MANJOLA BREGASI


Ata i gjen në çdo cep të Tiranës, në çdo bar dhe kafene, thuajse në çdo rrugë. Diku të afrojnë paketën e cigares, diku tjetër një kaush me bajame të pjekura dhe gjetkë një mbajtëse çelësash… Moshat e tyre janë të ndryshme, gjen aty që nga vogëlushët 5-vjeçarë e deri tek adoleshentët, që mes trafikut, zhurmave, diellit apo shiut (në varësi të stinës) përpiqen të fitojnë bukën e përditshme. Në fakt, një rrugë e ndershme për të përballuar varfërinë, por sërish jo e duhura. Sepse pikërisht ajo, buka e përditshme i bën këta fëmijë të braktisin shkollën, të përballen me fyerjet dhe refuzimet e blerësve, të punojnë në një punë që nuk u siguron të ardhme, duke sfiduar në këtë mënyrë gjithë rregullat dhe ligjet e shtetit për t’u garantuar këtyre fëmijëve në nevojë dhe të ekspozuar kaq shumë ndaj rreziqeve shkollim, strehim, edukim cilësor, mbrojtje dhe pjesëmarrje në jetën sociale. Neni 54 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton: “Fëmijës i njihet e drejta të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal”. Konventa “Mbi të drejtat e fëmijëve” është ratifikuar nga Shqipëria më 27 shkurt të vitit 1992 dhe ka hyrë në fuqi më 28 mars të po këtij viti. Kjo konventë shërben si një kod i vetëm unik, në të cilin janë sanksionuar të drejtat kryesore që duhet të gëzojnë fëmijët. Sipas konventës, “çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç është fëmijë” dhe fëmija i gëzon plotësisht të drejtat e njeriut. Ajo përmban 54 nene të të drejtave të fëmijëve të cilat ndahen në kategori të përgjithshme, që kanë të bëjnë me; mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e abuzimit, nga dhuna, neglizhenca dhe shfrytëzimi. Gjithashtu në konventë parashikohet përkujdesja ndaj fëmijëve lidhur me nevojat e veçanta të tyre, si: arsimimi, kujdesi shëndetësor, pjesëmarrja për të dhënë kontribut, mendime dhe opinione në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Konventa thekson dukshëm epërsinë dhe rëndësinë e rolit, autoritetit e të përgjegjësisë së shtetit dhe të familjes së fëmijës. Kjo konventë i bën thirrje shtetit për të përkrahur familjet të cilat nuk janë në gjendje të sigurojnë një standard të mjaftueshëm jetese për fëmijët e tyre. Ajo i njeh fëmijët si individë që janë mbajtës të të drejtave, duke u garantuar atyre, sipas përshtatjes, aftësinë e të zhvilluarit, të drejtën për identitet, për jetë private, për informacion, për mendim, ndërgjegje dhe besim, për t’u shprehur dhe për t’u organizuar. Megjithatë, në Shqipërinë e vitit 2012 duket se janë të shumta të drejtat që u shkelen dhe dhunohen fëmijëve, ndaj vështirë të flasim për respektim të konventës. Çfarë mund të themi për pastruesit e vegjël të xhamave që shohim çdo ditë në trotuaret e Tiranës? Po për lypësit minorenë që zgjasin duart drejt kalimtarëve? Ku është roli dhe autoriteti i shtetit në rastin e dy minorenëve të braktisur nga prindërit, të cilët jetesën e sigurojnë duke vjedhur ushqime nëpër dyqane? Duket se askush nuk kujtohet për të drejtën e këtyre fëmijëve për t’u mbrojtur prej të gjitha formave të shfrytëzimit. Abuzimi, dhunimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve është një fenomen, përmasat e të cilit shkojnë përtej kryeqytetit dhe shfaqet në forma e mënyra të ndryshme. Vlen të theksojmë, se disa forma dhune janë të justifikuara nga prindërit, mësuesit e madje edhe vetë fëmijët, si pjesë e kulturës tradicionale të edukimit të fëmijëve. Dy raporte me shkallë të gjerë në të gjithë vendin, (UNICEF 2006, Save the Children 2007) treguan nivele të larta të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve në familje, shkolla dhe institucione. Sipas ligjit për masa ndaj dhunës në familje “abuzim i fëmijës”, konsiderohet çdo lloj forme e keqtrajtimit ose neglizhencës që shkakton si pasojë dëmtimin ose plagosjen e fëmijës, e cila nuk mund të shpjegohet në mënyrë të arsyeshme. Abuzimi i fëmijës përfshin: abuzimin fizik, emocional dhe seksual, si dhe neglizhencën. Mjafton të ndjekësh mediat për të njohur rastet e fëmijëve të dhunuar, rastet e fëmijëve të abuzuar e të mbetur rrugëve, për të kuptuar se të gjitha këto forma janë tejet prezente në shoqërinë shqiptare. Pra kuptojmë se ka ende shumë probleme me respektimin dhe zbatimin e të drejtave të fëmijëve dhe veçanërisht kjo rëndon më shumë në rastet e familjeve në nevojë, që kanë vështirësi ekonomike apo sociale. Në kushte të tilla nuk duhet të harrojmë se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve përfshin në vetvete shumë hallka dhe kërkon një mirëkoordinim të fushave të ndryshme, duke filluar nga institucionet e arsimit, tek shërbimet sociale private apo shtetërore, institucionet mjekësore, organet e policisë etj. Mbrojtja e fëmijëve në kuptimin më të gjerë të fjalës përfshin të gjitha veprimet që individët, organizatat, shtetet dhe komunitetet ndërmarrin për të mbrojtur fëmijët nga keqtrajtimet (abuzimet) dhe shfrytëzimet si p.sh dhuna në familje, puna e fëmijëve, shfrytëzimi seksual dhe fizik, HIV, dhuna fizike etj. Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (Neni 19), ndërmarrja e të gjitha masave përfshi edhe ato edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën ruajtjen e prindërve të tij ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar, është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë. Pra në një kohë kur nuk është më e nevojshme të shkruajmë ligje, kur ligjet, traktatet dhe konventat janë tashmë realitet, ne si shoqëri na mbetet vetëm të sensibilizohemi, të ndërgjegjësohemi dhe mbi të gjitha të respektojmë atë çfarë ligji kërkon.