ALBAN KRAJA
Njëqind vite shtet apo njëqind vite pavarësi? Sigurisht, ca më tepër shtet, e ca më pak pavarësi.
U deshën njëqind të nxirrnim nga pluhuri i harresës e kujtoheshim për shumë patriotë, që vite me radhë qëndronin në kapërcyell mes humbëtirës dhe përjetësisë. Fakti që shumë nga figurat e shquara shqiptare, ndonëse ndonjë me hijet e saj, po rimarrin vlerësimin e duhur në altarin e kombit, duhet të na gëzojë, por dhe udhëheqë në një reflektim të ftohtë, pa eufori e ekzaltim emotiv. Por, ndërsa po bëhet gjithçka e mundur që të vlerësohen e jepen meritat e duhura jo vetëm figurave, por dhe grupimeve apo komuniteteve që kanë kontribuar dikur për kombin, nuk duhet të harrojmë të sotmen. Të kujtohemi edhe për vazhduesit e diasporës së dikurshme të Bukureshtit e Sofjes, që quhet emigracion, dhe janë të vendosur anembanë botës. Duke bërë punë për atdheun me më pak bujë se rilindësit tanë, por jo me më pak kontribut financiar dhe politik. A është i vlerësuar në përputhje me altruizmin e tij të pashoq, ndaj vendit të origjinës ky emigracion i ri? Ky komunitet i gjerë, për vite i braktisur nga institucionet shqiptare, a ka të drejtë të ketë në vendin amë, të paktën një ministri emigracioni, që të kujdeset për mbarëvajtjen dhe gjendjen e tij? Dhe, a mos vallë ka ardhur koha, që ky komunitet kaq i madh e i rëndësishëm, të ketë të drejtën e votës dhe përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, e të jetë pjesë e vendimmarrjeve dhe zgjidhjeve në Shqipëri?
Sipas të dhënave të gjendjes civile, popullsia e Shqipërisë është 4.5 milionë banorë dhe të dhënat e censusit thonë që vetëm 2.7 milionë janë rezidentë brenda vendit. Nga këto shifra kuptojmë që thuajse 1/3 e bashkatdhetarëve gjenden në emigracion. Një e treta e popullit tonë, ajo më vitalja dhe aktive për punë, është tërësisht e përjashtuar nga jeta politike, sociale dhe institucionale në vendin e origjinës. Të krijohet përshtypja se në politikën dhe shoqërinë shqiptare, ka të atillë që ende sot e konsiderojnë emigracionin tonë, ashtu siç e perifrazonte dikur Ramiz Alia, apo me termin tashmë denigrues, “refugjatë”. Term që për çudi, është akoma gjerësisht i përdorur në fjalorin politik, mediatik e shoqëror. Përçmim apo denigrim? Emigracioni ynë nuk e meriton një etiketim të tillë. Të parët që duhet të shfaqin respekt dhe mirënjohje ndaj emigracionit, duhet të jetë klasa politike e Tiranës. Në mos për rolin e jashtëzakonshëm në rimëkëmbjen e prosperimin e vendit, të paktën për mirënjohje personale. Pasi shumë syresh që mbushin skenën e politikës shqiptare, nuk do u kishte ardhur radha të uleshin në Parlament, pasi do ju nevojitej të konkurronin përmes procesit të meritokracisë, me ata që sot janë në emigracion.
Në njëzet vitet e fundit, emigracioni shqiptar ka kontribuar në atdhe përmes futjes së valutës me mbi njëzet miliardë euro. Shumë me të cilën do rindërtohej Shqipëria nga e para. Pjesa më e madhe ka shkuar për të garantuar mbijetesën e mijëra familjeve e individëve të papunë në vite, duke u hequr një barrë të madhe qeverive shqiptare të dy dekadave. Sot, kapitalet që hyjnë si remitanca, përbëjnë rreth 20-25% të GDP-së shqiptare. Nuk duhet anashkaluar fakti, që investimet e bëra direkt nga emigrantët apo përmes familjarëve të tyre në Atdhe, shënojnë vlerën e mbi një të katërtave të gjithë aktiviteteve ekonomike të regjistruara në Shqipëri. Ndaj lind pyetja: a duhet të vazhdojë shoqëria shqiptare në përgjithësi, e klasa politike e Tiranës në veçanti, të sillen me cinizëm, mosmirënjohje, e injorim ndaj emigracionit shqiptar?
“…O si nuk kam nji grusht të fuqishëm/ e malit që hesht, mu në zemër me ja ngjesh..” protestonte ndaj padrejtësisë bashkëqytetari im Migjeni. Poeti kërkonte grushtin e fuqishëm, por të paktën zemrën ia kishte gjetur Malit që hesht. Ne si t’ia bëjmë hallin kësaj klasës tonë politike, që as stomak nuk ka, e jo më zemër! Batuta, lum vreri e llum balte hidhen e përsëriten në tribunat elektorale ku politikanët heqin vallen e avazit të radhës. Njeri qet, e tjetri pret. Gajasen vetë me atë çfarë ju prodhon fantazia, por shpërthejnë në ovacione militantët poshtë tribunës. Por Shqipëria ka nevojë për dashnorë të kombit. Nuk ka nevojë për konfliktime të ndezura, por për misionarë me vizion. Më shumë se asnjëherë më parë, ka lindur nevoja që eksperiencën e jashtëzakonshme të emigracionit, të sillet brenda mureve të shtëpisë që mos rendim kuturu për të hyrë në Europë nga e çara e derës, por ta sjellim Europën brenda nesh. A nuk duhet pra që në këtë njëqind vjetor të shtetit shqiptar, politika e Tiranës, në unison, të vlerësojë rolin e emigracionit tonë të ri, duke i njohur të drejtën kushtetuese: të drejtën e votës aty ku ata jetojnë? A nuk duhet të sanksionojmë krijimin e një ministrie për emigracionin, që të ketë mision përkujdesjen ndaj tij, por dhe afrimin e mëtejshëm me vendin e origjinës? A nuk është momenti që të kenë të drejtën e votës shqiptarët, veçanërisht aty ku emigracioni ynë është gjashtëshifror? Pasi ne e meritojmë. Nëse juria e çmimit “Nobel”, do kishte qenë e informuar për atë sa ka bërë e bën emigracioni shqiptar në dobi të paqes sociale dhe stabilitetit ekonomik për vendin e origjinës, mes peripecive e sakrificave të panumërta ndër vite, këtë çmim, do t’ia kishte akorduar emigracionit tonë. Ah moj Albania ime, sa do të lartësoheshe, e me sa krenari do e mbajë kokën lart, nëse klasa jote politike do të ishte në nivelin e bijve të tu.
Gëzuar ditëlindjen Albania jonë, e rrofsh në përjetësi.
*Kryetar i Lidhjes Shqiptaro–Arbëreshe, Itali