ENDRIT KRODHIMA


 



Aristoteli, qindra vjet me parë, e përkufizoi njeriun e virtytshëm si dikë që është i ndershëm, i drejtë, i ditur, një mik i vërtetë dhe fisnik. Këtu ai e kishte fjalën për ata udhëheqës e drejtues strategë që duhet të drejtonin popullin grek nëpër luftëra e fitore, atë popull grek që sot po përpëlitet cepave të Europës mes humbëtirave të Ballkanit.


Ndërkohë, ne na duhet një president. Ai duhet të jetë konsensual me të gjithë, jurist i shkathët, politikan me eksperiencë, gjithëpërfshirës, i pëlqyer nga Amerika, Europa, madje edhe Kina e India, simpatik, gojëmbël e fotozhenik, bashkëbisedues i mirë me Çanin, por edhe me Ballën e Fevziun. Për më tepër, presidentit tonë nuk duhet t’ia hajë qeni shkopin, atë shkop që ai duhet ta dredhë majtas e djathtas a nganjëherë ta përdorë për të fshikulluar edhe të ndenjurat e ndonjë gjynahqari si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që i bie të jetë. Le të përdridhet Aristoteli sa të dojë brenda varrit tek na sheh e na dëgjon, e le të përdridhen sa të duan edhe pasardhësit e tij të politikës së re të vendit fqinj. Ne e duam presidentin kështu edhe pikë!


Dhe se mos i shkon mendja njeriu të thotë që këto cilësi që duam ne nuk kanë të bëjnë fare me etikën e virtytin e të lashtëve. Përkundrazi, ne jemi modernë e postmodernë, ne na pëlqen kafja me shllak, cigarja që në mëngjes e gota e pijes në darkë. Ne presidentin e duam të jetë fitimtar me fjalë e me vepra, në konkurse force e bukurie, zgjuarsie e kokëfortësie. Ne e duam të na vetëshpallet e të na lutet që ta zgjedhim, e ne t’i themi “Jo” thjesht për tangërllik. Pastaj ne duam të bëhemi pishman e teksa e shohim tek ikën kokulur t’i themi “Hajde, hajde, se bëmë shaka, hajde bëhu president, se kush rri e merret më”. Ne e duam presidentin si e duam vetë, por e duam edhe të na e zgjedhin të tjerët, mundësisht ambasadorët e huaj, e të na e sjellin gati në një pjatë të argjendtë.


Po e dini çfarë, president të virtytshëm te ne nuk ka se si të ketë, sepse ne nuk e duam një të atillë. Ne e duam presidentin të jetë jo një shembull drejtuesi, por një të fëlliqur më tepër se ne, të përlyer më tepër se ne, gënjeshtar, të shthurur madje edhe pak përtac, marifetçi e mistrec më tepër se ne, që kur ta shohim në televizor, vetja jonë të na duket e pastër. E pasi ta kemi liruar ndërgjegjen së pari, duam ta fillojmë ditën me një kafe duke sharë presidentin tonë që mezi e kemi. E kujt i duhet një president pasqyrë e qelibar i virtytshëm? Një pasqyrë virtyti dhe e pastër do reflektonte vetëm zhulin e kujtdo që është përreth. Po t’i lëmë ëndrrat se diamanti del nga karboni vetëm në laboratorë kimie, e jo në shoqërinë e politikës Shqiptare.


Respekt për gjitha ata kandidatë që e kanë marrë guximin deri tani të dalin hapur e të shpallin që duan të zgjidhen president, e turp për ata që presin t’i shpallë shefi. Respekt për ata drejtues partish nga ana tjetër që i kanë thënë hapur “Po, ne të mbështesim” ose “Jo, harroje!” Turp për ata kryetarë partish që presin nga do fryjë era, kur janë zgjedhur aty që ta drejtojnë ata erën. Respekt edhe për ata kandidatë për president që heshtin në vend që të gënjejnë, që e duan librin dhe mundohen ta zgjerojnë dijen, që jua hapin telefonin shokëve të vjetër, edhe kur këta kanë mbetur njerëz të thjeshtë. Po më duket se këta të fundit i bie të kenë qenë bashkëkohës e mbase shokë rruge të Aristotelit që prehet i qetë tani. E nëse ka mbetur ndonjë nga këta deri në ditët e sotme, guxim, ju keni gjithë mbështetjen që ju duhet për t’u bërë udhëheqës, mbase edhe president. Dhe sa për nja dy kompromise rrugës, s’ka gjë, nuk na mbetet hatri.