetëm qepallat, por të vetëdijshëm për momentin historik nëpër të cilin po kalon vendi ynë, të gjithë u pajtuan me këtë fjalë burrash.


“Ke folë si burrat, Sabit! – i thanë të tjerët. – Po dalim! Mos të pengojmë procesin! Mos të pengojmë negociatat, në mes të dy palëve! Në mes të burgosurve dhe të EULEX-it! Se shteti ynë, nuk është aty. As me ata e as me këta. Ka thye qafën në… bostan.


Lëvizja paqësore që po lindte para syve të tyre në QKUK i entuziazmoi pa masë pacientët e sëmurë rëndë. U dha shpresë për një jetë më të mirë. Kur të vijë xhebraili me na marrë, tash mundemi me i thanë: S’po due me ardh! Kur të vijnë gardianët me ju thanë hajdeni me shkue në burg, ju mundeni me thanë: S’po due! Shteti më nuk është më aparat i dhunës. E kemi ndërrue kuptimin e shtetit. Ka vdekë komunizmi, burra! Rroftë demokracia! Themeli i Misionit të ri! S’ka shtet! Jemi veç ne! Qysh të doni ia bëjmë! Kështu, pacientët e sëmurë rëndë lidhën besë. Nuk është koha me vdekë, foli jerm njëri nga ata dhe u çua nga koma. Duhet me jetue e me pa se qysh po shkon kjo punë.


Çka ke me pa more burrë? – po thoshte mjeku kujdestar, një djalë i ri i sapopunësuar në QKUK. – Ec, kthehu e shtrihu në shtrat! – po i thoshte ai një pacienti, i cili po zvarritej drejt derës. Në shëndetësi s’ka politikë! S’ka kurrgjë more burrë! As barna, as kushte… Po fliste mjeku i ri kujdestar dhe po… qante. Pacientët, duke kujtuar se po qante për shkak të situatës politike të krijuar në shtet, nejse në vend se shtet këtu nuk ka, po e ngushëllonin: Hajt burrë, se veç po luajnë pak fshehtas me shtetin.


Hajt, doktor se do bëhet mirë, – po e ngushëllonte një pacient tjetër i sëmurë rëndë. Në fund, të gjithë bëhen mirë! Kah kan me shkue?! Bota është e rrumbullakët! Pastaj, krejt bota janë kësajde. Të mençur janë të dy palët dhe nuk luftojnë në mes vete ata, mos u tut! Nuk e mund dot shteti familjen, o doktor! Jo çdo familje! Disa familje te ne janë më të forta se shteti!


Mjeku fshiu lotët, e ndezi një cigare, dhe tha: Zoti ju ruajt burra! Më shëruat. Po dalim. Nuk bën me prezencën tonë me e pengue procesin hist(e)orik! Ne e kuptojmë kur jemi të tepërt. S’ka nevojë me na përzanë.


Përjashta ish-deputetë, ish-veprimtarë, ish-luftëtarë, ish-patriotë, ishin strehuar nën hije, për shkak të diellit të fortë dhe po bisedonin zhurmshëm. Po artikuloheshin kërkesat, për të cilat më pastaj do të flasin gjeneratat. E shteti nuk ishte aty! As në uniformë e as i maskuar. Nuk donte me i shqetësue kot. Veç ditën e parë, shteti kishte shpallur shtetrrethim nëpër lagje të kryeqytetit. Për me i kapë të arratisurit. Të cilët as kishin lëvizur nga vendi. Operacioni “Unaza e çeliktë”, i dizajnuar me i kapë të ikurit, krijoi kaos të paparë në komunikacion. Në vend të të arratisurve, e kapën Dardanin. Sekretarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Pa merak! Ishte veç një ngjarje për media. Cirkus!


Kështu, shteti, përkatësisht ajo që ka mbetur nga shteti, pas shpërndarjes së Parlamentit, pra Kryeministri në detyrë, në këtë kohë kur po ndodhnin krejt këto ngjarje historike, po i përcillte nga tribunat e stadiumit olimpik në Mitrovicë, ndeshjen historike të futbollit, ku morëm veç gjashtë gola nga vëllezërit e tij. Pra, nga përfaqësuesja e Turqisë. Po të mos ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Kryeministrit në detyrë, ka mund të bëhet shumë më keq! Nuk kishim shpëtue pa dhjetë gola. Flitet se Kryeministri në detyrë i ka shkrue drejtpërdrejt Kryeministrit Erdogan një SMS, me këtë përmbajtje: “Kadal he burrë se veç ndeshje miqësore është! Nuk është Beteja e Kosovës!”


Nejse, ne e bëmë tonën! Me këtë rast, për herë të parë e shpalosëm edhe flamurin gjigant të Kosovës, ku tifozët kaltëreverdhë filluan të këndonin himnin: “O moj Kosovë e, mos thuj marova, eeee!”. Prej betejës së Kosovës e këndej, qoftë mit apo ngjarje e vërtetë, na ka mbetë shprehi me i festue humbjet. Me rëndësi është me marrë pjesë!


Krejt kjo parodi do të mësohet në histori. Në libra të historisë. Pasi të korrigjohet historia e shkruar nga komunizmi. Do të festohen tri ditë, si çdo festë e madhe. Do të festohet edhe udhëtimi historik, me tren” i Kryeministrit për në Drenas. E pagoi biletën! Edhe ky ishte çast historik, të cilin e kapi kamera. Ata që e dinë shprehinë e Kryeministrit në detyrë, betohen se ai ka shkue me tren veç për mos me provokue situatën… Mirë, boll! Shteti nuk bën me provokue… familjen! Disa familje, sidomos! Edhe ashtu deri tani krejt fushatën e ka ba me pare të shtetit. Ka shteti pare!


Dikush tha se ato ditë, dikush megjithatë vdiq në QKUK. Vdiq shteti ligjor! Zoti pastë ba rahmet në shpirt të tij! Kështu lutemi ne, sidomos duke pasur parasysh koalicionin për shtet, ku Kryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë kanë ba disa kompromise, për të cilat do t’ju njoftojmë më vonë.


Thuhet se gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët me gjermanët po luftonin rreth Landovicës. Ata bam, këta bum! Tym e flakë përreth. Luftimet ishin të ashpra. Pastaj pylltari hipi në majë të bjeshkës dhe piskati sa u rrëqeth edhe qielli: A po doni me ma kallë malin a? Dilni prej malit tim!