Nga Paul Krugman, NYT
Francezët janë revoltues. Grekët gjithashtu. Dhe bëjnë mirë
Të dyja vendet zhvilluan zgjedhjet të dielën, por këto zgjedhje në fakt qenë referendume mbi strategjinë aktuale ekonomike të Europës dhe në të dyja vendet, votuesit i thanë jo kësaj strategjie. Është e paqartë se sa shpejt këto votime do të sjellin ndryshim në politikën aktuale, por koha po ecën qartë në drejtim të kundërt me strategjinë për rimëkëmbje përmes masave të kursimeve – dhe kjo është një gjë e mirë.
Nuk është e nevojshme të thuhet se kjo nuk është ajo që dëgjuat në analizat parazgjedhore. Në fakt ishte disi gallatë të shihje se si apostujt e ortodoksisë tentuan ta portretizonin të kujdesshmin François Hollande si një kërcënim. Ai është “i rrezikshëm”, deklaroi “The Economist”, duke vlerësuar se Hollande “beson me sinqeritet te nevoja për krijimin e një shoqërie më të drejtë.” Quelle horreur!
Ajo që është e vërtetë është se fitorja e Hollande nënkupton fundin e “Merkozy”, aksit franko-gjerman që imponoi regjimin e kursimeve përgjatë dy viteve të fundit. Ky do të ishte një zhvillim i “rrezikshëm”, në rast se kjo strategji po funksiononte, ose kishte ndonjë shans të arsyeshëm për të funksionuar. Në fakt ajo as nuk po funksionon e as nuk ka gjasa; është koha për të ecur përpara. Rezultoi se votuesit europianë janë më të mençur se sa më të mençurit dhe më të mirët e kontinentit.
Ku qëndron e keqja me recetën e shkurtimit të shpenzimeve si kurë për sëmundjet e Europës? Përgjigjja është se para së gjithash besimi te kjo kurë nuk ekziston – pra, pretendimi se ulja e shpenzimeve buxhetore do të mund të nxisë në një farë mënyre konsumatorët dhe bizneset të shpenzojnë më shumë, ka dalë tërësisht i gabuar nga eksperienca e dy viteve të fundit. Shkurtimet e shpenzimeve në një kohë vështirësish ekonomike thjesht sa do ta bëjë depresionin edhe më të thellë. Për më tepër, duket se ka pak ose aspak përfitime nga ilaçi i hidhur. Shikoni rastin e Irlandës, vend që ka bërë ushtarin e mirë gjatë të gjithë krizës, duke i imponuar vetes kursimet më të ashpra të mundshme, me shpresën se do të rifitojë besimin e tregjeve të bondeve.
Sipas ortodoksisë mbizotëruese, kjo politikë funksionon. Në fakt, vullneti për të besuar është kaq i madh sa elita politikëbërëse europiane në fakt vijon të këmbëngulë se kursimet në Irlandë kanë funksionuar dhe se ekonomia e këtij vendi ka filluar të rimëkëmbet.
Në fakt jo. Dhe megjithëse ju nuk do ta mësoni kurrë nga mënyra e pasqyrimit të lajmeve në media, kostoja e huamarrjes së Irlandës mbetet shumë më e lartë se ajo e Spanjës apo Italisë, jo më Gjermanisë. Pra cilat janë alternativat?
Një përgjigje – dhe një përgjigje që ka më shumë kuptim se sa njerëzit në Europë janë të gatshëm të pranojnë – është që të shpërbëhet euro, monedha e përbashkët europiane. Europa nuk do të ishte në këto telashe ku është, në rast se Greqia do të kishte ende dhrahminë, Spanja pesetën, Irlanda funtin e kështu me radhë, sepse Greqia dhe Spanja do të kishin në dorë atë që sot nuk e kanë: një mënyrë të shpejtë për të rivendosur konkurrueshmërinë e eksporteve të veta, pra nuk kanë mundësi për zhvlerësim.
Si kundërpërgjigje për historinë e hidhur të Irlandës, shikoni rastin e Islandës, e cila ishte themeli i krizës financiare, por qe në gjendje të reagojë duke zhvlerësuar monedhën e vet, kronën (dhe pati gjithashtu kurajën t’i linte bankat e veta të falimentonin). Është tërësisht e sigurt se Islanda po përjeton rimëkëmbje ekonomike, pikërisht atë rimëkëmbje që Irlanda teorikisht duhet të ketë.
Megjithatë shpërbërja e euros mund të jetë shumë shkatërrimtare dhe përbën edhe një disfatë të rëndë për “projektin europian”, punën e lodhshme afatgjatë për të krijuar paqe dhe demokraci përmes integrimit të gjithanshëm. A ka ndonjë rrugë tjetër? Po. Ajo ekziston – dhe gjermanët kanë dëshmuar se si mund të funksionojë. Për fat të keq, ata nuk e kuptojnë mësimin që kanë marrë nga vetë eksperienca e vet.
Po të flasësh me udhëheqësit e Gjermanisë mbi krizën e euros, ata kanë qejf të tregojnë se si ekonomia e tyre ishte në vështirësi gjatë viteve të para të dekadës së shkuar, por ia doli të rimëkëmbet. Ajo çfarë nuk dëshirojnë të pranojnë është se rimëkëmbja e tyre u prodhua nga surplusi i stërmadh tregtar i Gjermanisë kundrejt vendeve të tjera europiane – në veçanti, kundrejt vendeve që sot janë të krizë – të cilat përjetuan një bum dhe inflacion përtej normales falë interesave të ulëta të euros.
Vendet e Europës që janë në krizë mund ta imitojnë suksesin e Gjermanisë, në rast se do të përballeshin me një klimë po aq të favorshme – pra që Gjermania dhe pjesa tjetër e Europës të përjetonin një periudhë inflacionare.
Kështu, eksperienca e Gjermanisë nuk është ashtu siç e mendojnë gjermanët, një argument për masa kursimesh të njëanshme në Europën e Jugut; është një argument për politika më ekspansionare gjithkund tjetër dhe veçanërisht Banka Qendrore Europiane duhet të heqë dorë nga obsesioni i vet me inflacionin dhe të përqendrohet te rritja ekonomike.
Nuk është e nevojshme të shtojnë se gjermanët dhe udhëheqësit e bankës qendrore nuk e pëlqejnë këtë konkluzion. Ata do të vijojnë të këmbëngulin te fantazia e tyre e mirëqenies përmes dhimbjes dhe do të këmbëngulin në vijimin e strategjisë së tyre të dështuar sikur të ishte e vetmja gjë e mundshme. Por është e qartë se ata nuk do ta kenë më mbështetjen e padiskutueshme të Pallatit Elise.
Dhe kjo, besoje apo jo, nënkupton që edhe euro edhe projekti europian kanë një shans më të mirë për të mbijetuar se sa kishin disa ditë më parë.