RUDINA HOXHA
Një nga letrat më të bukura që mori firma gjermane e bizhuterive “Wellendorff” e krijuar në vitin 1853, nga njëra prej klienteve të saj shoqëron sot reklamën kryesore të kësaj firme. Klientja thotë se kur shtëpia e saj u shkatërrua plotësisht nga zjarri në 2010, nuk do të kishte besuar kurrë se e vetmja gjë që do të shpëtonte do të ishte një kolanë e firmës ku binte në sy një engjëll i vogël prej ari.
Mendoj se ajo që lë pas Europa në Shqipëri ka të njëjtën forcë e vlerë. Sot e besoj më shumë se kurrë se do të jetë Brukseli që do të bëjë një ndryshim radikal në shoqërinë shqiptare, pikërisht ndryshimin ku të gjithë njerëzit e këtij vendi do t’i thërrasin njëri-tjetrit ‘shqiptarë’ pa asnjë dallim.
Më konkretisht. Do të jetë Brukseli që do të bëjë që shqiptarët të mos i drejtohen tjetrit me fjalën “malok”, por “malësor”, fjalë që përfaqëson veti e zakone të shquara të Veriut të vendit tonë. Do të jetë Brukseli që do të bëjë që të mos përdorim më fjalën denigruese “jevg” apo “gabel”, por në vend të saj të trajtohet edhe ky komunitet si të gjithë shqiptarët e tjerë, d.m.th të mos bëjë ndryshim nga pjesa tjetër e popullsisë. E së fundmi, do të jetë Brukseli që do të bëjë të mos përdorim fjalën “lab”, por toskë. Sikur këto tri fjalë fyese të hiqeshin nga fjalori ynë, shoqëria shqiptare do të ishte shumë më ndryshe. Do të ishte një ndryshim mentaliteti që do konfirmonte një nivel më lart të zhvillimit shoqëror.
Këto adresime fyese burojnë nga politika dhe njerëzit do s’do i përdorin për të etiketuar si politikanët ashtu edhe njerëzit e tjerë. Shpesh dëgjojmë të thuhet “E kanë marrë në dorë malokët!” apo “Dava malokësh!” Apo “Ç’pret nga ai, është lab!
Shumë shqiptarë e mbajnë mend një fjalim të socialistit Gramoz Ruçi në një nga seancat parlamentare kur ai iu drejtua Kryeministrit Berisha: “Unë jam nga Tepelena e ju z. Berisha jeni nga Tropoja. Por ç’keni vallë me një djalë nga Tirana? Pse e sulmoni kaq tepër?”, tha ai duke nënkuptuar liderin socialist, Edi Rama. Si mortje, ky diferencim përhapet me shpejtësi. E shohim më tej edhe në ndarjen e fondeve lokale; në marrjen e ndihmës sociale; në marrjen e bursave shkollore; në përfitimet e programeve të ndryshme sociale e kulturore.
A kanë më kuptim këto shprehje e qëndrime ‘përcaktuese” për ne shqiptarët kur ne tashmë e pamë ku na çuan e për më tepër kur objektivi ynë është i përbashkët: hyrja e vendit në BE.
Ato shkaktojnë veç mosmarrëveshje e ndasi që reflektohen qartazi dhe egërsisht edhe në fushata elektorale.
E dimë mirë se shumë vite më parë përdoreshin fjalët malësor apo gegë dhe toskë. Ato duken se mbajnë brenda vetes ato kuptime me të cilat poetët e shkrimtarët e vjetër shqiptarë i përdornin me krenari. E pra është koha që këto fjalë të kthehen prapë në Shqipëri për të zbutur e zvogëluar konfliktet dhe stimuluar bashkimin aq të dëshiruar. Për fatin tonë të mirë, vetëm Brukseli e ka fuqinë dhe magjinë ta realizojë një detyrë kaq të madhe e të vështirë. Dhe shpresat e shqiptarëve te Brukseli janë të mëdha.
Çdo ditë që kalon kuptojmë gjithnjë e më shumë se të gjitha rrugët e shqiptarëve të çojnë drejt Brukselit. Pa Europën ne nuk mund të shpëtojmë nga mentalitete kaq të rrënjosura që tregojnë e shkaktojnë vetëm prapambetje, mërzi e kacafytje.